Historia e Nuhut alejhis selam.

0
225

Nuhu, babai i dytë i njerëzimit – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.

Njerëzimi, shumë kohë pas Ademit (alejhis selam) jetoi si një umet (popull) i pandarë,  në udhëzimin e Zotit të Lartësuar.

Por më pas u kundërshtuan dhe djajtë futën mes tyre lloj-lloj të këqijash, duke ndjekur për këtë mënyra të ndryshme:

Nga populli i Nuhut kishin qenë disa njerëz të mirë (të devotshëm) dhe për vdekjen e tyre ata ishin pikëlluar shumë. Shejtani u erdhi në një formë dhe i urdhëroi të pikturojnë portretet e tyre me qëllim që të ngushëllohen dhe të kujtojnë kohët që kishin kaluar me ta. Kjo ishte zanafilla e së keqes.

Kur u shua brezi që i kishte portretizuar me këtë qëllim, erdhën breza të tjerë,  ndërkohë që dija e tyre u përzje me gjëra të kota. Shejtani duke i nxitur u tha: Këto statuja që mbajnë emrat e Ueddit, Suvait, Jeguthit, Jaukës dhe Nesrit, të parët tuaj u luteshin, u kërkonin ndërmjetësim (tek Zoti), përmes tyre kërkonin shiun dhe largonin sëmundjet. Ai (shejtani) vazhdoi t’i nxiste derisa i ktheu tërësisht në adhurimin e tyre, edhe pse këshilluesit ua dhanë këshillat e tyre.[1]

Allahu dërgoi në mesin e tyre Nuhun (alejhis selam) të cilit ia njihnin sinqeritetin, besnikërinë dhe moralin e mirë. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij!” [A’rafë 59].

Ai i ftoi në të mirat e dynjasë dhe Ahiretit (botës tjetër) dhe u tha: “O populli im! Në të vërtetë, unë jam për ju një paralajmërues i qartë: që të adhuroni Allahun, t’i frikësoheni Atij e të më bindeni mua, me qëllim që Ai të falë disa nga gjynahet tuaja dhe t’ju lërë (të jetoni) deri në një afat të caktuar.” [Nuh 2-4].

Kur nisi ti ftonte që të ishin adhurues vetëm të Allahut, tu thoshte se mendimet që ndiqnin ishin të kota dhe kur filloi t’i frikësonte me dënimin e dunjasë dhe ahiretit, ata u përgjigjën duke thënë: “Ne të shohim ty në humbje të qartë”. [A’raf: 60]

“Shohim, që ty të vijnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare. Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne, madje ju quajmë  gënjeshtarë”. [Hud: 27].

Ata i kërkuan që t’i dëbojë besimtarët që qëndronin me të,  për shkak të mendjemadhësisë që kishin dhe mospërfilljes ndaj të vërtetës dhe njerëzve.

Nuhu u sqaroi:

– Se nuk është i humbur, por përkundrazi duke pasuar atë njerëzit do të ishin larg humbjes. Gjithashtu u tregoi se është i besueshëm, i mbështetur në fakte dhe argumente të qarta nga Zoti i tij.

–  U tregoi se besimtarët nuk mund të dëbohen, por përkundrazi ata meritojnë nderim dhe respekt.

– Gjithashtu u sqaroi se nuk pretendon të ketë ndonjë cilësi hyjnore, prandaj u tha: “Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo se e di të padukshmen. As nuk them se jam engjëll e as do t’u them atyre të cilët janë të nënçmuar në sytë tuaj se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire.” [Hud: 31].

Ai i ftoi ditën dhe natën, fshehurazi dhe haptas, e megjithatë thirrja e tij nuk u shtoi veçse largim. Madje porositën njëri-tjetrin për besnikëri në adhurimin e idhujve dhe të kapen fort pas tyre.

Nuhu tha:  “O Zoti im, ata më kundërshtuan mua dhe pasuan ata të cilëve pasuria e tyre dhe fëmijët e tyre nuk u sollën gjë tjetër veçse shkatërrim. Ata kurdisën një kurth të madh dhe thanë: ‘Mos i braktisni kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi Veddin, Suvain, Jeguthin, Jeukën, as Nesrin’!” [Nuh:21-23].

Nuhu (alejhi selam), kur pa se këshilla dhe përkujtimi i tij nuk po u bënte dobi atyre në asnjë formë dhe sa herë që vinte një brez ishte më i keq se ai që jetoi më parë: “Dhe Nuhu tha: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë!” [Nuh 26-27].

Allahu iu përgjigj lutjes së tij, e urdhëroi të ndërtonte anijen nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e Tij. Ai (Allahu) e mësoi ta ndërtonte atë (anijen) dhe ishte një nga mirësitë që Allahu u dhuroi njerëzve.

Merita e fillimit të kësaj pune (ndërtimit të anijes) i takoi Nuhut, me këtë ai arriti të përfitonte dobi jetësore dhe fetare, dobi të panumërta për çdo kohe. Allahu e njoftoi prerë, se ai popull do të përmbytet dhe nuk duhej t’i kërkonte për ta asgjë, sepse ishin popull zullumqarë.

Ai filloi të ndërtonte anijen dhe sa herë që kalonte pranë tij ndonjë grup nga populli i tij, talleshin me të. Ai u thoshte: “Nëse sot talleni me ne, ta dini se edhe ne do të tallemi me ju atëherë kur shkatërrimi të bjerë mbi ju.”

Allahu i shpalli Nuhut (alejhi selam): Kur të vijë ai moment dhe uji të gufojë nga sipërfaqja e tokës, pra kur e gjithë toka të gufojë në burime, derisa edhe zonat e largëta nga uji, merr një çift nga të gjitha llojet e kafshëve, mashkull dhe femër,  me qëllim që të mbetet raca e tyre dhe për faktin se ishte e pamundur të mbarteshin të gjitha (kafshët).

Urtësia e kërkoi që të jetonin këto kafshë, të cilat Allahu i kishte krijuar në dobi dhe në shërbim të njeriut. Gjithashtu e urdhëroi (Nuhun) që të mbante të gjithë ata burra dhe gra që kishin besuar.

Gjendja ishte e tillë: Atij nuk i besuan veçse pak njerëz! Allahu e urdhëroi që të merrte familjen e tij, me përjashtim të atyre ndaj të cilëve kishte mbaruar vendimi i Zotit se do të shkatërrohen. Kur i mbarti në anije të gjithë ata që u urdhërua,  u tha: Përmendeni emrin e Allahut, sa herë që ajo (anija) lundron apo ndalet. Sepse shkaqet, sado të mëdha të jenë, ato vijnë nga mëshira dhe butësia e Allahut dhe nuk plotësohen veçse me ndihmën e Allahut.

Kur erdhi momenti i caktuar,  Allahu e bëri tokën të gufojë nga burimet, e urdhëroi qiellin të zbresë shi të bollshëm dhe të furishëm dhe kështu uji i rënë nga qielli u bashkua me ujin e tokës dhe vërshoi në zonat e ulëta. Kështu niveli rritej e rritej duke mbuluar të gjitha lartësitë, derisa filluan të mbuloheshin deri edhe majat e maleve të larta, ndërsa anija lundronte bashkë me ta në dallgë si të ishin kodra, që e godisnin në të djathtë dhe në të majtë.

Në këto momente të llahtarshme, Nuhu pa djalin e tij mohues, i cili kishte qëndruar në fenë e popullit të tij dhe ishte distancuar nga feja e babait  të vet,  madje edhe në këto çaste mendoi të vepronte si shumë të tjerë nga populli i tij që largoheshin dhe merrnin arratinë nga uji i rrëmbyeshëm. Me keqardhje Nuhu e thirri duke i thënë: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” [Hud 42].

Atë e udhëhoqi mashtrimi, madje edhe në ato momente kur zemrat ishin gati të copëtoheshin nga frika e ndëshkimit – përveç zemrave të mbushura me besim: “(I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji” [Hud 43].

Nuk e menduan se uji do të arrinte deri mbi majat e maleve. Por Nuhu i tha: “Sot nuk ka strehim nga dënimi i Allahut, përveç atij që Ai e mëshiron!” [Hud 43].

As malet, as kështjellat, asgjë tjetër nuk të mbron (nga dënimi) përpos atij që e mëshiron Allahu. Mëshira e Tij në ato momente ishte caktuar vetëm për ata që hipën në anije bashkë me Nuhun (alejhis selam).

“Një valë në mes tyre i ndau.” [Hud: 43]. Dhe djali i tij përfundoi me ata që u përmbytën.

Allahu i përmbyti të gjithë mohuesit dhe e shpëtoi Nuhun dhe të gjithë besimtarët e tjerë. Kjo ngjarje ishte argument se ajo me të cilën u dërgua Nuhu, teuhidi, shpallja, ringjallja dhe feja në tërësi ishte hak (e vërtetë) dhe se ata që e kundërshtuan,  ishin në të kotën. Ishte një argument se shpërblimi në këtë botë u takon besimtarëve dhe kjo duke i shpëtuar dhe nderuar. Ndërsa mohuesit meritojnë shkatërrimin dhe nënçmimin.

Kur u arrit qëllimi madhor,  Allahu e urdhëroi qiellin që të ndalë shiun dhe tokën që të gëlltiste ujin që mbante. Uji filloi të pakësohej pak nga pak dhe ajo (anija) qëndroi – pasi që uji filloi tërhiqej – mbi Xhudij, pra mbi një mal të lartë që thuhet të jetë në zonat e Mosulit (në Irakun e sotëm). Ky është një fakt, se të gjithë malet janë përmbytur nga uji dhe i ka mbuluar tufani.

Nuhu u pikëllua për djalin e tij dhe iu lut Zotit me keqardhje dhe përgjërim: “O Zoti im, biri im është nga familja ime dhe premtimi Yt është i vërtetë.” [Hud: 45]. Më lejo ta marr familjen time, sepse Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve.

Zoti i tij i tha: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote.” [Hud 46]. Pra nga ata që u është premtuar shpëtimi, sepse Allahu i caktoi duke thënë: “Përveç atyre ndaj të cilëve është marrë vendimi (se do të përmbyten)” [Hud: 40].

“Vërtetë kjo është punë e keqe.” [Hud: 46]. Lutja që bëre për birin tënd që të shpëtojë, ndërkohë që ishte në fenë e popullit të tij. “Mos më kërko gjëra për të cilat ti nuk ke dije. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. [Hud: 46].j

Ky ishte një qortim për Nuhun (alejhis selam) mësim dhe këshillë që të mos e bënte një lutje të tillë, që realisht keqardhja e prindit e shtyu ta bënte. Gjatë lutjes nxitësi kryesor duhet të jetë dija, sinqeriteti dhe kërkimi i kënaqësisë së Allahut të Lartësuar.

Nuhu tha: “O Zoti im, kërkoj mbrojtje prej Teje nga kërkimi i asaj për të cilën nuk kam dije. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, unë do të jem nga të humburit. – Atëherë iu tha: ‘O Nuh, zbrit me përshëndetje prej Nesh dhe me bekime për ty dhe pasardhësit e atyre që gjenden me ty. Disa popujve (pas teje), Ne do t’u japim kënaqësi e pastaj do t’i godasë nga Ne dënimi i dhembshëm! (për shkak të mosbesimit të tyre)” [Hud: 47-48].

Atëherë Nuhu zbriti nga anija dhe Allahu e begatoi në pasardhësit e tij dhe i la që të fillonin një jetë të re. Djemtë e tij quheshin: Jafith, pasardhësit e të cilit u shpërndanë në lindje. Hami, pasardhësit e të cilit u shpërndanë në perëndim dhe Sam-i pasardhësit e të cilit u shpërndanë mes këtyre dyjave (lindjes dhe perëndimit).

Nuhu, qëndroi tek populli i tij njëmijë pa pesëdhjetë vjet (për 950 vjet i ftoi ata të adhuronin Allahun). Pas përmbytjes, ai jetoi aq sa deshi Allahu. Ai ishte nga Profetët më të zgjedhur dhe njëri nga Pejgamberët e vendosur,  që njerëzit do tu kërkojnë ndërmjetësim në Ditën e Gjykimit. Ai ishte Pejgamberi i parë që u dërgua tek njerëzit dhe babai i dytë i njerëzimit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

“Kisasul Enbija” (Historitë e Pejgamberëve) nga Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë).
Përktheu: Fatjon Isufi

 

[1] Buhariu në Saihun e tij me nr 4920 përcjell nga Ibn Abasi se për fjalën e Allahut që thotë: “Dhe thanë: ‘Mos i lini kurrsesi zotat tuaj! Mos e lini kurrsesi as Veddin, as Suvain, as Jeguthin, as Jaukën, as Nesrin’!” [Nuh 21-23]. Ka thënë: “Këto ishin emra të disa burrave të mirë nga populli i Nuhut. Kur ndërruan jetë, shejtani u erdhi dhe u tha: Vendosni disa idhuj në kuvendet e tyre ku ata rrinin dhe emërtojini me emrat e tyre. Në fakt kështu vepruan por nuk i adhuruan. Dhe në kohën kur brezi u ndërrua dhe dija u rrënua, ata filluan t’i adhuronin.”

Ibnul Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Shumë prej Selefëve kanë thënë: Kur ata ndërruan jetë, njerëzit filluan të qëndronin pandërprerë tek varret e tyre, më pas vendosën portretet e tyre. Pas një kohe të gjatë, filluan t’i adhuronin.

Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Brezat e parë i portretizuan figurat e tyre që t’i merrnin si shembull dhe të kujtonin veprat e tyre të mira, që të përpiqeshin (në adhurime) siç përpiqeshin ata dhe të adhuronin Allahun tek varret e tyre. Por më pas erdhën breza të tjerë që nuk e kuptuan qëllimin e tyre dhe shejtani i cyti duke u thënë: Të parët tuaj i adhuronin këto portrete dhe i madhëronin.” Për më tepër shih Fet’hul Mexhid 1/281,282.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here