Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Hudit (alejhis selam)

0
166

Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Hudit (alejhis selam)

1- Ja vlen të rikujtojmë dobitë e mëparshme që kemi përmendur tek historia e Nuhut (alejhi selam) e që janë të përbashkëta pothuajse tek historitë e të gjithë Profetëve.[1]

2- Allahu i Lartësuar me urtësinë e Tij na rrëfen ndodhitë e atyre popujve që jetuan pranë ose rreth gadishullin Arabik. Kjo për faktin se Kur’ani gjithmonë përmend (përdorë) mënyrat më efikase në këshillim. Nëse vëren me kujdes do të shohësh se si Allahu i Lartësuar i përdor këto këshillime në fromën më të dobishme. Pa dyshim edhe në zonat e largëta në lindje apo në perëndim të tokës, Allahu dërgoi Pejgamberë dhe ashtu sikurse Pejgamberët e përmendur në Kuran, edhe këta ishin të pajisur me argumente të ngjashme, dhe njësoj si të tjerët hasën në kundërshtime, nderime, apo edhe ndëshkime (nga populli).

Në çdo popull Allahu ka dërguar Pejgamberë, por ai na mundësoi të përfitojmë duke na kujtuar ata që kemi përreth dhe ato (ndodhi) që brezat i përcjellin njëri-tjetrit. Për më tepër, gjumët që shohim, ecja pranë vendbanimeve të tyre në çdo kohë, kuptimi i gjuhës dhe natyra e përafërt me natyrën tonë, e gjithë kjo jep dobi edhe më madhore. Madje është më parësore se sa të informohemi për ndodhitë e disa popujve që nuk kemi dëgjuar për ta asnjë lloj lajmi, që nuk e njohim gjuhën e tyre dhe që ngjarjet e tyre nuk kanë të bëjnë me ne, apo që përkojnë me atë që Allahu na tregon.

3- Nga e gjithë kjo dalim në përfundimin se përkujtimi i njerëzve me gjërat që i kanë më të arrira në mendjet e tyre, më të përshtashme për gjendjet e tyre dhe më të kuptueshme nga mendjet e tyre, kjo do të ishte më e dobishme se diçka tjetër, më parsësore nga këshillimet e tjera edhe pse mund të jenë të vërteta (të sakta), por është fakt se edhe e vërteta qëndron në grada të ndryshme.

4- Këshilluesi apo mësuesi nëse ecën në këtë rrugë dhe përpiqet që dijen dhe mirësinë ta përcjellë tek njerëzit me mënyrat (format) që ata i kuptojnë dhe nuk i bën që të largohen e që janë më të kuptueshme dhe më afër ngritjes së argumentit ndaj tyre, në këtë rast ai do përfitojë për veten dhe do u sjellë dobi edhe të tjerëve.

Allahu i Madhëruar e tregoi këtë fakt në fund të historisë së popullit të Adit duke thënë: “Edhe më parë Ne kemi shkatërruar vendbanime rreth jush e u kemi shpjeguar atyre shpalljet Tona.” D.m.th u sollën argumente në forma dhe mënyra të ndryshme “Që ata të mund të ktheheshin (në rrugën e drejtë). [Ahkaf 27]. Pra që përfitimi të ishte më i arrirë!

5- Ndërtesat e larta që ngrihen për mburrje, mendjemadhësi, luks apo për të treguar tirani ndaj njerëzve, konsiderohen prej veprave të nënçmuara të trashëguara nga popujt tiranë. Allahu i Lartësuar kur rrëfen ndodhinë e Adit dhe mospëlqimin e Hudit për veprimin e tyre thotë: “A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur, dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë? [Shuara 128,129].

6- Për ta përmbledhur mund themi se: Ndërtimet, kështjellat, fortifikatat, shtëpitë apo çfarëdo qofshin ato ndahen në: 1- Ndërtime që i kërkon nevoja dhe dihet se ato (nevojat) janë të ndryshme dhe të lloj-llojshme. Këto (ndërtime) konsiderohen prej gjërave të lejuara dhe me anë të nijetit (qëllimit) të mirë mund të arrihen mirësi të mëdha. 2- Ndërtime që përdoren si mburojë dhe fortifikatë nga e keqja e armiqve dhe vendstrehime me anë të të cilave ruhet shteti dhe vatani. Pra, diçka që u sjell dobi muslimanëve dhe i ruan nga e keqja! Ky lloj ndërtimi përfshihet tek ajo që quhet luftë në rrugë të Allahut dhe bën pjesë në urdhërin që kemi për tu ruajtur nga armiqtë. 3- Ndërtime që përdoren për mendjemadhësi, mburrje, tirani ndaj njerëzve dhe harxhim pasurie, pasuri e cila realisht duhet të përdoret në gjëra të dobishme. Ky lloj i ndërtimit është i nënçmuar dhe mu për këtë Allahu nuk e pranoi për popullin e Adit dhe popujt e tjerë.

7- Mendja, logjika, zgjuarsia apo forca materiale, përfundimet dhe gjurmët që kanë të bëjnë me to edhe nëse janë madhore dhe peshojnë rëndë, ato nuk i bëjnë dobi njeriut veçse nëse i shoqëron me besimin në Allahun dhe të dërguarit e Tij.

8- Mohuesi i argumenteve të Zotit, përgënjeshtruesi i Profetëve edhe nëse i jepet një afat apo joshet pas kësaj bote duhet ditur se fund i tij është tragjik.[2] Dëgjimi, shikimi dhe logjika nuk kanë për ti bërë dobi asapak kur të vijë urdhëri i Allahut (dënimi). Për popullin e Adit, Allahu i Madhëruar thotë: “Ne i kishim bërë ata më të fuqishëm se ju[3] dhe u kishim dhënë atyre dëgjimin, shikimin dhe zemrën, por as dëgjimi i tyre, as shikimi i tyre e as zemra e tyre, nuk u sollën kurrfarë dobie, sepse mohuan shpalljet e Allahut; ata i goditi ajo me të cilën talleshin. [Ahkaf 26].

Si dhe në ajetin tjetër ku thotë: “Hynitë, që ata i adhuronin në vend të Allahut, nuk i ndihmuan aspak, kur erdhi urdhri i Zotit tënd dhe nuk iu shtuan atyre kurrgjë tjetër, përveç humbjes. [Hud 101].

“Historitë e Profetëve”

Shejh Abdurrahman es Seadi

Përktheu: Fatjon Isufi.

[1] Aludon në faktin se të gjithë Pejgamberët duke filluar me Nuhun e deri tek Muhamedi (alejhis salatu ues selam) ishin në unanimitet për thirrjen (e njerëzve) në monoteizmin e pastër dhe ndalimin e tyre nga shirku (idhujtaria).

[2] Përcillet nga Ukbeh bin Amir nga Profeti (alejhi salatu ues selam) se ka thënë: “Nëse vëren se Allahu i jep dikujt prej dunjasë çfarë të dojë edhe pse i zhytur në mëkate, dijeni se kjo është joshje (drejt shkatërrimit), më pas lexoi fjalën e Allahut që thotë: “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim. [En’amë 44]. Hafidh el Iraki në librin El Mugnij an Hamlil Esfar ka (3772) ka thënë: E përcjell Ahmedi, Taberaniu dhe Bejhakiu në Shuab el Iman me sened të mirë.

[3] Banorët e Mekës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here