Këto zbulime shkencore i bënë muslimanët, por ne i kemi mësuar ndryshe 

0
514

Koncepti që shkencat janë ekskluzivisht produkte të mendjes perëndimore akoma vazhdon të mbetet i pacenuar. Në çdo kërkim që do të bënim në tekstet enciklopedike, për sa i përket historisë së shkencës, do ta mbështeste këtë koncept. Duke i përshkruar faqet e këtyre librave del qartë që të vetmit kontribues të përmendur për vlerat e tyre janë evropianët ose dhe amerikanët. Është pothuajse e parëndësishme të përsërisësh ato emra që i kemi hasur kushedi sa herë më parë, si: Galileo, Koperniku, Kepler, Beikon, Njutoni, Da Vinci, Benjamin Franklin, etj. Dhe përfundimi i pashmangshëm është se kontribute vërtet të rëndësishme në zhvillimin e shkencave moderne që janë dhënë nga kulturat e tjera janë minimizuar. Shumica e teksteve përmendin shumë pak, për të mos thënë fare, avancimet e sjella nga shkencëtarët dhe studiues indianë, kinezë dhe në veçanti ata muslimanë.
Civilizimi perëndimor ka dhënë kontributin e tij në zhvillimin e shkencës. Por këtë e kanë bërë edhe shumë kultura të tjera. Për fat të keq, perëndimorëve u janë dhënë merita për zbulime që janë bërë shekuj më parë nga studiuesit muslimanë. Kështu, shumë nga shkencat bazë u zbuluan nga joevropianët. Xhorxh Sarton thotë se mjekësia perëndimore moderne nuk e pati origjinën e saj nga Evropa, por ajo lindi nga Orienti islam.
Të dhënat në këtë seksion që na japin data, emra dhe tema të avancimeve perëndimore janë marrë nga tre burime kryesore: “World Book Encyclopedia” (Enciklopedia e librit botëror), “Enciklopedia Britanika” dhe libri 700 faqesh i Isak Asimovit, “Kronologji e shkencës dhe zbulime” Të dhënat që tregojnë për arritjet e studiuesve muslimanë janë marrë nga referenca të ndryshme që janë shënuar në bibliografinë e këtij libri.
_______________________________________________________________
Çfarë mësohet: I pari që ka përmendur njeriun në fluturim ka qenë Roxher Beikon, i cili vizatoi një aparat fluturimi. Leonardo da Vinci, gjithashtu, imagjinoi transportin ajror dhe vizatoi disa prototipe.
Çfarë duhet mësuar: Ibn Firnas nga Spanja islame shpiku, ndërtoi dhe provoi një makinë fluturuese në vitin 800 (e.r.). R. Beikon lexoi për makinat fluturuese në referencat arabe të makinës së Ibn Firnas. Shpikja e këtij të fundit është bërë 500 vjet para asaj të Beikonit dhe 700 vjet para shpikjes së Da Vincit.
Çfarë mësohet: Pasqyrat e xhamit u prodhuan për herë të parë në Venecia në 1291.
Çfarë duhet mësuar: Pasqyrat e xhamit përdoreshin në Spanjën islame që nga shek. XI. Venecianët e mësuan artin e prodhimit të xhamit nga artizanët sirianë gjatë shek. IX-X.
Çfarë mësohet: Deri në shek. XIV i vetmi lloj ore që gjendej ishte ajo e ujit. Në 1335, një orë e madhe mekanike u ndërtua në Milano të Italisë. Kjo ka mundësi të ketë qenë ora e parë mekanike.
Çfarë duhet mësuar: Një variacion i tërë orësh mekanike u prodhuan nga inxhinierët muslimanë spanjollë. Këto ishin të vogla e të mëdha dhe kjo dije u përcoll në Evropë me përkthimet në latinisht të librit islam të mekanikës. Më vonë u punuan dhe ingranazhe të formave të ndryshme. Një orë e tillë kishte edhe një sasi mërkuri.
Ky tip (me mërkur) u kopjua menjëherë nga evropianët gjatë shek. XV. Për më tepër, gjatë shek. IX Ibn Firnas i Spanjës islame, sipas Will Durant, shpiku një mjet që shërbente si orë dhe i cili tregonte kohën e saktë. Muslimanët, gjithashtu, ndërtuan një varietet të tërë orash të sakta astronomike që i përdornin gjatë observimeve të tyre.
Çfarë mësohet: Në shek. XVII, lavjerrësi u zhbulua nga Galileo gjatë adoleshencës së tij. Ai vuri re një shandan që lëkundej nga era që po frynte, si rezultat ai shkoi në shtëpi dhe shpiku lavjerrësin.
Çfarë duhet mësuar: Lavjerrësi u zbulua nga Ibn Junus el Masri në shek. X. Ai ishte i pari që studioi dhe dokumentoi levizjen statike. Vlera e kësaj në përdorimin e orave u vu në dukje nga fizikantët muslimanë gjatë shek. XV.
Çfarë mësohet: Tipi lëvizës dhe shtypshkronja u shpik në perëndim nga Johanes Gutenberg, në Gjermani gjatë shek XV.
Çfarë duhet mësuar: Në 1454, Gutenberg realizoi shtypshkronjën më të sofistikuar të mesjetës. Sidoqoftë, tipi metalik lëvizës ishte duke u përdorur në Spanjën islame prej 100 vitesh dhe Spanja ishte vendi ku u prodhuan mjetet e para perëndimore të shtypit.
Çfarë mësohet: Studimi i shek. XVII i Isak Njutonit mbi lëndët, dritën dhe prizmin, formon themelet e shkencës moderne të optikës.
Çfarë duhet mësuar: Në shek. XI El Hajthem vendosi virtualisht çdo gjë që Njutoni avancoi për sa i përket optikës. Ai e bëri këtë shekuj më parë dhe për më tepër ai konsiderohej nga një sërë autoritetesh si themeluesi i optikës. Ekziston një farë dyshimi që Njutoni të jetë influencuar nga ai. El Hajthem ishte fizikanti më i përmendur i mesjetës. Studimet e tij u përdorën nga një sërë studiuesish evropianë gjatë shek. XVI – XVII, madje më shumë se studimet e Njutonit dhe të Galileos të mbledhura bashkë.
Çfarë mësohet: Isak Njutoni, zbuloi në shek. XVII se drita e bardhë përbëhej nga rreze të disa ngjyrave të ndryshme.
Çfarë duhet mësuar: Ky zbulim u bë i tëri nga El Hajthem (shek. XI) dhe Kamal Edin (shek. XIV). Njutoni ka merita për zbulime origjinale, por ky nuk ishte njeri nga ata.
Çfarë mësohet: Koncepti i natyrës së njëjtë të materies u prezantua nga Antion Lavosier gjatë shek. XVII. Ai zbuloi që, edhe nëse materia mund ta ndryshojë formën apo pamjen, masa e saj mbetet gjithmonë e njëjtë. P.sh.: nëse uji do të fillojë të vlojë, derisa të nxjerrë avull, kripërat shkrihen në ujë. Ose nëse druri do të digjet dhe bëhet hi, masa totale mbetet e pandryshuar.
Çfarë duhet mësuar: Parimet e këtij zbulimi shpjegoheshin shekuj më parë nga studiuesi i madh i Persisë islame, El Biruni (v. 1050). Lavosier ishte dishepulli i kimistëve dhe fizikanëve muslimanë dhe referohej shpesh në librat e tyre./Alcislam
(vazhdon)
Dr. K. Ajram