Unë fillova të punoj disa muaj përpara se ti të lindje. Megjithëse kam qenë brenda kraharorit tënd për kaq vite duke rrahur çdo sekondë, ti asnjëherë nuk më ke vënë re. Jam unë, zemra jote, motori i trupit tënd. Po pres me padurim të të jap disa këshilla me vlerë.
Kur ti ishe thjesht një embrion 19 ditësh, krijimi im nisi nga një grup qelizash të specializuara. Në fillim unë isha si një tub, më pas pësova një përdredhje dhe gradualisht filloi formimi i dhomave dhe enëve të para të gjakut. Qelizat që më kanë formuar mua janë të programuara në mënyrë shumë të veçantë dhe së bashku me qelizat e tjera si ato nervore, të lëkurës, kërcit dhe muskujve ne u zhvilluam si organe të ndarë. Kur arrita një madhësi të caktuar, në ditën e 22 në barkun e nënës, mora urdhrin për të rrahur dhe vetëm Allahu e di për sa kohë do të zgjas. Kur qelizat e mia tkurren së bashku për të pompuar gjakun, ti ndjen atë që quhet puls.
Pra, Beni, unë kam një detyrë në organizmin tënd. Ti ndoshta nuk mendon shumë për punën time, por kur ti vrapon, mua më duhet të rrah shumë më shpejt për të çuar më shumë gjak në muskujt e këmbëve të tua. Vetëm atëherë Beni, ti më ndjen mua, por sidoqoftë nuk më kushton shumë vëmendje. Sa i shkujdesur që je, sikur unë do ta bëj këtë detyrë përgjithmonë dhe s’do të lodhem kurrë. Por le ta pranojmë, kjo ndodh tek një djalë i ri si ti, por më e keqja është se ty as që të shkon nëpër mend se kush të pajisi me një dhuratë të tillë dhe kjo me të vërtetë më mërzit shumë. Sot ti shkon në shkollë dhe ndoshta ke dëgjuar të flitet për mua në mësimin e biologjisë. Jo për fajin tënd Beni, por mësuesit më trajtojnë mua sikur të isha thjesht një pompë. Prapë se prapë, ti nuk do të lëvizje dot as një gisht sikur unë të mos çoja gjak në trurin tënd. Por, sot më në fund unë do të them se nuk jam thjesht një copë mishi. Do tëtë shpjegoj se si duhet të kujdesesh për mua nga ana trupore dhe shpirtërore, përndryshe do të pendohesh vërtet. Unë jam vetëm një shok i mirë që po të paralajmëroj për një të vërtetë të hidhur, por ti mos u mërzit se je akoma në kohë për tu përmirësuar.
Të gjitha qelizat, tullat ndërtuese të organizmit tënd (100 trilion) kanë nevojë për mua për t’u ushqyer, për të marrë frymë, për të larguar mbeturinat dhe për shumë punë të tjera. E di pse? Falë aftësisë sime për të punuar pa ndërprerë gjatë gjithë kohës. Për këtë arsye unë e kam filluar punën para çdo organi tjetër që në barkun e mamit tënd. Edhe pse nuk e di se për sa kohë do të vazhdoj të rrah, ndonjëherë, megjithëse në shëndet të mirë, ora e caktuar vjen dhe unë e lë detyrën time duke iu bindur urdhrit Hyjnor. Në shumicën e rasteve, engjëlli i vdekjes nuk më thotë të ndaloj pa patur ndonjë shkak, ai ka gjithmonë një arsye të dukshme. Ka shumë shkaqe të cilat më bëjnë ta lë punën time në një kohë si kjo ku aksidentet, veset e këqija dhe vetëvrasjet janë bërë të zakonshme.
Në fakt, edhe vetë habitem sesi funksionoj. Unë jam e pajisur me mekanizma mbrojtës kundër humbjes së gjakut si pasojë e plagëve, por nëse humbja e gjakut nuk ndalohet ose nuk zëvendësohet, unë mund të lodhem dhe të ndaloj së rrahuri pas pak minutash ose mund të prekem lehtë nga disa lloje helmesh. Kjo nuk ndodh shpesh por ajo që më mërzit më shumë është jeta jote e çrregullt, ngrënia e ushqimeve jo të shëndetshme, pasiviteti, dembelizmi dhe në veçanti jetesa me stres dhe zënka.
Unë mund t’i duroj këto për pak kohë, por kur ti e tepron dhe unë nuk mbaj më, atëherë ndaloj ose të jap një paralajmërim për të tërhequr vëmendjen tënde. Në këto çaste i dëgjon njerëzit të qajnë, thërrasin menjëherë ambulancën me panik, kërkojnë ilaçe ose ndërhyrje elektroshoku. Nuk ka asgjë të keqe në kërkimin e ndihmës mjekësore, por pse duhet të presësh deri në këtë pikë ku unë të katandisem kështu!
Dëgjo Beni, ti je ai që e ke në dorë të më mbash mirë ose keq. Pra mos u ofendo nëse një ditë unë lodhem dhe ndaloj së punuari! Ti thjesht ki kujdes me ushqimet me shumë yndyrë, me fqinjin tim stomak i cili ankohet shpesh se ti e mbush më shumë se ç’duhet. Kur ai mbushet plot, afrohet më shumë me mua duke më shtypur. A nuk e ke dëgjuar ti hadithin që i këshillon njerëzit të lënë 1/3 e stomakut bosh dhe të ngrihen nga tryeza e ngrënies pa u ngopur? Unë mund të bëhem e kuptueshme me perimet, por nuk kuptoj pse ti duhet të hash në “fast food”, ushqime të skuqura dhe jo të shëndetshme? Ki kujdes se herët a vonë do të paguash për këtë dhe atëherë mund të jetë shumë vonë.
Patjetër ti duhet të kënaqesh me të mirat që Allahu të ka dhënë, por duhet të dish se kur të ndalesh. Nëse vazhdon kështu valvulat e mia do të ngushtohen dhe arteriet do të bllokohen nga yndyra, sepse, qe të jesh i qartë, arteriet e mia janë krijuar shumë të holla dhe ato mund të ngushtohen lehtë dhe për një kohë të shkurtër.
Ti po sillesh si një qullac dembel, duke ndenjur tërë kohën përpara televizorit pa lëvizur fare. Nuk habitem që edhe për të shkuar deri tek dyqani i lagjes të marrësh makinën. Sikur të bëje edhe pak sport një pjesë të ditës do të ishte mrekulli. Disa nga shokët e tu shkojnë në xhami për tu falur dhe kështu me një gur vrasin dy zogj. Ata kështu plotësojnë detyrën e tyre ndaj Krijuesit dhe i çlirojnë zemrat e tyre me ushtrime trupore. Prandaj, zemrat e tyre janë të shëndetshme falë besimit tek Allahu. Një veprim tjetër i shëndetshëm për mua është edhe agjërimi i muajit të Ramazanit. Qëndrimi pa ngrënë një pjesë të ditës më qetëson dhe më jep mundësinë të djeg ca yndyrna.
Indi muskulor i cili ndërton strukturën time është projektuar si një top fibrash të mbështjella, në mënyrë që unë të funksionoj më së miri pa e ndryshuar formën ndërsa tkurrem dhe lëshohem. Muret e mia kanë dy shtresa të trasha për të më mbrojtur nga fërkimi me brinjët e kafazit të kraharorit. Ndërmjet dy shtresave gjendet një lëng i cili lubrifikon sipërfaqet që fërkohen. Çfarë mrekullie Beni, e kush mund të projektojë diçka të tillë kaq bukur?
Ashtu si motori me katër cilindra i një makine, unë punoj si një pompë me katër dhoma. Dhomat e sipërme quhen atriume. Atriumi i djathtë mbledh gjakun venoz me dioksid karboni ndërsa i majti gjakun arterial të pasur me oksigjen. Forca muskulore e këtyre dhomave është relativisht e vogël, por e mjaftueshme për të dërguar gjakun në dhomat e tjera më poshtë. Për sa i përket dhomave të tjera që quhen ventrikuj, ata kanë mure më të trasha dhe muskuj më të fuqishëm. Atyre iu është dhënë aftësia të pompojnë gjakun me presion të madh. Për më tepër, ventrikuli i majtë ka mure akoma më të trashë me muskuj shumë të fuqishëm sepse ai do të pompojë gjakun në të gjithë trupin me presion të lartë. Falë arteries më të madhe të trupit të quajtur aorta, unë dërgoj gjak në çdo organ me shpejtësi dhe në sasinë e duhur. Saktësia dhe përllogaritja e kohës së tkurrjes është shumë e rëndësishme për mua. Po ashtu, hapja e valvulave në momentin e duhur do të çojë gjakun në dhomën e poshtme ose në arteriet kryesore dhe mbyllja e tyre po në momentin e duhur parandalon kthimin e gjakut prapa. Të gjitha këto veprime kërkojnë saktësi të lartë e cila mundësohet nga prodhimi ritmik i një impulsi elektrik nga nyja atrio-ventrikulare. Nëse diçka nuk shkon me koordinimin e valvulave të mia ose nëse ato nuk mbyllen plotësisht nga yndyra apo kalçifikimi atëherë gjaku kthehet prapa dhe shfaqen probleme që mjeku i quan sëmundje. Për të parandaluar kthimin prapa të gjakut, valvulat janë të pajisura me disa korda të fiksuara mirë në muret e ventrikujve.
Ndoshta ti nuk je i vetëdijshëm për të gjitha këto, por unë e vazhdoj punën edhe kur ti je në gjumë. Normalisht, unë mund ta ndryshoj ritmin tim në kohë të ndryshme sipas aktivitetit që ti bën. Kur je në gjumë unë punoj më ngadalë ndërsa kur je duke vrapuar apo duke bërë një lojë futboll punoj më shpejt. Po mendon kush është karburanti im? Ato që përdor më shpesh janë acidet yndyrore dhe sheqernat. Falë metabolizmit tim të veçantë nuk lodhem kurrë. Unë pushoj vetëm një moment të shkurtër ndërmjet dy rrahjeve që është sa një e dhjeta e sekondës. Urdhri i impulsit nxitës duhet të jepet me përpikëri të lartë në mënyrë që të gjithë muskujt e mi të fillojnë tkurrjen në të njëjtën kohë dhe forca e hedhjes së gjakut të jetë maksimale. Në fakt as unë vetë nuk e di sesi rregullohet kjo kohë ndërmjet rrahjeve në aktivitete të ndryshme. Një grup i vogël qelizash prodhon sinjalin elektrik nxitës, por megjithëse këto qeliza më nxisin mua vetvetiu unë nuk jam plotësisht e pavarur. Më i rëndësishmi nga faktorët që ndikojnë mbi mua janë nervat që vijnë nga truri. Prandaj, frika, zemërimi dhe mërzitja që ti përjeton, më pezmatojnë edhe mua. Kjo duhet të jetë arsyeja pse njerëzit më kanë mua në qendër të emocioneve të tyre. Megjithëse, zemërimi dhe mërzitja fillojnë në tru, unë jam vendi ku emocionet marrin jetë dhe zhvillohen.
Beni, më lejo të të bëj një pyetje të thjeshtë: “Televizorin që ti ke përballë e ka projektuar një inxhinier, apo jo? Revistën që ti ke në duar e kanë shkruar dhe botuar njerëz profesionistë, apo jo? Pra për çdo gjë paska një mjeshtër që e bën, apo jo? Po mirë, a nuk duhet të ekzistojë një Mjeshtër, i cili të jetë aq i dijshëm për të më krijuar dhe projektuar mua dhe enët e gjakut dhe të më vendosë në kraharorin tënd? Prandaj, i dashur Beni, erdhi koha të fikësh televizorin dhe ashtu siç unë plotësoj detyrën time çdo ditë për të të mbajtur ty gjallë, edhe ti gjithashtu duhet të vësh mënjanë10 minuta për të falur namazin dhe për t’ju lutur Allahut, Krijuesit të trupit tënd kaq të përkryer. Ndërkohë edhe mua më jepet rasti të çlodhem dhe të qetësohem nga lodhja e përditshme.
Në këto pak rreshta Beni, të kam treguar ndoshta vetëm një grimcë të përbërjes dhe punës sime të mrekullueshme dhe të përpiktë. As unë, as mjekët dhe shkencëtarët nuk i zotërojnë të gjitha njohuritë për të shpjeguar çdo punë timen. Kështu miku im, duhet të mësosh të thuash: “Sa bukur është bërë,” në vend të, “Sa e bukur është.”
/Irfan Yilmaz/
/Përktheu: Erion Sukaj/