Pyetje:
A është haram që të vendosen përmbi varr lule të plastikës apo të
gjalla?
Përgjigje:
Vendosja e luleve mbi varr, qofshin ato të gjalla apo të plastikës nuk është traditë islame dhe nuk rrjedh nga muslimanët, por është e importuar nga mosbesimtarët gjë kjo që nuk lejohet imitimi i tyre në respektimin e të vdekurit. Pra vendosja e luleve mbi varr është bidat dhe numërohet haram.
Në koleksionin e Buhariut dhe atë të Muslimit, që kanë përmbledhur hadithe të dërguarit Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, transmetojnë nga Ibën Abbasi rastin se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kaloi pranë dy varreve dhe tha se të varrosurit në to po dënohen dhe atë jo për ndonjë gjë që e kishin vështirë ta kryenin; njëri – tha ai, nuk ruhej prej papastërtisë gjatë urinimit, ndërsa tjetri merrej me bartje të fjalëve me qëllime negative. Pastaj e mori një degë të njomë, e theu në dysh dhe i mbolli në të dy varret. Të pranishmit e pyeten: përse veprove kështu o i dërguar i Allahut? Ai tha: “Ndoshta derisa janë të njoma do të ndihmojnë në lehtësimin e dënimit të atyre dyve.”
Nga kjo ngjarje dhe nga ky veprim i të dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk guxojmë assesi ta ndërtojmë mendimin se vendosja e luleve të gjalla, të njoma etj. (e lëre më ato të plastikës) është e lejuar e aq më pak të llogaritet se është sunet një gjë e tillë. Assesi, sepse kjo ishte specifikë e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pasi atij iu bë e ditur përmes shpalljes gjendja e atyre dy njerëzve në varr, që nuk kishte mundësi ai vet ta dijë dhe me atë rast ka vepruar me diç të posaçme për t’i vënë theksin atyre dy mëkateve që pakkush ua vë veshin, ndërsa ato mund ta shkaktojnë dënimin qysh në varr, pra mos-ruajtja nga stërpikat e urinës dhe bartja e fjalëve – nemimja. Përndryshe as vet i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk e ka vepruar në raste të tjera dhe as sahabët nuk e kanë praktikuar një gjë të tillë.
Kështu, vendosja e luleve mbi varr e në theks të veçantë e kurorave nga lulet e plastikës në shenjë nderimi ndaj të vdekurit, është traditë e huaja që aspak nuk i lejohet muslimanëve ta pasojnë.
Allahu e di më së miri!
Prof. Muhamed Dërmaku