Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam- Historia e katërmbëdhjetë (Pjesa 3)

0
223

 

E njëmbëdhjeta: Marrja e shembujve është mënyrë profetike në qartësimin e vlerave të porosive të Allahut. Këtë e gjejmë në këtë hadith por e gjejmë edhe shumë qartë edhe në Kuran siç thuhet në ajetin: “Shembulli i atyre që marrin kujdestarë të tjerë veç Allahut janë si shembulli i merimangës e cila ka ndërtuar një shtëpi dhe shtëpia më e brishtë është shtëpia e merimangës, nëse janë që e dinë * Allahu e di mirë se kujt i luten veç tij. Ai është Triumfuesi dhe i Urti * Ne i marrim këto shembuj për njerëzit dhe nuk i kuptojnë ato veçse të dijshmit” suretu El-Ankebut: 41-43.
Shembujt e Kurani janë të shumtë. Allahu thotë: “Ne u kemi sjellë njerëzve çdo shembull në këtë Kuran që ata të kujtohen” suretu Ez-Zumer: 27.
Shembuj e kuranit dallojnë për nga ndërtimi se janë shembuj të qëlluar, me fjalë të zgjedhura dhe të përshtatura me tematikën që trajtohet.

E dymbëdhjeta: Teuhidi (njësimi i Allahut) është e para punë e robëve në rrugën për te Zoti i tyre dhe e drejta e Allahut ndaj robëve të tij. Kjo siç shihet në këtë hadith dhe në shumë shembuj të tjerë në Kuran është fillimi i thirrjes së e profetëve. Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Kemi dërguar te çdo popull një të dërguar që t’ju thotë: adhurojeni Allahun dhe largojuni tagutit” suretu En-Nahl: 36.

E trembëdhjeta: Shirku është padrejtësia më e madhe që i bëhet Allahut zotit të botëve sepse për mirësitë e tij të falënderohet dikush tjetër nuk ka shëmti më të madhe se ajo e aq më tepër kur të gjitha gjërat të cilat i shoqërohen atij në këtë botë nuk janë te ai veçse krijesa të tij të cilat nuk kanë në dorë asgjë.
Allahu i madhëruar kur do të tregojë për shëmtinë e shirkut në kuran, ai nganjëherë e bën këtë gjë duke treguar për veten e tij si i vetmi krijues, pronar dhe rregullator i kësaj bote dhe nganjëherë duke treguar për realitetin e dobët të atyre që i shoqërohen siç thotë në këto ajete:
“Ata të cilët i luteni veç tij nuk posedojnë prej pushtetit as sa cipëza e farës së hurmës. Nëse u luteni nuk e dëgjojnë lutjen tuaj dhe nëse e dëgjojnë nuk do t’ju përgjigjen dhe ditën e kiametit do të mohojnë shirkun tuaj. Askush nuk mund të informojë për diçka më mirë se ai që di çdo gjë” Suretu El-Fatir: 13-14.
“O ju njerëz do t’ju japim një shembull prandaj dëgjojeni me vëmendje: Ata të cilët ju u luteni atyre veç tij nuk krijojnë dot një mizë edhe sikur të bashkohen të gjithë për të. Nëse miza u merr atyre diçka nuk ia marrin dot asaj. Sa i dobët është edhe kërkuesi (idhujt) edhe i kërkuari (miza) * Ata nuk e njohin Allahun me fuqinë dhe madhështinë e tij ashtu siç është në të vërtetë. Allahu është i forti dhe triumfuesi” suretu El-Haxh: 73-74.

E katërmbëdhjeta: Namazi është preokupim me Allahun dhe nuk shkon gjatë tij asgjë tjetër që ska lidhje me të qofshin ato fjalë apo vepra apo edhe mosprezenca e zemrës etj.
Allahu në Kuran i ka lavdëruar në Kuran ata që falin namaz me përkushtim: “Kanë shpëtuar besimtarët. Atë të cilët në namazin e tyre janë të përkushtuar” suratu El-Muminun: 1-2.
Muhamed bin Sirini -Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Jam informuar se profeti -alejhi selam- kur falej nginte sytë nga qielli dhe për këtë gjë ka zbritur një ajet -nëse nuk është ajeti [Kanë shpëtuar besimtarët. Atë të cilët në namazin e tyre janë të përkushtuar] atëherë nuk e di se cili është- dhe e ka ulur kokën. Thuhej se ai nuk e zhvendoste sytë nga vendi i sexhdes” e transmeton Taberiu me zinxhir të saktë.
Në lidhje me këtë veprim kanë ardhur disa hadithe:
Profeti -alejhi selam- thoshte: “Do të ndalohen njerëzit nga ngritja e shikimit nga qielli në namaz ose do t’jua marrë Allahu” e transmeton Muslimi
Ai kur është pyetur për kthimin e kokës në namaz ka thënë: “Vjedhje e fshehtë që i bën Shejtani namazit të robit” e transmeton Buhariu.
Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon: “Ka ndaluar profeti -alejhi selam- nga tre gjëra në namaz: falja e namazit si gjeli kur ha farat, ulje si ulja e qenit dhe lëvizje e kokës si dhelpra” E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheikh Albani.
Madje me fjalët e Jahjës -alejhi selam- është shprehur edhe profeti -alejhi selam- në një hadith tjetër siç tregon Ebu Dherri -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu vazhdon të jetë i kthyer nga robi i tij në namaz përderisa nuk ka lëvizur kokën. Ai nëse e lëviz kokën, largohet prej tij” e transmeton imam Ahmedi e të tjerë dhe e saktëson sheikh Albani.

E pesëmbëdhjeta: Agjërimi është punë e veçantë për Allahun dhe është krahasuar me mbajtësin e miskut për dy arsye:
E para: Se është punë e fshehtë. Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: e ka krahasuar profeti -alejhi selam- agjërimin me mbajtësin e qeses së miskut sepse ajo është e mbuluar dhe mbahet poshtë rrobave siç e kanë zakon ata që e mbajnë miskun dhe kështu është edhe agjëruesi me agjërimin e tij i fshehur nga vështrimi i krijesave, nuk ia dallojnë dot shqisat e tyre.
E dyta: Për erën e gojës së agjëruesit e cila te Allahu ditën e kiametit është më e dashur se era e miskut.
Me fjalët e Jahjës -alejhi selam- është shprehur edhe profeti Muhamed -alejhi selam- në një hadith tjetër siç transmeton Ebu Hurejra -radiallahu anhu-: “Pasha atë që në dorën e tij është shpirti im era e gojës së agëruesit është te Allahu ditën e kiametit më e mirë se era e miskut” e transmeton Muslimi.

E gjashtëmbëdhjeta: Sadakaja është shpagim për njeriun nga gjynahet e tij dhe shkak për largimin e sprovave dhe të dënimit.
Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: Sadakaja ka ndikim të çuditshëm në largimin e sprovave edhe sikur të jetë nga një njeri i prishur dhe zullumqar madje edhe nga qafiri. Ajo largon shumë lloje sprovash dhe kjo është diçka e njohur nga të gjithë njerëzit: të thjeshtët dhe të veçantët. Të gjithë banorët e tokës e pohojnë këtë gjë sepse e kanë provuar.
Kjo sepse sadakaja shuan zemërimin e Zotit siç thotë profeti -alejhi selam- “Sadakaja e shuan zemërimin e Zotit” e transmeton Tirmidhiu e të tjerë dhe e saktëson sheikh Albani
Madje edhe shuan edhe gjynahet siç tregon profeti -alejhi selam-: “Sadakaja e shuan gjynahun siç e shuan uji zjarrin” e transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.
Prandaj dhe profeti -alejhi selam- thoshte: “O gra jepni sadaka nga stolitë tuaja se ju kam parë shumicën e banorëve të xhehenemit” e transmeton Buhariu dhe Muslimi, apo hadithi: “Ruajuni nga zjarri qoftë edhe me një gjysmë kokrre hurme” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

E shtatëmbëdhjeta: Shejtani është armik i madh i njeriut dhe se njeriu nuk ruhet dot prej tij veçse me përkujtimin e Allahut. Ai që shton shumë përmendjen e Allahut është gjithmonë më i ruajturi nga të këqijat dhe më i vullnetshmi për në punë të mira sepse ndikimi i shejtanit të ai është më i dobët.
Shejtani ndikon te njeriu kur ai është i shkujdesur. Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Thuaj! Kërkoj mbrojtjen e Zotit të njerëzve * Sundimtarit të njerëzve * Të adhuruarit të njerëzve * prej të keqes së ngacmuesit të madh dhe që fshihet * i cili ngacmon në shpirtrat e njerëzve * prej xhinëve dhe njerëzve” suretu En-Nas: 1-6.
Ibn Abasi në komentimin e ajetit thotë: “Shejtani ulet në gjunjë mbi zemrën e robit. Ai nëse shkujdeset e ngacmon dhe nëse përmend Allahut fshihet” e transmeton Taberiu.

E tetëmbëdhjeta: Kur vjen rasti i përshtatshëm shfrytëzoje. Këtë e përfitojmë nga veprimi i profetit tone -alejhi selam- i cili shfrytëzoji rastin e ngjarjes së Jahjës -alejhi selam- për të përcjellë te njerëzit pese mesazhe të tjera të Allahut. Kjo nëse profeti -alejhi selam- nuk e ka sjellë qëllimisht atë tregim për ti paraprirë pesë porosive të tija. Nëse profeti -alejhi selam- e ke sjellë atë qëllimisht atëherë prej veprimit të tij përfitohet se nëse do që fjala të jetë e pranueshme apo ti kushtohet rëndësia e duhur nga të tjerët, atëherë përgatitja asaj terrenin qoftë edhe me një parathënie nxitëse si kjo e profetit -alejhi selam-.

E nëntëmbëdhjeta: Porositë e profetit tonë kanë lidhje me ruajtjen e xhematit dhe unitetit mes besimtarëve dhe mesa duket fakti që vijnë pas porosive të Jahjes të cilat siç e thamë më lart janë baza e Adhurimit do të thotë se njeriu pasi të ketë formuar vetën si besimtar ngarkohet me detyrë që të ruaj xhematin, unitetit mes besimtarëve dhe të jetë i bindur ndaj prijësit të tyre.

E njëzeta: Ai që largohet nga xhemati ose ka mangësi në bazat e adhurimit, ose ka dyfaqësi në adhurime sepse profeti -alejhi selam- thotë [e ka hequr nga qafa e tij hallkën e islamit] dhe kjo nuk mund të ndodhe veçse në rast mangësish në adhurime apo në rast dyfaqësie.

E njëzeta e njëta: Parullat e kohës së injorancës janë thirrja e njeriut fisin e tij për ndihmë. Kur dikush e mundte tjetrin, i munduri i thërriste me sa fuqi kishte fisit të tij dhe ata vraponin për ta ndihmuar qoftë me të drejtë apo me të pa drejtë dhe kështu konfliktet asnjëherë nuk ndalonin. Këto parulla të dëmshme të asaj shoqërie islami i zëvendësoi me paraqitjen e çdo kujt para ligjit të drejtë të Allahut për të marrë atë që i takon. Nxjerrja e këtyre parullave në islam do të thotë prishje e xhematit dhe kthim në injorancë. Prandaj profeti -alejhi selam- thotë: [do të jetë me grupin e xhehenemit]. Ajo gjithashtu tregon edhe njëherë atë që thamë më lart ose mangësi në bazat e adhurimit ose dyefaqësi sepse profeti -alejhi selam- thotë: [edhe nëse falet, agjëron dhe pretendon se është mysliman].

E njëzet e dyta: Parulla e Allahut është të thirret: o myslimanë! Kështu ka thirrur Umer bin El-Khattabi kur është qëlluar për vdekje nga një mexhusi siç tregon El-Hasen El-Basrij -Allahu e mëshiroftë- se “Një natë prijësi i besimtarëve e kaloi duke biseduar pastaj doli për te myslimanët për tu faluar pasi ishte afruar koha dhe tha: o njerëz namazin! Njerëzit dolën për të marrë abdes dhe kur u thirr ikameti doli për të prirë. Atëherë ai i poshtri (mexhusiu) e qëlloi me një goditje që mbeti në mishin e trupit të tij pastaj e qëlloi prapë dhe i preku pjesët brendshme të trupit dhe e uli për toke. Ai thërriti: O myslimanë kapeni atë burrë!” e transmeton Ibn Shebbe me zinxhir të saktë.

E njëzet e treta: Duhen lënë emërtimet në emër të ndonjë medhhebi akidje, apo medhhebi fikhu, apo dijetari, apo grupacioni etj përveç emërtimit që ka përdorur Allahu dhe profeti i tij si psh: myslimanë, besimtarë dhe robë të Allahut sepse ato përçajnë ymetin. Kjo dobi përfshihet në fjalën e profetit -alejhi selam- në hadith: [Thirrni me parullat e Allahut…].

Dr Abdullah Nabolli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here