“Kështu vepron dynjaja ndaj atyre që luftojnë me lakmi vetëm për të.”

0
207
Udhëtonte Isai a.s. me një njeri, dhe pasi u uritën shumë, në afërsi të një fshati Isai a.s. i dha ca të holla duke i thënë: “Shko dhe na sjell diç për të ngrënë.”

Njeriu u nis, ndërsa Isai a.s. filloi të falet. Kur erdhi njeriu, solli me vete tri pogaçe dhe u ul duke pritur që Isai a.s. ta përfundojë namazin e tij. Por, pasi Isai a.s. e zgjati namazin, ky njeri e hëngri njërën pogaçe.

Isai a.s. kur përfundoi namazin, e pyeti njeriun: “Ku është pogaçja e tretë?”
Njeriu u përgjigj: “Vetëm dy i solla.”
Pasi i hëngrën, u nisën më tej. Hasën në një grumbull gazelash duke kullotur.

Isai a.s. e thirri një gazelë e cila erdhi menjëherë, e therën dhe e hëngrën, ndërsa Isai a.s. i tha: “Pashë Atë që të mundësoi ta shohësh këtë mrekulli, më trego kush e hëngri pogaçen e tretë?”

Njeriu u përgjigj: “Vetëm dy pogaçe i solla.”

Vazhduan më tej së bashku udhëtimin dhe arritën afër një fshati, me ç’rast Isai a.s. e luti Allahun që t’ia dërgonte dikë për t’i treguar për këtë fshat. Me lejen e Allahut tjegulla foli dhe i tregoi për çdo gjë që e pyeti Isai a.s.

Njeriu që udhëtonte me Isain a.s. mbeti i habitur, ndërsa Isai përsëri e pyeti: “Pashë Allahun që të dha ta shohësh këtë mrekulli, më thuaj kush e hëngri pogaçen e tretë?”
Njeriu përsëri u përgjigj: “Vetëm dy pogaçe kanë qenë.”

Vazhduan më tej dhe arritën pranë një lumi të madh. Isai a.s. e morri për dore dhe e kaluan lumin duke ecur mbi sipërfaqen e ujit. Njeriu i habitur bërtiti: “Subhanallah!”

Isai a.s. atëherë përsëri e pyeti për pogaçen e tretë, ndërsa njeriu u përgjigj si herëve tjera.
Duke shkuar më tej, arritën pranë një fshati të braktisur, ku hasën në tre grumbuj rëre. Isai a.s. tha: “Me emrin e Allahut bëhuni ar!”

Dhe për një moment tre grumbujt e rërës u bënë ar, ndërsa Isai a.s. tha: “Njëri është i imi, tjetri i yti, ndërsa i treti është i atij që e ka ngrënë pogaçen e tretë!”

Atëherë njeriu klithi: “Unë e kam ngrënë pogaçen e tretë!”

Isai a.s. ia la të tre grumbujt e arit njeriut dhe vazhdoi më tutje, ndërsa ky mbeti duke mos ditur si ta bart me vete tërë këtë ar.

Atypari kaluan tre hajna dhe kur e panë njeriun me tërë këtë ar, e mbytën në vend.

Atëherë njërin e dërguan në fshatin fqinj për të sjell ushqim, duke bërë plan në mes veti që posa të kthehet ta vrasin dhe arin ta ndajnë vetëm këta dy.

Kur arriti në fshat, ai morri dy pogaçe për shokët duke futur helm në to, për t’i mbytur shokët, në mënyrë që ari t’i mbetej vetëm atij.

Posa u kthye me pogaçe në dorë, ata e mbytën dhe u ulën për të ngrënë, por meqë pogaçet ishin me helm edhe ata vdiqën menjëherë.

Më vonë, Isai a.s. kaloi atypari dhe i pa të katërt të vdekur rreth grumbujve të arit dhe tha: “Kështu vepron dynjaja ndaj atyre që luftojnë me lakmi vetëm për të.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here