Islami e do butësinë dhe e urren ekstremizmin

Falënderimi dhe madhërimi i plotë i qoftë Allahut, Krijuesit të gjithësisë, i Cili thotë në Kur’anin famëlartë:

فَبِمَا رَحْمَةٍ مِّنَ اللَّـهِ لِنتَ لَهُمْ ۖ وَلَوْ كُنتَ فَظًّا غَلِيظَ الْقَلْبِ لَانفَضُّوا مِنْ حَوْلِكَ ۖ فَاعْفُ عَنْهُمْ وَاسْتَغْفِرْ لَهُمْ وَشَاوِرْهُمْ فِي الْأَمْرِ ۖ فَإِذَا عَزَمْتَ فَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّـهِ ۚ إِنَّ اللَّـهَ يُحِبُّ الْمُتَوَكِّلِينَ ﴿١٥٩﴾

“Me mëshirën e Allahut u bëre i butë ndaj tyre dhe sikur të ishe i ashpër e zemër vrazhdë ata do të ishin larguar prej teje. Fali, kërko falje për ta, konsultoju dhe kur të vendosësh mbështetu Allahut, sepse me të vërtetë Allahu i do ata që i mbështeten Atij.” (Ali Imran: 159)

Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi të dashurin tonë, të Dërguarin e butë dhe të mëshirshëm, Muhammedin (a.s), i cili na ka porositur duke thënë:

“ إن الله رفيق يحب الرفق، ويعطي على الرفق ما لا يعطي على العنف، وما لا يعطي على ما سواه“

“Allahu është i Butë dhe e do butësinë. Ai jep për butësinë çfarë nuk jep për vrazhdësinë dhe çfarë nuk jep për diçka tjetër, përveç saj.” (Muslim)

Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi familjen e pastër të Pejgamberit (a.s), mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa herë që shfaqet në media diçka për Islamin, apo për myslimanët ajo patjetër shoqërohet me ndonjë pamje, apo koment duke dhënë imazhin se në këtë gjë ka ekstremitet. Ndikimi i medieve në këtë drejtim është aq i madh, sa që jo vetëm jo myslimanët kanë krijuar idenë se Islami është fe ekstremiste, por edhe në mesin e myslimanëve ka njerëz të prekur nga kjo lloj propagande.

Me të vërtetë, le të pyesim me sinqeritet dhe me çiltërsi: A është Islami fe ekstremiste? A i urdhëron Islami myslimanët për ekstremitet, apo për butësi? Çfarë thotë Zoti (xh.sh), i Cili e zbriti Islamin, në Kur’an për mënyrën se si duhet thirrësi, apo myslimani të ftojë dhe të sillet me njerëzit e tjerë jo myslimanë?

Gjëja e para që duhet të sqarojmë është të bëjmë dallimin dhe ndryshimin mes Islamit si fe dhe Shpallje nga Zoti (xh.sh) dhe myslimanëve si njerëz, të cilët janë në nivele dhe shkallë të ndryshme në kapjen dhe zbatimin e tyre të Islamit. Pra, do të flasim për natyrën e Islamit, të cilin e ka shpall Zoti (xh.sh) dhe e ka garantuar paprekshmërinë dhe vlefshmërinë e tij deri në Ditën e Kiametit dhe jo për natyrën e myslimanëve, të cilët i ka krijuar Zoti (xh.sh), por i ka lënë të lirë dhe u ka thënë: “Në qoftë se jeni korrekt në zbatimin e Islamit, Ai do t’ju ndihmojë juve.”

Dhe, kur njerëzit pretendojnë diçka, ose flasim për diçka, Allahu (xh.sh) na ka mësuar që t’u themi: “Thuaj: Sillni argumentet tuaja, në qoftë se jeni të vërtetë (në atë që thoni).”

Allahu i Madhëruar e bën shumë të qartë në Kur’an duke thënë: “Nuk ka dhunë, apo detyrim në fe.”, pra nuk bën të ushtrohet dhunë dhe forcë për t’i detyruar njerëzit të pranojnë Islamin. Madje, për ta përforcuar edhe më tutje këtë parim Ai (xh.sh) thotë përsëri:

وَلَوْ شَاءَ رَبُّكَ لَآمَنَ مَن فِي الْأَرْضِ كُلُّهُمْ جَمِيعًا ۚ أَفَأَنتَ تُكْرِهُ النَّاسَ حَتَّىٰ يَكُونُوا مُؤْمِنِينَ ﴿٩٩﴾

“Sikur të kishte dashur Zoti yt, nuk ka dyshim se të gjithë njerëzit në tokë, pa përjashtim do të kishin besuar. A, ti do t’i detyrosh njerëzit, në mënyrë që ata të jenë besimtarë? (Junus: 99)

Vëllezër dhe motra besimtarë, ekstremizmi dhe dhuna nuk janë cilësi të Islamit, ato i ka përjashtuar Allahu dhe i ka mohuar plotësisht nga Islami. Dhe, në qoftë se ndonjë njeri thotë që në Kur’an ka ajete që flasin për luftë, apo xhihad duke spekuluar shumë me këtë fjalë, neve atyre u themi që këto ajete janë për gjendjen e luftës, ashtu si çdo shtet në botë ka ligje për gjendje paqe dhe ka ligje për gjendje lufte dhe asnjë njeri i mençur nuk i përzien ligjet e paqes me ligjet e luftës. Pra, nuk mund të gjykohen një njeri në gjendje paqe me ligjet e luftës, ashtu që kur një shtet hyn në luftë ligjet e paqes anulohen dhe hynë në funksion ligjet e luftës.

Butësia, mëshira, paqja, mirësia, dialogu dhe këshilla e mirë janë esenca dhe zemra e Islamit. Çdo mysliman, i cili beson në Allahun (xh.sh) dhe pason të Dërguarin e tij, këto duhet të jenë edhe cilësitë e sjelljeve të tij.

Kur Allahu (xh.sh) i thotë Pejgamberit (a.s):

فَبِمَا رَحْمَةٍ مِّنَ اللَّـهِ لِنتَ لَهُمْ ۖ وَلَوْ كُنتَ فَظًّا غَلِيظَ الْقَلْبِ لَانفَضُّوا مِنْ حَوْلِكَ

“Me mëshirën e Allahut u bëre i butë ndaj tyre dhe sikur të ishe i ashpër e zemër vrazhdë ata do të ishin larguar prej teje.” (Ali Imran: 159), Ai ka treguar dhe ka bërë të ditur se butësia dhe mëshira i afron njerëzit dhe i bën ata të të duan.

Madje, edhe ndaj njerëzve zullumqar dhe diktatorë, Allahu i Madhëruar na mëson se edhe atyre duhet t’u flasim me butësi, sepse kjo mënyrë mund t’i bëjë ata të kujtojnë, apo të pendohen dhe të bëhen të devotshëm. Allahu (xh.sh) dërgoi Musain dhe Harunin (a.s) te Faraoni dhe i urdhëroi që ndaj tij të sillen dhe të flasim me butësi, duke u thënë:

اذْهَبَا إِلَىٰ فِرْعَوْنَ إِنَّهُ طَغَىٰ ﴿٤٣﴾فَقُولَا لَهُ قَوْلًا لَّيِّنًا لَّعَلَّهُ يَتَذَكَّرُ أَوْ يَخْشَىٰ ﴿٤٤﴾

“Shkoni te Faraoni, sepse ai me të vërtetë e ka tepruar. Thoni atij fjalë të buta, ndoshta përkujton, ose frikësohet.” (TaHa: 43-44)

Islami shkon edhe më larg, sa që edhe në qoftë se ndonjë njeri sillet ashpër dhe keq, e porosit myslimanin që t’ia kthejë me të mirë dhe të butë, sepse kjo gjë, pra butësia dhe mirësia edhe armikun më të egër e kthen në mikun më të ngushtë:

وَلَا تَسْتَوِي الْحَسَنَةُ وَلَا السَّيِّئَةُ ۚ ادْفَعْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ فَإِذَا الَّذِي بَيْنَكَ وَبَيْنَهُ عَدَاوَةٌ كَأَنَّهُ وَلِيٌّ حَمِيمٌ ﴿٣٤﴾

“Nuk janë të barabartë e mira dhe e keqja. Ktheje në mënyrën më të mirë, sepse mes teje dhe atij që ke armiqësi, do të bëhet miku më i ngushtë.”(Fusilet: 34)

Allahu Ekber, ky është Islami me mësimet e tij, të cilat myslimanët i kanë harruar dhe i kanë hedhur pas shpine, prandaj në vend që t’i shtojnë miqtë dhe shokët, po shtojnë armiqtë dhe kundërshtarët. Allahu (xh.sh) i tregon se si t’i përfitojnë zemrat e njerëzve dhe t’i bëjnë ata shokë e miq, ndërsa myslimani dëgjon epshet dhe cytjet e shejtanit duke e kthyer të keqen me të keqe, ose edhe me më të keqe. E, çfarë suksesi, mbarësi dhe ndihmë ka një njeri, i cili nuk vepron sipas fjalës së Allahut, por dëgjon fjalët e shejtanit?

وفي الصحيح أن النبي قال: “ما كان الرفق في شيء إلا زانه، وما نزع من شيء إلا شانه”.

“Sa herë që butësia hyn në diçka, ajo e zbukuron atë dhe sa herë që ajo hiqet prej saj, veçse e shëmton atë.” (Sahih)

Ejani dhe të dëgjojmë se çfarë na porositë i dashuri ynë, Pejgamberi (a.s), se si duhet të sillemi me njerëzit, me ata që na duan, por edhe me ata që na urrejnë.

Transmetohet se disa hebrenj erdhën te Pejgamberi (a.s) dhe e përshëndetën duke i thënë: “Es-samu alejk” që do të thotë: Vdekja qoftë mbi ty. Pejgamberi (a.) ua ktheu: “Ve alejkum”, gjithashtu edhe mbi ju. Ndërsa, Aisheja (r.a) u tha: Vdekja qoftë për mbi ju,gjithashtu edhe mallkimi dhe zemërimi i Allahut qoftë mbi ju. Pejgamberi (a.s) i tha Aishes: “Ngadalë, o Aishe. Duhet të jesh e butë dhe jo e ashpër dhe me fjalë të këqija.” Ajo i tha: A nuk i dëgjove se çfarë thanë? Ai (a.s) tha: “Po ti, a nuk dëgjove se çfarë thashë? Ua ktheva përgjigjen dhe mua më pranohet lutja ndaj tyre, ndërsa atyre nuk i pranohet lutja ndaj meje.”Pastaj Pejgamberi (a.s) përsëri i tha: “O Aishe, Allahu është i Butë dhe e do butësinë. Ai jep për butësinë çfarë nuk jep për vrazhdësinë dhe çfarë nuk jep për diçka tjetër, përveç saj.” (Muslim)

Le të dëgjojmë edhe disa shembuj prej paraardhësve tanë të devotshëm dhe të urtë, të cilët përdornin butësinë në fjalët dhe në sjelljet e tyre.

مر أبو الدرداء رضي الله عنه يوما على رجل قد أصاب ذنبا ، والناس يسبونه ،فنهاهم وقال : ( أرأيتم لو وجدتموه في حفرة ألم تكونوا مخرجيه منها..؟ قالوا : بلى قال رضي الله عنه : فلا تسبوه إذا ، وحمدوا الله الذي عافاكم قالوا : أنبغضه..؟قال رضي الله عنه : إنما أبغضوا عمله ، فإذا تركه فهو أخي\” مصنف عبد الرزاق 11/180 والزهد لأبي داود 1/248 وشعب الإيمان للبيهقي 5/290.

Ebu Darda (r.a) kaloi përpara një njeriu, i cili kishte bërë një gjynah dhe disa njerëz rreth tij po e shanin, Ebu Darda u tha: N.q.s këtë njeri do ta gjenit në ndonjë gropë, a do ta ndihmonit të dilte prej saj? Ata thanë: Po. Pastaj ai (r.a) tha: Atëherë pra, mos e shani, por falënderoni Allahun që ju ka mbrojtur prej gjynaheve. Ata i thanë: A ta urrejmë? Ai u tha: Urreni punën e tij dhe n.q.s e lë atë punë, atëherë ai është vëllai i juaj.

ويروى أن الخليفة المأمون وعظه واعظ فأغلظ له في القول فقال : يا رجل ارفق فقد بعث الله من هو خير منك إلى من هو شر مني وأمره بالرفق . فقال تعالى : { اذْهَبَا إِلَى فِرْعَوْنَ إِنَّهُ طَغَى }{ فَقُولَا لَهُ قَوْلًا لَيِّنًا لَعَلَّهُ يَتَذَكَّرُ أَوْ يَخْشَى } .

Transmetohet se një njeri shkoi te kalifi Me’mun dhe filloi ta këshillonte shumë ashpër, me fjalë të vrazhda. Kalifi i tha: O ti njeri, me butë. Allahu ka dërgoi dikën më të mirë se ti për te një njeri më i keq se unë dhe e urdhëroi të fliste butë, duke i thënë: “Shkoni te Faraoni, sepse ai me të vërtetë e ka tepruar. Thoni atij fjalë të buta, ndoshta përkujton, ose frikësohet.” (TaHa: 43-44)

خفف أعرابي صلاته فقام إليه علي رضي الله عنه بالدرة وقال أعدها، فلما فرغ قال: أهذه خير أم الأولى؟ قال: بل الأولى، قال: لم؟ قال: لأن الأولى صليتها لله عز وجل، وهذه فرقاً من الدرة نضحك علي.التذكرة الحمدونية لابن حمدون 3/209.

Një nomad e fali namazin shumë shpejt. Pasi e fali Aliu (r.a) shkoi tek ai me një shkop në dorë dhe i tha: Përsërite edhe një herë namazin. Nomadi u fal edhe një herë dhe Aliu (r.a) e pyeti: Cili namaz ishte më i mirë, ky, apo i pari? Nomadi i tha: Pa dyshim, i pari. Aliu i tha: Përse? Sepse të parin e fala për hir të Zotit, ndërsa këtë që fala tani prej frikës së shkopit.

Ndërsa Umer ibn Abdulazizi i thoshte djalit të tij, i cili i sugjeronte babait të tij të tregoj i ashpër ndaj njerëzve: “O biri im, nuk ka mirësi në një mirësi, e cila nuk vjen, vetëm se me shpatë!”

Të nderuar vëllezër dhe motra, Allahu (xh.sh) na ka ndaluar të flasim, apo të sillemi ashpër dhe me vrazhdësi. Po kështu edhe i dashuri ynë, Pejgamberi (a.s) na e ka ndalur një gjë të tillë. Prandaj, le t’i zbusim fjalët dhe zemrat tona me dy gjërat më të shtrenjta që kemi në fenë tonë, me Kur’an, fjalën e Allahut dhe me Sunetin e të Dërguarit të Tij, veprën e Pejgamberit (a.s) e kështu nuk kemi për të humbur kurrë. Butësinë le ta fillojmë me njerëzit tanë më të afërt dhe më të dashur, pastaj edhe ndaj njerëzve të tjerë, myslimanë, apo jo myslimanë kushdo qofshin ata, madje ndaj çdo lloj krijese dhe sendi që Allahu ka krijuar në këtë botë. Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë feja është e lehtë dhe çdo kush që ia vështirëson fenë vetes, ai e ka tepruar dhe nuk mund ta mbajë. Prandaj, mundohuni të bëni më të saktën e më të duhurën dhe përgëzoni…” (Buhariu).

وَتِلْكَ الْأَمْثَالُ نَضْرِبُهَا لِلنَّاسِ ۖ وَمَا يَعْقِلُهَا إِلَّا الْعَالِمُونَ ﴿٤٣﴾

“Dhe, këto shembuj i sjellim për njerëzit, por ato nuk i kupton, përveçse njerëzit e ditur.” (Ankebutë: 43)

O Allah, na i zbut fjalët dhe zemrat tona dhe na udhëzo në rrugën e drejtë! Amin