Gëzimi i Allahut kur njeriu pendohet

0
278

Enes ibn Malik, shërbëtori i të Dërguarit të Allahut, përcjell: I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kur dikush pendohet, Allahu gëzohet më tepër se personi i cili rrëzohet nga deveja, ajo humbet në shkretëtirë dhe më pas ai e gjen atë.”

Shpjegimi i hadithit

Tek ky hadith profetik shenjat e mëshirës hyjnore demonstrohen në formën më të mirë e më të thjeshtë. Nëpërmjet këtij hadithi, njerëzit arrijnë të kuptojnë shumë mirë mëshirën e Allahut që ka përfshirë gjithçka, arrijnë të kuptojnë se Allahu është Falësi, Mëshiruesi, Pranuesi i pendesës dhe i Urti.

Në këtë hadith, Profeti (a.s.) na paraqet një skenë të ngjarjes të ilustruar në formën më të bukur; shkretëtirën, njeriun që ka hipur mbi deve, humbjen e devesë, ushqimit dhe ujit, kërkimin e ushqimit dhe ujit që janë baza e jetës sidomos për udhëtarin, më pas humbjen e shpresës për t’i gjetur ato, shtrirja nën hijen e pemës me shpresë të humbur duke pritur vdekjen, kur papritur ky njeri që i ka humbur shpresat e gjen devenë dhe bashkë me të ushqimin dhe ujin. Në këtë moment gëzimi e përfshin gjithë trupin e tij, e madhëron dhe e falënderon Allahun, mirëpo atë që dëshiron ta shprehë me zemër, e ngatërron me fjalët që i nxjerr nga goja. Por Allahu i Lartësuar ia fal këtë lapsus, sepse nuk ishte e qëllimshme, ai u shpreh gabimisht nga gëzimi që iu kthye shpresa.

Gëzimi i Allahut kur njeriu pendohet është shumë herë më i madh se gëzimi i këtij personi që e gjeti shpresën e humbur. Nëpërmjet këtij shembulli, Profeti (a.s.) dëshiron të na tregojë se mëkatarët asnjëherë nuk duhet ta humbin shpresën, por le të kthehen tek Allahu duke u penduar sinqerisht, sado i madh që të jetë mëkati. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: O robërit e Mi që e keni mbushur veten plot me mëkate, mos i humbisni shpresat nga mëshira e Allahut, sepse me të vërtetë Allahu i fal të gjitha mëkatet. Me të vërtetë Ai është Falës, Mëshirues.”[1]

Rregulla dhe dispozita fetare

A i lejohet njeriut që të udhëtojë i vetëm?

Ky hadith dëshmon se lejohet që njeriu të udhëtojë vetëm, sepse dhënia e shembujve nga ana e Profetit (a.s.) tregon për një gjë të tillë. Megjithatë në një hadith tjetër është transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një udhëtar është një shejtan, dy udhëtarë janë dy shejtanë, ndërsa tre persona quhen udhëtarë.”[2] Megjithatë, duke bërë përputhjen mes dy haditheve themi se lejohet që njeriu të udhëtojë vetëm, por një gjë e tillë është e papëlqyeshme (mekruh). Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!) thotë: [Ky hadith[3] tregon se është e rrezikshme që njeriu të udhëtojë i vetëm. Por këtu bëhet fjalë për ato udhëtime ku nuk shkel këmbë njeriu. Ndërsa për udhëtimet nëpër të cilat ka plot njerëz dhe ti udhëton vetëm pa ndonjë shoqërues, kjo nuk përbën problem, sepse ti megjithëse udhëton vetëm të duket vetja sikur je në mes të një vendbanimi. Si p.sh: kur shkon nga Kasimi për në Rijad apo nga Rijadi në Demam[4] ku përgjatë gjithë rrugës ka plot udhëtarë e kalimtarë. Në të vërtetë, ky udhëtim nuk konsiderohet vetëm. Ti je vetëm në makinë, por jo vetëm në udhëtim sepse përreth teje ka plot njerëz që shkojnë e vijnë.]

Mësimet e nxjerra nga hadithi

Pozita e pendimit tek Allahu i Lartësuar

Hadithi profetik e sqaron shumë mirë vlerën dhe pozitën e madhe që ka pendesa tek Allahu i Lartësuar, i Cili e pranon atë. Shiko se sa qartë dhe bukur shprehet Profeti (a.s.) në këtë hadith: “Kur dikush pendohet, Allahu gëzohet më tepër se personi i cili rrëzohet nga deveja, ajo humbet në shkretëtirë dhe më pas ai e gjen atë.” Kjo tregon se pranimi i pendimit nga Allahu është i menjëhershëm dhe se Ai me faljen dhe mëshirën hyjnore e pranon atë, madje më tepër se kaq, Ai gëzohet.

Në këtë thënie, Profeti (a.s.) e shëmbëllen pranimin e pendimit, kënaqësinë dhe mëshirën e pakufishme të Allahut të Lartësuar me personin të cilit i humb deveja në shkretëtirë, mjeti i transportit me të cilën duhet ta kalojë shkretëtirën. Pasi i kishte humbur shpresat dhe ishte shumë pranë vdekjes ai gjen devenë. Ai (a.s.) e jep këtë shembull për t’i nxitur njerëzit që të pendohen duke u hapur atyre portën e shpresës dhe mëshirës. Sepse Allahu është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi, Bujari që i nderon njerëzit duke ia pranuar pendimin. Kështu që, njerëzit duke u penduar tek Allahu e gjejnë shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër.

Hadithi aludon rreth bamirësisë së Allahut ndaj robërve të Tij që pendohen, sepse mëkatari bie pre e shejtanit dhe ushtarëve të tij, dhe nuk pret gjë tjetër veçse shkatërrimin. Kështu që, nëse Allahu ia pranon pendimin, del nga pesimizmi që e kishte kapluar dhe çlirohet nga vargonjtë e së keqes.

Gëzimi dhe lumturia e personit që gjeti devenë nuk mund të përshkruhet me fjalë, saqë ai nga gëzimi i madh u shpreh gabim. Kjo lumturi buron nga dëshira që ka ky person për të jetuar. Megjithatë, gëzimi i Allahut është më i madh se gëzimi i këtij personi, kur një njeri pendohet dhe kthehet tek Ai. Doktor Husejn Hashim thotë: “Gjetja e devesë i dha jetë këtij personi në këtë botë, ndërsa pendimi i dha jetë në botën tjetër. Pikërisht këtë gjë kërkon Allahu prej robërve të Tij që ata të pendohen e të kthehen tek Ai, që të jenë të shpëtuar në këtë botë dhe në botën tjetër.][5]

Shpëtimi i njeriut varet tek kryerja e urdhëresave dhe moskryerja e ndalesave. Mirëpo ndodh që njeriu nuk i kryen disa urdhëresa ose disa ndalesa i kryen, e si pasojë edhe mund të ndëshkohet në këtë botë dhe në botën tjetër. Prandaj Allahu i Lartësuar urdhëron e thotë në Kuranin Famëlartë: “Të gjithë, ju o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin.”[6]

Pikërisht për këtë arsye, pendimi zë një vend të rëndësishëm e të lartë tek Allahu, prandaj çdo besimtar duhet të kthehet e të pendohet tek Allahu.

2 – Dhënia e shembujve:

Dhënia e shembullit në këtë hadith është shumë e qartë. Imam El Kurtubi thotë: [Dhënia e shembullit konsiston në faktin se mëkatari ka rënë pre e kurtheve të shejtanit dhe është shumë pranë humnerës. Por duke qenë se ai pendohet tek Allahu, shpëton përfundimisht nga kurthet e shejtanit dhe Allahu me faljen dhe mëshirën e Tij e përfshin në amnistinë hyjnore.][7]

Përngjasimi dhe dhënia e shembujve lënë një shije të mirë tek dëgjuesit. Ato janë më të pranueshme sepse nguliten dhe rrënjosen më shumë në mendje. Me anën e shembujve zbulohet e vërteta dhe ato janë shumë kuptimplote e domethënëse.

Shembulli mund të jepet në rastin kur duhet për të motivuar njerëzit kur ata kanë nevojë, por mund të jepet edhe në rastin për të qortuar njerëzit kur ata kanë nevojë për një gjë të tillë. Shembulli jepet për të lavdëruar dikënd dhe jepet kur një njeri ka një cilësi të mirë, në mënyrë të atillë që edhe njerëzit e tjerë të shëmbëllehen me të.

Dhënia e shembujve ka vlera edukative dhe propaganduese, si: kuptimi është më i përafërt tek dëgjuesit, sepse njerëzit e kanë zakon që gjërat abstrakte ti shëmbëllejnë me gjërat e prekshme, sepse kështu e kanë më të lehtë për të kuptuar. Gjithashtu dhënia e shembujve zgjon ndjenjat dhe njeriu bëhet më aktiv. Njeriu nga vetë natyra që e ka krijuar Allahu gjithmonë anon nga dëgjimi i shembujve, sepse ato tingëllojnë shumë bukur në veshët e tij. Po ashtu ato janë një mjet bindës, sepse atë gjë që njeriu dëshiron ta tregojë e shëmbëllen me një gjë të njohur, dhe si rrjedhojë ajo është e pranueshme tek dëgjuesit.

3 – Motivimi:

Përmbajtja e këtij hadithi nënkupton motivimin e njeriut për t’u penduar tek Allahu i Lartësuar sa më shpejt. Është e ditur se tek njeriu ka shumë faktorë të jashtëm që ndikojnë negativisht që ai të neglizhojë ndaj detyrimeve fetare. Po ashtu njeriu është gatuar që ta dojë të mirën e të rendë pas saj, dhe në të njëjtën kohë e urren të keqen dhe dëshiron të rrijë shumë larg prej saj. Kështu që, motivimi për të fituar shpërblimin e Allahut nëse njeriu i bindet urdhërave të Tij, është një çështje që njeriu e dëshiron me gjithë zemër dhe përpiqet maksimalisht që ta arrijë atë.

Motivimi është përdorur në shumë ajete kuranore. Në suren “Bekare”, Allahu i Lartësuar i motivon besimtarët duke i përgëzuar me Xhenet. Ai thotë: “Përgëzoji ata të cilët kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira se për ta janë përgatitur xhenete poshtë të cilëve rrjedhin lumenj. Sa herë iu jepet një frut, ata thonë: Ne kemi ngrënë edhe më parë si ky frut. Atyre u jepet diç e ngjashme… ata aty janë përgjithmonë.”[8]Motivimi e shtyn njeriun që të jetë më i përkushtuar dhe ta adhurojë më shumë Allahun, sepse ai ka shumë dëshirë që të përfitojë nga premtimi i Allahut. Po ashtu motivimi rrit tek besimtari ndjenjën e durimit duke shpresuar që vuajtjet, mundimet dhe sakrificat në këtë botë t’i zëvendësohen me begati në botën tjetër.

Mësuesit, edukatorët dhe dijetarët e kanë për detyrë që në thirrjen e tyre të bashkojnë mes dy të mirave. Qortimi nuk është e vetmja mënyrë për të kuruar problemin. Përkundrazi, motivimi mund të jetë më efikas dhe më rezultativ. Ai i cili bën një analizë të Librit të Allahut dhe traditës Profetike do të dalë në përfundimin se metoda e motivimit është përdorur më shumë se metoda e qortimit; do të gjejë se motivimi është më i këndshëm dhe më i pranueshëm tek audienca.

Megjithatë, vlera dhe dobia e shpresës nuk shfaqet nëse ajo nuk shoqërohet me punë të mira. Shpresë nuk do të thotë që njeriu të zhytet në mëkate, të lërë pas dore kryerjen e adhurimeve, t’i hyjë na hak të tjerëve dhe të lërë mangët detyrimet që ka, pastaj të shpresojë që të shpëtojë nga Zjarri i Xhehenemit. Përkundrazi, njeriu duhet të punojë dhe të shpresojë, të përpiqet dhe të kërkojë, të sakrifikojë dhe të dëshirojë. Në të njëjtën kohë ai është i vetëdijshëm për mëkatet që kryen, por shpreson në faljen e tyre.

Nëse do të meditojmë në ajetet e Kuranit, do ta miratonim këtë fakt dhe do të besonim tek ky parim. Lexoni ajetin ku Allahu i Lartësuar shprehet: “Ata të cilët besuan dhe më pas emigruan dhe luftuan në rrugë të Allahut, shpresojnë mëshirën e Allahut. Allahu është Mëkatfalësi dhe Mëshiruesi.”[9] Lexoni gjithashtu ajetin tjetër kuranor ku Allahu i Lartësuar thotë: “Padyshim ata të cilët e lexojnë Librin e Allahut, e falin namazin dhe shpenzojnë fshehtazi apo haptazi nga ajo që iu kemi dhënë, shpresojnë tek një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë Ai është Falës dhe Falënderues.”[10] Po ashtu lexoni ajetin kuranor ku Allahu i Lartësuar thotë: “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që të ruhet prej botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij me jobesimtarin?! Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm ata që mendojnë i pranojnë këshillat.”[11]

Pra, besimtarët kanë “licencën”[12] e duhur për të shpresuar në mëshirën e Allahut.

Ngjallja e shpresës tek njerëzit

Besimtari duhet ketë parasysh që të ngjallë shpresën tek njerëzit si dhe ta kultivojë atë në zemrat e tyre. Në këtë hadith, kjo gjë vërehet mjaft qartë. Këtë e lexojmë në fjalët e Profetit (a.s.) i cili thotë: “Kur dikush pendohet, Allahu gëzohet më tepër se personi i cili rrëzohet nga deveja, ajo humbet në shkretëtirë dhe më pas ai e gjen atë.”

Nëse njeriu informohet për mëshirën e pakufishme të Allahut, pranimin e pendimin, shlyerjen dhe faljen e mëkateve “O ju të cilët keni besuar pendohuni sinqeritet të plotë të Allahu, sepse Zoti juaj do t’jua shlyejë mëkatet dhe do t’ju fusë në Xhenete poshtë të cilëve rrjedhin lumenj”[13]; nëse informohet se veprat e këqija zëvendësohen me të mira “Përveç atyre që pendohen dhe bëjnë vepra të mira. Të tillëve, veprat e këqija Allahu u zëvendëson me të mira. Me të vërtetë Allahu është Falësi dhe Mëshiruesi”[14];nëse informohet për gjëra të tjera të ngjashme, atëherë tek ai ngjallet ndjenja e shpresës dhe si rrjedhojë ai synon që të afrohet sa më shumë tek Allahu me punë të mira dhe nuk denjon që të zbresë në gradën e ulët të mëkateve.

Lapsusi nuk konsiderohet gabim

Nëse njeriu gabimisht thotë fjalë që nuk duhen thënë qofshin këto fjalë që flasin haptazi për kufër (mohim), atëherë këto fjalë nuk merren për bazë. Njeriu për të cilin flet ky hadith, nga goja e tij nxjerr fjalë që tregojnë për mosbesim. Fjalët “O Zot! Ti je robi im, kurse unë jam zoti yt”,padyshim janë fjalë që tregojnë për mosbesim. Por duke qenë se ato fjalë dolën gabimisht nga goja për shkak të gëzimit të madh, nuk merren për bazë dhe nuk konsiderohen mëkat. E njëjta gjë ndodh nëse njeriu shprehet gabimisht edhe për gjëra të tjera. Si p.sh.: nëse gabimisht pa ndonjë qëllim ofendon dikë. Në të tilla raste, personi nuk është përgjegjës dhe nuk konsiderohet mëkatar, sepse ato nuk kanë qenë të qëllimshme. I ngjashëm me këtë rast është edhe rasti i betimit pa qëllim. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ju dënon nëse betoheni pa qëllim, por ju dënon për atë që vendosni në zemrat tuaja.”[15]

Ndryshe është pozita e atij që tallet dhe bën shaka. Nëse ai që tallet shpreh fjalë që tregojnë për mosbesim, ai konsiderohet mosbesimtar edhe nëse është duke bërë shaka, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i pyet, ata do të përgjigjen: Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim. Thuaj: A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë pasi patët besuar.”[16]

Ai që tallet dhe bën shaka është shprehur qëllimisht, prandaj edhe është konsideruar mosbesimtar, ndryshe nga njeriu i cili shprehet gabimisht. Fjala e tij nuk merret parasysh.

Gëzimi është atribut i Allahut të Lartësuar

Ky hadith profetik pohon një prej atributeve të Allahut që është atributi i gëzimit, pasi Profeti (a.s.) thotë: “Kur dikush pendohet, Allahu gëzohet..” Dijetari i nderuar Ibnu Ebi El’iz El Hanefi thotë: “Ato atribute të cilat i ka pohuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, i pohojmë edhe ne, ndërsa ato atribute dhe cilësi të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë mohuar i mohojmë edhe ne.”[17]

Detyrë e çdo myslimani është që të pohojë cilësitë dhe atributet e Allahut të Lartësuar pa i shtrembëruar ato, pa i anuluar, pa i përshtatur dhe pa i shëmbëllyer duke u bazuar në thënien e Allahut në Kur’an: “Atij askush nuk i ngjan. Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.”[18]

Argumentet dhe dobitë e hadithit

– Vlera dhe pozita e lartë e pendimit

– Gëzimi i madh i Allahut kur njeriu pendohet dhe kthehet tek Ai.

– Mëshira dhe bujaria e pakufishme e Allahut ndaj robërve të Tij duke ia pranuar pendimin.

– Dhënia e shembujve që çështja të jetë më e prekshme për dëgjuesit.

– Motivimi dhe nxitja për t’u penduar.

– Njeriu nuk është përgjegjës nëse gabon pa dashje.

– Bereqeti i nënshtrimit të caktimit të Allahut të Lartësuar.

– Pas vështirësisë vjen lehtësimi e rrugëdalja.

Epilog

Vëlla i nderuar! Motër e nderuar!

A nuk ka ardhur koha që të pendohesh nga humbja e kohës?!

Sa kohë humb gjatë natës dhe ditës?

Sa herë të ndodh që ta harxhosh kohën e lirë kot në gjëra të padobishme

Sa kohë harxhon në internet, facebook, mesenxher, skype..etj?

Sa kohë harxhon duke luajtur në kompjuter e “Play station”?

Pas gjithë kësaj kohe të harxhuar kot, sa kohë i ke lënë adhurimit të Allahut?

Koha është flori dhe absolutisht nuk duhet të shkojë dëm. Profeti (a.s.) thotë: “Shumica e njerëzve kanë dy mirësi që nuk dinë t’i vlerësojnë: shëndetin dhe kohën e lirë.”[19]

A nuk ka ardhur koha që të pendohesh nga zararet e gjuhës?!

Çdo fjalë të cilën e nxjerr nga goja regjistrohet. Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu tre gjëra i urren tek ju; thashethemet, humbjen e pasurisë dhe pyetjet e tepërta.”[20] Bëj shumë kujdes nga fjalët që nxjerr nga goja sepse engjëjt janë në pritje për të shkruar ato gjëra që ti i thua dhe ti do të japësh llogari për çdo fjalë që e thua.

Pendohu tek Allahu për thashethemet, përgojimet, fjalët e pahijshme, të sharat, ofendimet dhe gjithçka tjetër me të cilën Allahu nuk është i kënaqur.

Madje, edhe zemra ka nevojë të pendohet

Foli zemrës që të pendohet nga pëlqimi i vetes, mendjemadhësia dhe egoizmi. Të gjitha këto janë sëmundje epidemike që e shkatërrojnë besimin dhe e shpien njeriun në zjarrin e Xhehenemit. Pëlqimi i vetes e fshin punën e mirë, mendjemadhësia e privon hyrjen në Xhenet dhe egoizmi është vrasje.

Nxito që të pendohesh sa më shpejt nga këto sëmundje dhe tregohu modest e i thjeshtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here