Detyra e prindit ndaj fëmijës

0
257
Girl (5-7) embracing father, close-up

Falënderimi i plotë i qoftë Allahut, Krijuesit të botëve, i Cili thotë në Kur’an: وَإِنَّهُ لَذِكْرٌ لَّكَ وَلِقَوْمِكَ ۖ وَسَوْفَ تُسْأَلُونَ ﴿٤٤﴾ “Me të vërtetë ky është përkujtim për ty dhe për popullin tënd dhe do të pyeteni për të.” (Zuhruf: 44).

Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi të Dërguarin tonë, Muhammedin (a.s), i cili ka thënë: “Çdo njëri prej jush është përgjegjës dhe secili do të pyetet për përgjegjësinë e tij.”

Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi familjen e Pejgamberit (a.s), mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin me drejtësi dhe urtësi në rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të jetë fëmija yt njeri i mirë dhe të jetë fëmija yt ashtu siç e dëshiron dhe e kërkon ti, kjo është kënaqësia dhe pasuria më e madhe për një prind në këtë botë, është me të vërtetë kënaqësia e syrit, ashtu siç na mëson Allahu (xh.sh) të lutemi duke thënë:

وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَامًا ﴿٧٤﴾

“Ata të cilët thonë: “O Zoti ynë, na dhuro kënaqësinë e syrit në gratë dhe pasardhësit tanë dhe na bën neve prijës për të devotshmit. (Furkan: 74)

Çdo punë të mirë që fëmija yt vepron në këtë botë, duke falë namaz, duke agjëruar, duke lexuar Kur’an, duke kërkuar dituri, duke urdhëruar për mirë dhe duke ndaluar nga e keqja, duke pasur moralin dhe sjelljen e mirë, një pjesë të sevapit dhe shpërblimit i kalon menjëherë prindit të tij, sepse ai e ka edukuar me edukatën e duhur fetare. Madje jo vetëm prej fëmijës tënd merr shpërblim, por edhe prej nipave dhe mbesave dhe gjithë pasardhësve të tyre deri në ditën e gjykimit. Për këtë kemi argument fjalën e Allahut (xh.sh) që thotë në Kur’an:

﴿ وَالَّذِينَ ءَامَنُوا وَاتَّبَعَتْهُمْ ذُرِّيَّتُهُمْ بِإِيمَانٍ أَلْحَقْنَا بِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ وَمَا أَلَتْنَاهُمْ مِنْ عَمَلِهِمْ مِنْ شَيْءٍ كُلُّ امْرِئٍ بِمَا كَسَبَ رَهِينٌ((21) سورة الطور(

“Ata të cilët besuan dhe pasardhësit e tyre i pasojnë duke qenë besimtarë, ata do t’i bëjmë bashkë në botën tjetër dhe atyre nuk do tua humbim asnjë punë. Çdo njeri është peng i punës së tij.” (Tur: 21)

Pejgamberi (a.s) na tregon se pasuria më e mirë, të cilën një njeri mund ta fitojë është fëmija i tij. Ai (a.s) thotë:

أفضل كسب الرجل ولده

“Pasuria më e mirë që një njeri fiton është fëmija i tij.”

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, me të vërtetë fëmijët janë kënaqësia e prindit, por në të njëjtën kohë ata janë edhe përgjegjësia e tij, për të cilën do të pyetemi përpara Zotit në Ditën e Gjykimit. Pejgamberi (a.s) na e ka treguar shumë bukur këtë gjë duke na thënë:

كلكم راع وكلكم مسؤول عن رعيته، فالإمام راع ومسؤول عن رعيته، والرجل راع في أهله ومسؤول عن رعيته، والمرأة راعية في بيت زوجها ومسؤولة عن رعيتها، والولد راع في مال أبيه ومسؤول عن رعيته، والخادم راع في مال سيده ومسؤول عن رعيته، وكلكم راع وكلكم مسؤول عن رعيته.

“Çdo njëri prej jush është përgjegjës dhe secili do të pyetet për përgjegjësitë e tij. Imami është përgjegjës dhe do të pyetet për përgjegjësitë e tij. Burri është përgjegjës dhe do të pyetet për familjen e tij. Gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe ajo do të pyetet për të. Fëmija është përgjegjës për pasurinë e babait të tij dhe ai do të pyetet për të. Punëtori është përgjegjës për pasurinë e pronarit të tij dhe ai do të pyetet për të. Prandaj çdo njëri prej jush është përgjegjës dhe secili do të pyetet për përgjegjësitë e tij.” (Buhariu)

Përgjegjësia, apo detyra e parë e prindit për fëmijën e tij është zgjedhja e nënës, sepse fëmija edukimin e parë e merr prej prindërve të tij përpara se të lind. Kështu që kur njeriu vendos të krijojë familje, le të shikojë se çfarë cilësish duhet të ketë gruaja, ose burri. Në qoftë se njeriu niset dhe vendos të zgjedhë si cilësi kryesore besimin, ai me të vërtetë ka bërë një zgjedhje të mirë për të ardhmen e fëmijëve të tij. Kur njeriu frymëzohet nga besimi, ai me ndihmën e Zotit do të ketë pasardhës të shembullit të Umer ibn Abdulazizit, sepse gjyshi i tij Umer ibnul Hatabi e martoi djalin e vet me një vajzë të varfër, por besimtare dhe e devotshme, e cila i tha nënës së saj, kur ajo e urdhëroi të mashtrojë: Oj nënë, në qoftë se Emiri i besimtarëve, Umeri nuk na shikon, Zoti i Umerit na shikon.

Në këto kohë që kanë ardhur edhe të jesh në një vend mysliman është e vështirë ta edukosh fëmijën tënd me edukatën e duhur islame, sepse manipulimi, mashtrimi, harami dhe veprat e këqija janë të pranishme kudo, madje ato kanë hyrë në çdo shtëpi, përmes televizorit, internetit, radios, celularit, gazetës, revistave, librave etj. Por, çfarë mendoni, sa e vështirë është të gjendesh në një vend perëndimor dhe ta edukosh fëmijën tënd me edukatën islame? Sigurisht që asgjë nuk është e pamundur, por ta dimë mirë, se neglizhenca më e vogël dhe çdo pakujdesi ndaj fëmijës tënd, ai rrëshqet prej rrugës së mirë dhe Zoti i di se ku përfundon në greminat e të ashtuquajturës liri e njeriut në perëndim.

Me këtë gjë nuk dua të them që myslimani e kanë të ndaluar të emigrojë, të jetojë dhe të punojë në një vend, i cili është larg ambientit islam, sepse ne dimë që toka është e Zotit dhe mund të jetojmë kudo në të, por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe kushdo që dëshiron ta ruajë besimin dhe fenë e tij, të fëmijëve dhe të pasardhësve të tij, le të kujtojë këtë porosi që një thirrës islam ia jep një çiftit në prag të martesës duke i thënë: Në qoftë se nuk garanton që fëmija i fëmijës së fëmijës tënd të jetë mysliman në këtë vend, atëherë më mirë ktheju nga ke ardhur dhe mos qëndro më këtu!

Ndoshta kjo thënie edhe mund të mos na pëlqejë, por duke u nisur nga ajo që thamë më sipër, për përgjegjësitë që kemi ndaj fëmijëve dhe pasardhësve tanë, ky është vendimi i duhur për atë që dëshiron të jetë së bashku me gjithë pasardhësit e tij në xhenet. Të mos harrojmë se Pejgamberi (a.s) ka thënë:

قال رسول الله صلّى الله عليه وسلّم :الرجل على دين خليله فلينظر أحدكم من يخالل(رواه الترمذي وقال حديث حسن ) والحاكم وصحّحه

“Njeriu është në fenë e atij me të cilin shoqërohet, prandaj le të shikojë çdo kush se me kë shoqërohet.” (Tirmidhiu dhe Hakimi)

Megjithatë, ne gjendemi në këtë vend dhe duhet të përpiqemi maksimalisht që fëmijët tanë të edukohen me besimin dhe fenë tonë islame. Dhe gjithmonë shembulli më i mirë është i dashuri ynë, Pejgamberi (a.s), i cili edhe pse njeriu më i devotshëm dhe adhurues në botë, ai gjente kohë për të luajtur dhe për tu marrë me edukimin e fëmijëve. Dëgjoni më vëmendje se çfarë metode na mëson Pejgamberi (a.s) për edukimin e fëmijëve tanë, i cili transmetohet se ka thënë:

لاعب ولدك سبعاً، وأدبه سبعاً، وراقبه سبعاً، ثم اترك حبله على غاربه

“Luaj me fëmijën tënd deri në shtatë vjeç, edukoje shtatë vjet, mbikëqyre shtatë vjet, pastaj lëre të lirë të shkojë ku të dojë.”

Prandaj, a sillemi me fëmijët tanë në këtë mënyrë? A i kushtojmë atyre kohën e duhur? A shoqërohemi me ta dhe shkojmë së bashku në zbavitje, apo në lojë? A i marrim në xhami kur vijmë për tu falur? A ua mësojmë atyre detyrat dhe mësimet e fesë? E të tjera, e të tjera pyetje, të cilat prindi i mirë duhet t’ia bëjë për ditë vetes, në mënyrë që fëmija i tij të jetë pasuria dhe kënaqësia e tij në këtë botë.

Të nderuar vëllezër dhe motra, pjesa më e madhe e gabimeve të fëmijëve janë për shkak të gabimeve të prindërve të tyre, sepse kur prindi është me besim të fortë dhe i edukuar mirë, edhe fëmija do ta ndjek babanë, ose nënën e tij.

Vërtetë Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Mësojini fëmijët të falen që në moshën shtatë vjeçare dhe kur ata mbushin dhjetë vjeç, atëherë bëjani detyrë të falin namazin”, por në qoftë se prindi nuk falet për veten e tij, si do ta mësojë fëmijën e vet të falet?

Vërtetë Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Nderoni fëmijët tuaj dhe edukojini mirë ata”, por në qoftë se prindi nuk është i ndershëm dhe i edukuar, si do të nderohet dhe të edukohet fëmija i tij?

Me të vërtetë njeriu mburret dhe krenohet me pasurinë dhe me fëmijët e tij dhe Allahu na tregon në Kur’an se pasuria dhe fëmijët janë kënaqësi e kësaj bote duke thënë: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, ndërsa, të qëndrueshmet, veprat e mira ato janë më të mirat shpërblime dhe shpresa te Zoti yt.” (Kehf: 46)

A e lexojmë ndonjëherë Kur’anin e të gjejmë në të porositë për fëmijët tanë? A e kemi lexuar ndonjëherë suren Lukman dhe të marrim mësim prej porosive që një prind duhet t’i japë fëmijës së tij? Dëgjoni se çfarë e porositë Lukmani djalin e tij:

يَا بُنَيَّ لَا تُشْرِكْ بِاللَّـهِ ۖ إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ ﴿١٣﴾

“O biri im, mos i bë shirk Allahut, sepse shirku është padrejtësi e madhe.”(13) Pra, babai e mëson të birin e tij adhurimin e pastër të Zotit Fuqiplotë.

يَا بُنَيَّ إِنَّهَا إِن تَكُ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِّنْ خَرْدَلٍ فَتَكُن فِي صَخْرَةٍ أَوْ فِي السَّمَاوَاتِ أَوْ فِي الْأَرْضِ يَأْتِ بِهَا اللَّـهُ ۚ إِنَّ اللَّـهَ لَطِيفٌ خَبِيرٌ ﴿١٦﴾

“O biri im, n.q.s ajo punë e jotja është sa grimca dhe ajo ndodhet nën shkëmb, ose në qiell, apo në tokë, atë Allahu do ta sjellë. Me të vërtetë Allahu është i Butë dhe i Gjithënjohur.” (16) Babi e mëson djalin e tij se Zoti e vështron në çdo moment njeriu dhe Atij nuk i fshihet asgjë.

يَا بُنَيَّ أَقِمِ الصَّلَاةَ وَأْمُرْ بِالْمَعْرُوفِ وَانْهَ عَنِ الْمُنكَرِ وَاصْبِرْ عَلَىٰ مَا أَصَابَكَ ۖ إِنَّ ذَٰلِكَ مِنْ عَزْمِ الْأُمُورِ ﴿١٧﴾

“O biri im, fale namazin, urdhëro për mirë, ndalo nga e keqja dhe duro fatkeqësitë. Këto janë prej gjërave madhore.” (17) Babai ia mëson djalit të tij detyrat dhe rrugën e suksesit në këtë botë.

وَلَا تُصَعِّرْ خَدَّكَ لِلنَّاسِ وَلَا تَمْشِ فِي الْأَرْضِ مَرَحًا ۖ إِنَّ اللَّـهَ لَا يُحِبُّ كُلَّ مُخْتَالٍ فَخُورٍ ﴿١٨﴾

“Mos e shtrembëro fytyrën përpara njerëzve dhe mos ec me mburrje nëpër tokë, sepse Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë dhe mburravecët.” (18) Babai e mëson të birin e tij si duhet të sillet ndaj njerëzve.

وَاقْصِدْ فِي مَشْيِكَ وَاغْضُضْ مِن صَوْتِكَ ۚ إِنَّ أَنكَرَ الْأَصْوَاتِ لَصَوْتُ الْحَمِيرِ ﴿١٩﴾

“Të jesh i matur në ecje dhe ule zërin kur të flasësh, sepse zëri më i urryer është zëri i gomarit.” (19) Babai e mëson të birin e tij si duhet të ecë dhe si duhet të flasë përpara njerëzve.

Vëllezër dhe motra besimtarë, në qoftë se duam që fëmijët tanë të na respektojnë dhe të na nderojnë në këtë botë dhe në botën tjetër, le tua mësojmë mirë këto porosi dhe të mos harrojmë që përpara se të kërkojmë prej fëmijëve tanë të na duan, të na nderojnë dhe të na respektojnë, duhet që ne t’i përmbushin detyrat tona ndaj tyre, tua tregojmë rrugën e drejtë dhe të sillemi mirë me ta dhe ky është sekreti i suksesit.

Kjo temë është e gjatë, delikate dhe shumë e rëndësime, por le ta mbyllim këtë ligjërata me disa porosi të Pejgamberit (a.s) për prindërit kudo që ata ndodhen:

أدبوا أولادكم على ثلاث خصال على حب نبيكم وعلى حب آل بيته وتلاوة القرآن )) أخرجه الطبراني عن علي]

“Edukojini fëmijët tuaj me tre gjëra: Dashurinë për të Dërguarin tuaj, për Ehli Bejtin e tij dhe për leximin e Kur’anit.” (Tabarani)

لأن يؤدب الرجل ولده خير له من أن يتصدق بصاع )) أخرجه الترمذي ]

“Për njeriun më mirë është të edukojë fëmijën e tij, se sa të japë sadaka.”(Tirmidhiu)

مَنْ عَالَ ثَلاَثَ بَنَاتٍ فأَدّبَهُنّ وَزَوّجَهُنّ وَأَحْسَنَ إِلَيْهِنّ فَلَهُ الْجَنّةَ

“Kushdo që rrit tre vajza, i edukon mira ata, i marton dhe sillet mirë ndaj tyre, atij njeriu i takon xheneti.”

مَنْ قَالَ لِصَبِيٍّ تَعَالَ هَاكَ ثُمَّ لَمْ يُعْطِهِ فَهِيَ كَذْبَةٌ)) أحمد

“Kushdo që i thotë fëmijës: Eja, merre këtë gjë dhe nuk ia jep atë, ajo gjë quhet gënjeshtër.” (Ahmed)

إذا مات الإنسان انقطع عمله إلا من ثلاث: صدقة جارية ، أو عمل ينتفع به أو ولد صالح يدعو له ))أخرجه مسلم

“Kur njeri vdes, atij i ndërpritet puna e tij, përveç tre gjërave: Sadakaja, vepra në të cilën ka dobi dhe fëmija i mirë, i cili lutet për të.”

O Zoti ynë, na udhëzo në rrugën e drejtë, na mbro neve dhe familjet tona dhe na i ruaj fëmijët tanë. Amin

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here