Besimi në kaderin sjell fryte madhështore, ndër to:
- Mbështetja tek Allahu i Lartësuar, kur merren shkaqet e një vepre, aq sa ka mundësi, e nuk u mbështetet vetëm shkaqeve, sepse çdo gjë që ndodh është kader i Allahut.
- Personi nuk vetëmahnitet kur arrin qëllimin e tij, ngase ajo arritje është begati prej Allahut të Lartësuar, sepse është Ai që i ka vendosur shkaqet e mirësisë dhe suksesit. Vetëmahnitja bën që të harrohet falënderimi ndaj kësaj begatie.
- Qetësia shpirtërore çfarëdo që i ndodh, ngase është kader i Allahut të Lartësuar. Kështu, për diçka që ai do, e të cilën nuk mund ta arrijë, nuk dëshpërohet. Gjithçka ndodh vetëm me caktimin e Allahut, të Cilit i përket dominimi i qiejve dhe i Tokës, e ajo që Ai ka caktuar, nuk mund të shmanget. Lidhur me këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë.” (El Hadid, 22-23).
Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Është për t’u çuditur me besimtarin. Çështja e tij është përplot mirësi dhe është e kësisojtë vetëm për besimtarin. Kështu, nëse e godet e mira, falënderon, gjë e cila është e mirë për të; nëse e godet ndonjë e keqe, duron, gjë e cila po ashtu është e mirë për të.” (Shënon Muslimi)
Dy sektet e devijuara lidhur me kaderin:
- a) Xhebritët, që thonë se njeriu është i detyruar në kryerjen e veprimeve të tij dhe se ndikimi i dëshirës dhe fuqisë (aftësisë) në kryerjen e tyre nuk ekziston.
- b) Kaderitët, që thonë se personi është i pavarur dhe ka liri të vullnetit dhe të fuqisë së tij në lidhje me kryerjen e veprimeve, dhe se vullneti e fuqia e Allahut nuk kanë ndonjë ndikim në veprat që kryen personi.
Argumentet për të kundërshtuar atë që thotë sekti i parë (xhebritët) janë të shumta, të pranishme në fe dhe në realitet.
Sa i përket fesë: Allahu i Lartësuar konfirmoi se njeriu ka dëshirë e vullnet dhe se ia ka bashkangjitur edhe veprimet. Allahu i Lartësuar thotë: “Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër.” (Ali Imran, 152).
Gjithashtu, Ai thotë: “Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë.” Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat.” (El Kehf, 29).
Po ashtu, Ai thotë: “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (Fussilet, 46).
Ndërkaq, sa i përket realitetit: Çdo person e di dallimin midis veprimeve që ai i bën me zgjedhjen e vet, si: të ushqyerit, të pirët, shitblerja etj. dhe gjërave që ndodhin pa dëshirën e tij, si: të rrëqethurit nga ethet, rënia prej ndonjë lartësie etj. Në rastin e parë, njeriu vepron në përputhje me zgjedhjen dhe me dëshirën e tij, pa u detyruar, kurse në rastin e dytë, ai as nuk zgjedh e as nuk e dëshiron atë që i ndodh.
E, për argumentet që e kundërshtojnë thënien e sektit të dytë (kaderive), janë të pranishme në fe dhe në logjikë.
Sa i përket fesë: Allahu i Lartësuar është Krijuesi i çdo gjëje dhe gjithçka ekziston me vullnetin e Tij. Allahu i Lartësuar e ka bërë të qartë në Librin e Tij se veprimet e njerëzve ndodhin në përputhje me vullnetin e Tij. I Lartësuari thotë: “Sikur të donte Allahu, njerëzit që erdhën pas të dërguarve nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së provave të qarta, por ata u përçanë: disa besuan, kurse të tjerët mohuan. Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë.” (El Bekare, 253).
Gjithashtu, i Lartësuari thotë: “Sikur Ne të donim, do t’ia jepnim secilit udhëzimin e tij, por do të përmbushet Fjala Ime: “Me të vërtetë, do ta mbush Xhehenemin me xhinë dhe njerëz bashkërisht!” (Es Sexhde, 13).
Ndërkaq, sa i përket logjikës: Tërë universi është nën zotërimin e Allahut të Lartësuar, pjesë e të cilit është edhe njeriu, që është rob i Allahut të Lartësuar, rrjedhimisht brenda zotërimit të Zotëruesit mund të veprojë vetëm atë që është në përputhje me lejen dhe me vullnetin e Tij.
SHPJEGIMI I BAZAVE TË BESIMIT IBËN UTHEJMIN