Pyetja e parë:
Pyetësi: Një student mbaroi apo doli me sukses nga viti i parë i shkollës së mesme, dhe tani ai do që të hyjë në vitin e dytë, ose në degën shkencore ose në degën letrare. Mirëpo ai nuk anon në asnjërën nga ato të dyja, domethënë është pesëdhjetë për qind me pesëdhjetë për qind. Çfarë duhet të thotë ai kur të bëjë namazin istikhara, çfarë duhet të thotë kur të lutet?
Shejkh el-Albanij: Ajo që kuptoj unë nga pyetja jote është se ai nuk ka synim, prandaj ai nuk ka pse të bëjë istikhara apo nuk e ka detyrë. Nëse kuptimi im ishte i saktë, atëherë përgjigja ime është e saktë. Dhe nëse kuptimi im ishte i gabuar, atëherë korrigjoje ti.
Pyetësi: Mirë, Allahu të shpërbleftë me të mira o Shejkh!
Shejkh el-Albanij: Edhe ty!
Pyetësi: Mirëpo ai është i pavendosur, prandaj ka nevojë për istikhara, sepse ai është i pavendosur.
Shejkh el-Albanij: Jo, istikhara nuk e largon pavendosmërinë. Istikhara është pasi që njeriu ka marrë vendimin për një gjë të caktuar, në këtë rast bëhet istikhara. Nuk është e ligjëruar bërja e istikharas në rastin kur Muslimani ka dyshim apo mëdyshje dhe nuk është i vendosur. A është e qartë përgjigja?
Pyetësi: Po o Shejkh!
Shejkh el-Albanij: Në rregull.
Pyetja e dytë:
Pyetësi: Në namazin e istikharas, a bëhet duaja para dhënies selam (në fund të namazit) apo mbasi që jep selam?
Shejkh el-Albanij: Mbas selamit.
Pyetësi: Mbas selamit?
Shejkh el-Albanij: Po!
Pyetësi: Allahu të shpërbleftë me të mira!
Pyetja e tretë:
Pyetësi: Një person do që të falë namazin e istikharas, që Allahu t’i japë udhëzim për një çështje të caktuar, a i lejohet atij që ta falë disa herë namazin e istikharas?
Shejkh el-Albanij: I lejohet nëse ai nuk e fali namazin e istikharas ashtu siç është ligjëruar. Dhe mjafton që istikhara të jetë në kundërshtim me dispozitat e saj, në rastin kur ai i lutet Allahut në istikhara me fjalë por jo me zemrën e tij. Ai e di vet si është, që i ka humbur ndërgjegjja, në këtë rast ai është i detyruar që ta përsërisë. Ama nëse ai nuk ndjen në vetvete një gjë të tillë, atëherë në këtë rast ai ka bërë bidat.
Përktheu: A.Malaj