By: Dr Velid Fetihi
Frika është një emocion normal që njihet nga të gjithë qeniet e gjalla në raste të caktuara. Ky emocion mund të shkaktojë dëme të paparashikueshme, efekti i të cilave mbetet gjithë jetën.
Thotë profeti Muhamed a.s:”Kush frikëson një besimtar pa të drejtë, është e drejta e Zotit që të mos e sigurojë nga frika e Botës tjetër.”
Dallimi mes frikës dhe ankthit, është se në rastin e frikës, burimi i cili mund të shkaktojë dëmtim është i qartë. Sakaq në rastin e ankthit, ky burim, faktor apo shkak, nuk ekziston, por që personi në ankth e përjeton dhe e pret të ndodhë në afat të shkurtër apo të gjatë.
Njeriu lind me disa lloje frike, si frika nga zërat e lartë, frika nga lartësitë… Mandej frikërat shtohen sipas kushteve dhe përvojave të jetës.
Në një studim që përfshiu pesëdhjetë veta, u zbulua se në total, ata kishin mbi shtatë mijë frikëra të ndryshme.
Vitet e para të jetës të fëmijës, janë vitet më të rëndësishme të formimit të shëndetit psikologjik, si dhe kultivimit të frikës, qoftë pozitive dhe në kufijtë normalë e cila e ndihmon zhvillimin e individit, apo frika negative e cila e sëmur njeriun dhe e paralizon atë.
Tre vitet e para të jetës, janë vitet në të cilat mendja e fëmijës zhvillohet më shpejt se çdo fazë tjetër.
Sa herë që fëmija përballet me një qëndrim të papritur, si një zë i lartë, dhunë fizike, verbale apo emocionale, truri i tij dhe në veçanti lobi amygdale dhe hipocampus, dërgojnë sinjale për prodhimin e hormoneve si epinefrina, norpinefrina dhe kortizoli, të cilat shtojnë pulsin e zemrës, presionin e gjakut, zgjerimin e enëve të gjakut dhe pompimin e tij drejt gjymtyrëve, si dhe shpejtim të frymëmarrjes.
Kur zhduken shkaktarët e frikës, zhduken dhe simptomat e lartpërmendura dhe trupi i kthehet gjendjes së normalitetit.
E nëse ngjarja e frikshme përsëritet dhe fëmija jeton në gjendje frike kronike, prodhimi i hormoneve të lartpërmendura shkakton pasoja të rënda për trupin, mendjen dhe trurin, në afat të shkurtër dhe të gjatë. Ajo mund të shkaktojë humbje të besimit, vlerësim të ulet për veten, personalitet të dobët, çrregullim të gjumit, humbje të oreksit, dhimbje koke, panik, ankth të vazhdueshëm, ulje të imunitetit dhe vështirësi në përqendrim. Pasojat mund të jenë shumë herë më të rënda.
Ajo që ndodh, është se hormoni i kortizolit, nëse prodhohet në gjendje të vazhdueshme dhe të pandërprerë, ndikon negativisht në zhvillimin dhe performancën e lobit hipokampus në tru, lob i cili është përgjegjës për procesin e të nxënit dhe prodhimin e qelizave të reja të kujtesës.
Sipas studimeve, frika kronike gjatë stadit të foshnjërisë, shkakton atrofi në ato pjesë të trurit të cilat janë përgjegjëse për të nxënit dhe kujtesën. Studimet kanë treguar se lobi amygdale fryhet dhe zmadhohet mbi normalen tek fëmijët që janë përballur me ngjarje të frikshme, por edhe tek ata që vuajnë nga fobitë. Kjo i bën të vuajnë nga frika dhe nga ankthi gjatë gjithë jetës së tyre. E gjitha kjo, për shkak të prodhimit të pandarë të hormonit të frikës, stresit dhe tensionit nga lobi amygdale, pa një shkak të arsyeshëm. E gjitha kjo çon në gjendje ankthi të vazhdueshëm.
Format e “kultivimit” të frikës tek fëmija janë të shumta, ku më e rëndësishmja është frikësimi i tij nga ana e prindërve në mënyrë të vazhdueshme, ashpërsia me ta, kërcënimi me ndëshkim, dhuna verbale, psikologjike dhe emocionale, ekzagjerimi me frikën dhe kujdesin ndaj tij, kufizimi i tij me pretekstin e frikës, ambienti familjar që gëlon nga zënkat, konfliktet dhe shamatat. Të gjitha këto bëjnë që fëmijës ti mungojë ndjesia e sigurisë, të përjetojë frikën e ndarjes, apo humbjes së njërit prej prindërve.
Kur fëmija qan, zemërohet dhe sillet dhunshëm, këtë e bën si formë reagimi ndaj ndjesisë së frikës. Metoda më e suksesshme për trajtimin e këtyre sjelljeve, është kushtimi i vëmendjes, përqafimi, kujdesi dhe dashuria, gjë e cila stimulon prodhimin e një hormoni tjetër, krejt të kundërt nga ai i kortizolit, hormoni i oksitosinës i cili ndryshe njihet si hormoni i dashurisë. Është pikërisht hormoni që fillon e prodhohet gjatë gjidhënies dhe që forcon lidhjet nënë-foshnjë, ashtu siç prodhohet gjatë aktit seksual mes dy bashkëshortëve dhe që thellon lidhjen bashkëshortore.
Nëse përhapet “kultura” e frikësimit të fëmijës, në familje, shkollë dhe rrugë, e gjithë shoqëria vuan nga efektet negative të frikës si në shëndetit fizik, mendor dhe psikologjik. Këto janë shoqëri në të cilat rrallë herë konstatohet kreativiteti. Frika është armiku më i madh për zhvillimin e njeriut, prosperitetin dhe kreativitetin e tij.
Nga jetëshkrimi i profetit Muhamed a.s, mësojmë se frikësimi dhe trembja e njeriut është një akt i ndaluar. Jetëshkrimi i tij është plot me raste në të cilat përforcohet ky koncept. Nga këto raste, mund të shkëpusim ngjarjen e Zejd ibnu Sane, një nga rabinët hebrenj që jetonin në Medine. Ai i kishte dhënë borxh profetit Muhamed a.s dhe një ditë para afatit të shlyerjes së borxhit, shkon tek Profeti a.s dhe i kërkon borxhin. Këtë e kishte bërë me qëllim që të zbulojë dy tipare të fundit që duhej të përmbushte profeti i paralajmëruar në Torah. Këto dy tipare ishin:”Maturia të prevalonte ndaj zemëratës dhe urtësia ndaj injorancës së tjerëve.”
Ai shkon tek Profeti a.s dhe akuzon jo vetëm atë, por të gjithë fisin e tij për vonim dhe zvarritje të shlyerjes së borxhit. Kur dëgjoi akuzat e pabaza, Omer ibnul Hatabi brofi në këmbë dhe iu kanos se do i priste kokën.
Sakaq, reagimi i Profetit a.s ishte një mësim i mirë në të cilin na ndalon ti frikësojmë njerëzit, ti trembim dhe tu kanosemi atyre, qoftë dhe me një hebre i cili e kishte akuzuar rëndë të dërguarin e Zotit dhe ishte sjellë keq me të. Profeti a.s i tha hazreti Omerit:”O Omer! Shko dhe ktheja borxhin që i kam. Veç kësaj, shtoji dhe njëzet okë hurma si kompensim për frikësimin që i bëre!”
Kur maturia dhe urtësia e të dërguarit të Zotit u konfirmuan dhe një herë për këtë rabin hebre, pranoi islamin në atë çast.
Kultivoni dashurinë, shpresën dhe besimin në zemrat e fëmijëve të tuaj. Ruhuni se mos kultivoni frikën tek ta, përveç frikës pozitive, si ajo nga Zoti dhe zhveshja nga çdo frikë tjetër. Sa më e madhe të jetë frika dhe shpresa tek Zoti, aq më e madhe është shkëputja nga çdo frikë tjetër.
Përktheu: Elmaz Fida