Jahjaga mund të ketë fatin e Pacollit

Jahjaga mund të ketë fatin e Pacollit

Atifete Jahjaga ka gjasa të shkojë në shtëpi si shkelëse e Kushtetutës, ashtu sikurse dy paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli.

Emërimi i Blerim Shalës si Koordinator për dialogun me Serbinë pritet t’i shkaktojë telashe serioze Presidentes së Republikës.

Burime diplomatike i kanë thënë Gazetës Express se nëse rasti shkon në Gjykatën Kushtetuese, gjasat janë të mëdha që Atifete Jahjaga të shpallet shkelësja e radhës e aktit më të lartë politik dhe juridik të vendit.

“Rasti është mjaft serioz”, ka thënë diplomati i cili foli në kushte anonimiteti për Express.

Por, për të shkuar rasti në Gjykatë nevojitet të mblidhen nënshkrimet e tridhjetë deputetëve.

LDK dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë mundësinë për ta dërguar në Gjykatë emërimin e Blerim Shalës si Koordinator për dialog, të bindura se me këtë akt Presidentja shkeli Kushtetutën.

Zyrtarët e partisë së dytë dhe të tretë opozitare kanë thënë se janë në proces të shqyrtimit të vendimit të Presidentes, e cila ka emëruar deputetin e AAK-së në postin e bashkërenduesit të dialogut me Serbinë.

Menjëherë pas këtij vendimi, Blerim Shala është akomoduar në një zyrë në ndërtesën e Qeverisë, ku i është ndarë paga prej 1 mijë e 30 eurosh si dhe i është mundësuar të ketë këshilltar, asistente dhe shofer