Ja çka bëjnë engjujt

0
299

Të krijuar prej drite, në natyrën e tyre duket se drita është bazë. Engjëlloritet do të thotë mision profetik (këshillues, paralajmërues), përfaqësim, kujdestari, vëzhgim, dorëzanësí, roje mbi një punë dhe miratim i saj, zbritje prej një lartësie, etj. Në kuptimin absolut të fjalës, engjëjt janë grupi i përfaqësuesve shumë të shenjtë hyjnorë që krijon lidhje midis botës së madhe (hyjnore) dhe botës së vogël (materiale), që kryen detyra përfaqësimi, që sjell lajme, që na e përkëdhel dhe na e formëson zemrën (ndjesitë), etj. Me fytyrën të orientuar kah bota tjetër dhe të ngarkuar më shumë me detyra të botës tjetër, engjëjt vëzhgojnë dhe duartrokasin veprimtarinë e Zotit në të dy botët.

Engjëjt nuk i përkasin vetëm botës tjetër; ata kanë edhe trupa prej drite të posaçëm për vete, por që janë prej drite dhe të tejdukshëm. Prandaj, cilësia e tyre përshkuese e vepruese është tejet e shpejtë dhe e përsosur. Ata zënë vend brenda ninëzës së syrit, i japin mundësi të shohë dhe i tregojnë gjëra të bukura. Ata hyjnë në zemrën e profetëve dhe njerëzve të urtë me kuptime të veçanta dhe, në botën e bimëve dhe kafshëve, me kuptime të veçanta. Frymëzimet që lindin në zemër, janë, në përgjithësi, drejtpërdrejt nga Zoti, disa herë, edhe nëpërmjet engjëjve.

Engjëjt “nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut; ata bëjnë ashtu siç urdhërohen” (Tahrim, 66:6). Kjo është një cilësi dhe një status i posaçëm për engjëjt. Njeriu kurrë nuk mund të bëhet si engjëjt. Në qëndrimin e tij duken ngjitje-zbritje dhe zigzage të vazhdueshme. Ndërkaq, njeriu, siç mund të fitojë një cilësi engjëllore, mbiengjëllore, edhe mund të bjerë nën nivelin e krijesave të paarsyeshme e të pavetëdijshme. Kurse pozita e engjëjve është e fiksuar. Meqë janë të krijuar prej drite, tek ta kurrë dhe në asnjë mënyrë nuk shfaqet kundërshtim dhe revoltë siç ndodh me njerëzit dhe xhindet. Engjëjt nuk kanë seks. Engjëjt nuk i kanë ndjenjat e këqija të zemërimit, furisë, urrejtjes, zilisë, smirës, etj. Gjithashtu, te ata nuk vihen re të metat që vihen re te njerëzit dhe xhindet. Ata janë të pafajshëm (inocentë) dhe të mbrojtur nga gabimet, të metat, fajet dhe mëkatet.

Engjëjt nuk hanë, nuk pinë, nuk uriten, nuk eten, nuk lodhen. Ata nuk i njohin këto ndijime. Ata nuk marrin shpërblim për punë, por në çdo urdhër të kryer në emër të Zotit ndjejnë një ëndje të hollë dhe një shije të këndshme. Megjithëse s’kanë kualifikim dhe grada, begatohen sipas gradës së adhurimeve që i bëjnë Zotit. Ashtu siç ushqehen njerëzit me ujë, ajër, dritë dhe ushqime të ndryshme, ashtu dhe engjëjt mbahen, ushqehen me adhurimet, afërsinë dhe dashurinë ndaj Zotit. Erërat e mira, aromat e këndshme e parfumore janë një lloj ushqimi për ta. Atyre u pëlqejnë aromat e këndshme dhe ndjejnë kënaqësi prej tyre. Me këtë rast le të kujtojmë se edhe i dërguari i Allahut, profeti Muhammed (s.a.s.) që e përfaqësonte natyrën e pastër në nivelin më të lartë, kënaqej nga erërat e mira, parfumore, dhe lyhej me to.

Engjëjt e kuptojnë më mirë se njerëzit individualitetin e lartë të Zotit dhe i njohin më mirë se ata emrat dhe atributet e Zotit. Por Zoti e ka krijuar njeriun më të përsosur se engjëjt si pasqyrë përgjithësuese të emrave dhe atributeve hyjnore, si botë ndjesore dhe jetë meditative.

Ne i njohim disa engjëj nga emrat dhe punët që bëjnë. Informacionin për ta e marrim edhe nga Kur’ani, edhe nga hadithet, porositë profetike. Kurse disa engjëj i njohim vetëm nga lloji i detyrës që kryejnë dhe nga titulli që u është dhënë të gjithëve bashkë. Por meqë rreth kësaj çështjeje për ta nuk ka ndonjë rrëfim, ne nuk njohim hollësi për emrat dhe zakonet e tyre.

Ne i njohim katër engjëjt e mëdhenj, Xhebrailin (a.s.), Mikailin (a.s.), Israfilin (a.s.) dhe Azrailin (a.s.), por nuk i njohim tetë engjëjt bartës të Arshit.

Veç katër engjëjve të mëdhenj njohim edhe engjëjt kerubinë, engjëjt muhejminë[6], vëzhguesin e xhennetit, Ridvanin, dhe rojen e xhehennemit, Malikun.

Njohim edhe “engjëjt shkrues” që interesohen për gjendjen e fetusit njerëzor, që shënojnë fjalët dhe sjelljet e çdo njeriu. Nga ana tjetër, siç thuhet në hadithet, porositë profetike, çdo besimtar ka 360 engjëj që e mbrojnë. Këta mbrojnë veçanërisht fëmijët dhe pleqtë. Ka engjëj që i tregojnë njeriut të mirën dhe dobinë, që luten dhe bëjnë pendesë për besimtarin, që i frikësojnë mohuesit dhe u fusin lëkundje në shpirt, ka engjëj që ndjekin kuvendet ku bëhet adhurim, ziqër dhe ku diskutohen çështje diturore të fesë, engjëj që ndërrojnë detyrë në namazet e mëngjezit dhe pasdites, që sodisin lutjet e të premteve, që dëgjojnë Kur’an dhe që krijojnë atmosferë qetësie dhe paqeje në këto mjedise.

Ka engjëj që falin namaz dhe marrin pjesë në lutje dhe adhurime të tjera.

Engjëjt Munkir dhe Nekir i shkojnë të vdekurit në varr dhe e marrin në pyetje.

Gjatë miraxhit, Profeti ka parë engjëj të mbetur qysh nga dita e krijimit, para madhështisë së Zotit, dikush në ruku, dikush në sexhde e dikush në këmbë.

Veç këtyre, ka, ndoshta, sa numri i molekulave në gjithësi, engjëj që vëzhgojnë lëvizjet e grimcave, rënien e shiut, rënien e meteorëve, lëvizjen e tokës, yjeve, sistemeve dhe galaktikave, çeljen e luleve dhe rritjen e frutave, përgjithësisht, të gjitha veprimtaritë krijuese e jetësore.

Çdo frymë do ta shijojë vdekjen! (A. Imran, 3:185) Çdo gjë është e përkohshme, vetëm Ai është i përjetshëm! (Rahman, 55: 26-27) Ky është një urdhër për çdo krijesë dhe engjëjt nuk bëjnë përjashtim nga ky urdhër. Në fund fare, edhe Azrailit do t’i thuhet: “Dorëzoje shpirtin tënd!” Megjithëkëtë, nëse ka krijesa të afërta të Zotit që do ta vazhdojnë jetën edhe pas kësaj, ne nuk mund t’i dimë.

Engjëjt, në mënyrë të veçantë engjëjt e mëshirës, nuk hyjnë në shtëpitë ku ka statuja, fotografi, qen dhe çanga, nuk u afrohen njerëzve të papastruar pas marrëdhënieve seksuale, njerëzve që kanë ngrënë gjëra me erë të rëndë e shqetësuese, si qepë, hudhra, presh, njerëzve që pijnë duhan dhe mund të thuhet se engjëjt ikin nga kundërmimet e rënda e të këqija. Ka rrëfime, sipas të cilave, engjëjt nuk shkojnë te njerëzit që presin marrëdhëniet me prindërit dhe të afërmit. Po qe se duam që engjëjt të jenë bashkë me ne, duhet të krijojmë për vete dhe për mjedisin tonë ato kushte që duan ata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here