Hajduti dhe njeriu i mençur

0
252

Një hajdut dhe grabitës karvanësh, kishte vënë mënjanë shumë pasuri, sigurisht, të fituara në rrugë të pandershme. Pavarësisht pasurisë së shumtë që kishte, ai nuk ndihej i lumtur. Mu për këtë, një ditë, mori rrugën dhe vajti tek një njeri i mençur dhe që gëzonte respektin dhe reputacionin e të gjithëve.
Pasi e përshëndeti i tha:”Kam ardhur të më tregosh si mund të fitoj lumturinë. Unë kam shumë pasuri dhe veç kësaj, kam dhe katërqind hajdutë që më binden dhe mund të më sjellin dyfishin e pasurive që kam. Megjithatë, vazhdoj të bëj një jetë të mjerë dhe të palumtur!”
Mjeshtri i urtësisë e mori dhe së bashku bënë një copë rrugë derisa mbërritën tek bregu i një kodre të lartë. Ai i bëri me shenjë tre gurë të mëdhenj dhe i kërkoi ti mbajë në krahë, teksa do të ngjiteshin kodrës.
Hajduti me nam vajti dhe i ngriti tre gurët, bëri disa hapa dhe thirri:”Mjeshtër! Janë aq të rëndë saqë mezi po i mbaj, jo më të ngjitem kodrës!”
Mjeshtri i kërkoi ta hedhë njërin gur, pastaj i bëri me shenjë ta ndjekë teksa ngjitej kodrës.
Pasi përshkoi një distancë të shkurtër, hajduti thirri:”Mjeshtër! Po me merret fryma dhe më lanë forcat! Nuk mundem të bëj as dhe një hap më tepër me këto dy gurë kaq të rëndë!”
I urti i kërkoi ta hedhë dhë njërin gur dhe të vazhdojë ngjitjen duke mbajtur vetëm njërin prej tyre tashmë.
Pasi përshkuan dhe një copë rrugë, hajduti u ndal për të tretën herë dhe i tha:”Mjeshtër! Pasha Zotin nuk mundem më! Më ra bretku dhe jam gati të shembem përtokë!”
Atëherë mjeshtri e urdhëroi të hedhë dhe gurin e tretë. Pasi u çlirua dhe nga guri i tretë, hajduti e ndoqi lehtësisht mjeshtrin deri në majën e kodrës.
Pasi u ngjitën në majë, mjeshtri i urtë i tha:”Të devijosh nga rruga e drejtë e rëndon në maksimum ndërgjegjen e njeriut. Ashtu siç nuk i mbaje dot tre gurët e rëndë teksa i ngjitesh kodrës, ashtu dhe ndërgjegja e rëndë nuk të lejon ti ngjitesh “kodrës” së lumturisë.”
Në momentin kur vihemi kundër vlerave, ndërgjegja jonë fillon e rëndohet, niveli i stresit fillon e rritet dhe pasiguria fillon e shtohet. Injorimi i zërit të ndërgjegjes për një kohë të gjatë e mbyt zërin e saj dhe e shndërron në diçka të vdekur, të pajetë. Rëndimi i ndërgjegjes me vepra të liga, rëndon jetën tonë, cenon lumturinë dhe cilësinë e jetës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here