ME KË SHOQËROHESH ?

ME KË SHOQËROHESH ?

Allahu e krijoi njeriun dhe në natyrën e tij e bëri që të jetojë në bashkësinë e njerëzve dhe të ketë mardhënie të ndërsjellta me ta. Ai (njeriu), e ka të pamundur të jetojë i vetëm, sado ti ketë të plotësuara mënyrat e rehatisë dhe luksit. Për këtë arsye, shoqëria do të ishte një çështje shumë e domosdoshme për njeriun.

Kur’ani dhe suneti, e kanë sqaruar rëndësinë që ka shoqëria dhe se sa e rrezikshme është ajo për njeriun.

Në një hadith, Profeti (alejhi salatu ues selam) ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të shohë secili nga ju, se me kë shoqërohet. [E përcjell Tirmidhiu dhe e ka saktësuar Albani].

Shoku, ndikon pa asnjë mëdyshje tek shoku i tij! Mund të ndikojë pozitivisht në të mira, duke i përkujtuar Alahun, duke e ndihmuar në vepra të mira dhe duke e nxitur në adhurime. Dhe kështu bëhet shkak për shpëtimit e tij në ditën e gjykimit.

Sikundër, ndikon negativisht, duke e urdhruar për vepra të këqia, duke e nxitur për çrregullime dhe duke e penguar nga përmendja e Allahut të Lartësuar.

Në këtë mënyrë ky shok bëhet shkak i humbjes dhe shkatërrimit të tij në ditën e gjykimit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës. [Furkan 27-29].

Prej shembujve më konkret që tregojnë rëndësinë e shoqërimit, është shembulli që na ka treguar Profeti (alejhi salatu ues selam), se si ndikon shoku tek shoku i tij.

Ai thotë: “Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është (përkatësisht) si poseduesi i miskut dhe kovaçit. Mbartësi i miskut ose do te japë erë të mirë, ose do ta blesh, ose do të ndjesh prej tij erën e mirë, ndërsa kovaçi ose do të të djegë rrobat, ose do të ndjesh prej tij erën e keqe.” Buhariu dhe Muslimi.

I mençuri zgjedh njerëzit e devotshëm dhe të mirë, për tu shoqëruar dhe për të qëndruar afër tyre.

Dhe largohet sa të jetë e mundur, nga shoqëria e atyre që mund ta çojnë drejt shkatërrimit, duke e bërë të pendohet (për këtë shoqëri) në këtë botë dhe në botën tjetër.

Allahu i Lartësuar thotë: “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” [Zuhruf 67].

Përgatiti Zad Group

Përktheu Fatjon Isufi