KRIJUESI

0
207

Krijimi është në thelb rezultat cilësisë hyjnore së të qenit Krijues. Është diçka kontradiktore nëse themi se krijuesi nuk krijon. Kjo nuk do të thotë se Zoti ka nevojë për krijesat e Tij. Zoti është i lirë prej të gjitha nevojave. Janë krijesat ato që kanë nevojë për Të. Ashtu si bëhet e qartë madhështia e shkrimtarit në shkrimet e tij, ashtu edhe përsosuria e cilësisë hyjnore të krijimit manifestohet në krijim. Krijimi, në kuptimin e vërtetë, është i veçantë vetëm për Zotin.
Edhe pse njerëzit ia veshin aktin e krijimit vetvetes, ajo çka ata bëjnë nuk ështe krijim i vërtetë. Njerëzit thjesht manipulojnë me gjërat që tashmë ekzistojnë – janë krijuar nga Zoti. Tavolina p.sh. ështe e punuar nga lënda që vjen nga drurët dhe mbahet me gozhda e vidha të punuara nga metali, prejardhja e te cilit është nga shkëmbinjtë. Njerëzit nuk i kanë krijuar drurët dhe metalet. Ç’është e vërteta, të gjitha krijimet e njeriut mund të zbërthehen deri në elementet bazë të cilat ata nuk mund t’i prodhojnë.
Edhe artisti ‘krijon’ forma duke u bazuar në atë që ka parë. Nuk është e mundshme të përfytyrohet ajo çka nuk është përkapur nga shqisat. Kështu, të gjitha mendimet e artistit janë reflektim i asaj çka tanimë është krijuar. Vetëm Zoti krijon prej asgjësë. Ky fakt i qartë ka qenë dhe mbetet i pakuptueshëm nga disa. Disa filozofë të vjetër, por dhe modernë, të cilët nuk mund të kuptonin se si Zoti ka mundur të krijojë prej asgjësë, pohuan se bota e krijuar me gjithë atë që përmban janë burimisht pjesë e Zotit.15 Sipas tyre, Zoti mori një pjesë nga Vetja e Tij dhe bëri gjithësinë. Ky konkludim është i bazuar në krahasimin e Zotit me njeriun, i cili mund të “krijojë” vetëm duke tjetërsuar atë që tanimë ekziston. Mirëpo, Zoti dënon çdo krahasim që kishte për t’i dhënë Atij kufizime njerëzore. Në Kaptinën esh-Shura në shpalljen e fundit, Ai thotë: “Asgjë nuk i përngjet Atij, dhe Ai është Gjithëdëgjuesi dhe Gjithëpamësi.”
(Shura 42,11)
Kështu, akti i krijimit është rrjedhojë e vetisë hyjnore së të qenit Krijues. Në shumë ajete të shpalljes së fundit Zoti përshkruan Veten si Krijues, per t’ia bërë me dije njerëzimit se çdo gjë i takon vetëm Atij: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Vekil (Kujdestar, Ruajtës, Rregullues) mbi gjithçka.” (Zumer 39, 62) “Ndërsa Allahu ju ka krijuar ju dhe çfarë ju bëni e veproni (veprat tuaja)” (Saffat 37, 96) Njeriu duhet të kuptojë se asgjë nuk ngjan në këtë gjithësi pa lejen e Zotit.
Të kërkohet mbrojtje nga e keqja ose të kërkohet e mira nga ndonjë burim tjetër përveç Zotit është gabim i madh. Për shkak të injorancës, shumë njerëz orvaten t’i largohen fatkeqësisë dhe të arrijnë fat permes magjive, nuskave, astrologjisë, fallit etj. Për këtë arsye, në shpalljen e fundit, në kaptinën Felek, Zoti i informon njerëzit që të kërkojnë mbrojtje nga e keqja vetëm tek Ai: “Thuaj: I mbështetem (Allahut) Zotit të Agimit (të më ruajë), nga Sherri (e keqja) e asaj që Ai ka krijuar.” (Felek, 113 1-2) Allahu, Zoti i Plotfuqishëm, nuk është i keq, Ai është i mirë. Ai krijoi një botë në të cilën e keqja ose e mira mund të bëhen nga qeniet të cilave Ai ua ka dhënë këtë mundësi. Mirëpo, asnjë e keqe a e mirë nuk mund të paraqitet në këtë botë pa lejen e Zotit. Kjo është arsyeja përse është e kotë t’u drejtohemi të tjerëve për ndihmë dhe mbrojtje përveç Zotit.
“Asnjë fatkeqësi nuk bie, por veçse me Lejen e Allahut…” (Tebagun 64,11) I Dërguari i fundit, Muhammedi, paqja dhe shpetimi i Allahut qofshin mbi të, edhe më tutje e elaboroi këtë koncept, duke thënë: “Dije se nëse i tërë njerëzimi do të bashkohej për të të ndihmuar ty, ata do të mund të të ndihmonin vetëm aq sa Allahu tanimë ka caktuar për ty. Gjithashtu, nëse i tërë njerëzimi do të bashkohej të të dëmtojë, ata do të të dëmtonin aq sa Allahu ka caktuar për ty.”
Bilal Philips

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here