KUSH E PRANOI ISLAMIN I PARI NGA BURRAT?

0
239

Ebu Bekri ishte ndër më të shpejtët që iu përgjigjën thirrjes së Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, bile është i pari prej burrave që pranoi Islamin. Transmetohet nga Hemami, i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Amarin duke thënë: “E kam parë Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në kohën kur nuk kishte muslimanë të tjerë përveç pesë skllevërve, dy grave dhe Ebu Bekrit.”[1]

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka lajmëruar se Ebu Bekri ishte ai që e vërtetoi kur të tjerët e përgënjeshtruan, siç thotë në hadithin që e transmeton Buhariu: “Me të vërtetë, Allahu më ka dërguar te ju dhe më thatë gënjen, ndërsa Ebu Bekri tha: “Të vërtetën thua.” Ai është që më ndihmoi me veten dhe pasurinë e tij. Pra, apo e lini të qetë shokun tim? Pra, apo e lini të qetë shokun tim?”[2]

Ishte ai që e shoqëroi Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem gjatë gjithë jetës së tij, e përkrahu gjatë thirrjes së tij dhe ishte shoku i emigrimit të tij. Për t’i shpëtuar ndjekjes së kurejshëve në udhëtimin e emigrimit, Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem bashkë me Ebu Bekrin hynë në një shpellë. Pas ca kohësh erdhën kurejshët te dera e shpellës dhe u ndalën aty, por nuk panë gjë sepse Allahu xhele shanuhu e kishte marrë përsipër mbrojtjen e Profetit të Tij dhe i bëri që të largohen. Pasi ikën, Ebu Bekri tha: Nëse ata do të shihnin poshtë, do të shihnin këmbët tona!” Tha: “O Ebu Bekër, çfarë mendon ti për dy persona, që Allahu është i treti i tyre?”[3] Atëherë, Allahu xhele shanuhu zbriti ajetin kuranor: “Nëse ju nuk e ndihmoni Muhamedin, Allahu do e ndihmoje atë, ashtu siç e ndihmoi ditën kur e dëbuan mohuesit, kur ai ishte vetë i dyti në shpellë dhe ai i thoshte shokut të tij mos u mërzit, vërtet Allahu është me ne…” (Tevbe: 40)

Ebu Bekri ishte i pranishëm në të gjitha ngjarjet përkrah Profetit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem).

Merrej me tregti, shiste rroba dhe pasuria e tij, kur pranoi Islamin, kishte arritur në 40.000 dërhemë, të cilët i shpenzoi në dobi të thirrjes islame, për lirimin e robërve, për sadaka për të varfrit, madje edhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e konsideronte pasurinë e Ebu Bekrit njësoj si pasurinë e tij. Për të treguar rolin e madh që luajti pasuria e Ebu Bekrit, le të shohim hadithin e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili thotë: “Nuk më ka bërë kurrë dobi një pasuri siç më ka bërë dobi pasuria e Ebu Bekrit.”[4]

Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u sëmur, urdhëroi që të mbylleshin dyert e sahabëve që ishin rreth e rrotull xhamisë, përveç derës së Ebu Bekrit. E urdhëroi Ebu Bekrin që të falej me njerëzit gjatë sëmundjes së tij, e përgëzoi atë me xhenet dhe u martua me vajzën e tij, Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të.

[1] Transmeton Buhariu, nr. 3660.

[2] Transmeton Buhariu, nr. 3661.

[3] Transmeton Buhariu, nr. 3653, Muslimi 4/1854.

[4] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh 1/65, Ibn Maxheh, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here