KUPTIMI I SURES “EL INFITAR “

0
543

SUREJA “EL INFITAR “

(Ka zbritur në Mekë, ka 19 ajete)

Ajetet 1 – 19

Me emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Kur të çahet qielli,
Kur të shpërndahen yjet,
Kur të përzihen detet
Dhe kur të trazohen varret,
Atëherë, secili e di se çfarë ka punuar dhe çfarë ka lënë prapa.
O njeri! Ç’të mashtroi ty kundër Zotit tënd, Bujarit dhe të Butit?
Është Zoti Ai që të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi,
Të bë­ri në trajtën që Ai dëshiroi.
Jo (nuk është siç thoni ju). Ju përgënjeshtroni Ditën e Llogarisë.
Juve ju janë vënë pas engjëjt mbrojtës.
Ata janë shkrues të ndershëm të All-lla­hut.
Ata e dinë se çfarë bëni.
E s’ka dyshim se e mi­ra shpërblehet me kënaqësitë e përjetshme.
Kurse më­ka­tarët janë në xhehenem.
Aty futen ata në Ditën e Gjyki­mit.
Dhe nuk mund të largohen prej tij.
E ku ta dish ti se ç’është Dita e Gjykimit?
E ku ta dish ti se ç’është Dita e Gjykimit?
Është Dita kur askush nuk do të mund të të ndihmojë për asgjë; atë Ditë çështja i takon vetëm All-llahut!
PËRMBAJTJA E SURES

Kjo sure tregon ndryshimet që do të pësojë gjithësia në Di­tën e Kijametit. Ajo flet për të shpëtuarit dhe të humburit dhe për llogarinë që do të jepet para All-llahut të Madhërishëm.

KUPTIMI I FJALËVE

Ç’të mashtroi ty kundër Zotit tënd? – Ç’të bëri ty të dalësh kundër Zotit tënd?

Mëkatarët – Ata që nuk iu bindën All-llahut të Madhërishëm.

KOMENTIM I PËRGJITHSHËM I AJETEVE

Kjo sure i përngjet sures së mëparshme, “Tekuir”. Sureja flet për Ditën e Gjykimit dhe për ngjarjet përpara saj, si çarja e qiellit, rënia e yjeve, bashkimi i deteve dhe i oqeaneve, hapja e varreve dhe dalja ç’ka brenda tyre. Atë Ditë njeriu do ta kupto­jë se ku ka qenë i mangët.

All-llahu e qorton njeriun: “Çfarë ndodhi me ty që e mo­hove Zotin tënd, i Cili të krijoi ty në mënyrën më të përsosur?”

Vërtet, njeriu e mohon Zotin tij për shkak të paditurisë së tij e për shkak se ai i bindet Shejtanit dhe cytjeve të tij.

All-llahu ka ngarkuar engjëjt që t’ia shkruajnë njeriut vep­rat, të mëdha apo të vogla qofshin, që t’i kërkojë llogari për to në Ditën e Gjykimit.

Pasi All-llahu t’u kërkojë llogari njerëzve për punët e tyre, ata do të ndahen në dy grupe; të shpëtuarit dhe të humburit. Të shpëtuarit do të jenë besimtarët, ata të cilët besuan dhe që do të hyjnë në xhenet. Të humburit do të jenë jobesimtarët, të ci­lët do të hyjnë në zjarrin e xhehenemit, ku do të digjen dhe nuk do të dalin prej tij.

All-llahu tregon se kjo Ditë është një Ditë e madhe dhe e frikshme, kur askush nuk mund të ndihmojë tjetrin, sepse e gji­thë çështja i takon vetëm All-llahut.

Ç’NA MËSOJNË AJETET

Në Ditën e Kijametit gjithësia do të ndryshojë me urdh­rin e All-llahut.
Në Ditën e Gjykimit njerëzit do të dalin të gjallë nga varret.
Në Ditën e Gjykimit njeriu do të shohë veprat që pati bërë në këtë botë; ato janë regjistruar nga engjëjt.
Njerëzit do të ndahen në dy grupe; një grup do të hyjë në xhenet dhe një grup në xhehenem.

LIBRI Ndihmëtar për kuptimin e xhuzit të tridhjetë

Zejd Omer Abdullah