URDHRI DREJTUAR PEJGAMBERIT ALEJHI SALATU VE SELAM QË TË FILLOJË THIRRJEN NË FENË E ALLAHUT TË LARTËSUAR
Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, në suren El-Muddeththiri ka pranuar disa urdhra. Allahu i Lartësuar thotë: “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur); Dhe Zotin tënd madhëroje! Dhe rrobat tuaja pastroji! Dhe largohu nga (veprave) të këqijat! Dhe mos ndaj me qëllim që të marrësh më shumë! Dhe për hir të Zotit tënd, duro!”
Në shikim të parë këto urdhra duken si të imëta dhe të parëndësishme. Por, në realitet, ato janë largpamëse dhe qëllimore, me ndikim dhe veprim të madh edhe në njëmendësi edhe te njerëzit.
Qëllimi i parë i urdhrit “Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen” është që të mos lërë dikë që i kundërshtohet kënaqësisë së Allahut, e të mos i tërheqë vërejtjen për pasojat e rënda që e presin, që të nxitë tek ai alarmim dhe rikthimin e të zgjojë zemrën e tij.
Qëllimi i dytë i ajetit “Dhe Zotin tënd madhëroje” është që kryelartësia dhe madhëria e dikujt të mos kenë rëndësi më të madhe se Allahu, sepse çdo madhëri tjetër do të thehet si therat, nga shpi-na do të bjerë barkazi derisa lavdia dhe madhëria t’i takojë vetëm Allahut të Lartësuar.
Qëllimi i tretë i ajetit “Dhe rrobat tuaja pastroji” është të pastruarit nga çdo papastërti, të brendshme dhe të jashtme, dhe të pastruarit e shpirtit nga çdo ligështi, në mënyrë që njeriu, nën mbrojtjen e mëshirës së Allahut, të bëhet shembulli më i mirë në shoqërinë e vet, i cili do t’i tërheqë mendjet e ndritura dhe nga i cili do të turpërohen zemrat e prishura. Ai do të udhëheqë me sistemet e kësaj bote, e nuk do të udhëheqin ata me të.
Qëllimi i katërt i ajetit “Dhe mos ndaj me qëllim që të marrësh më shumë” është ai që njeriu, mundin e vet dhe veprat e veta, të mos i konsiderojë të mëdha dhe kolosale, por gjithnjë le të përpiqet, le të punojë dhe le të sakrifikohet shumë në punën e vet. Pastaj tërë këtë le ta harrojë, duke u kredhur tërësisht në ndjenjat e pranisë së Allahut të Lartësuar, duke e lënë pas dore dhe duke mos ndier asgjë për çfarëdo nga ajo që ka punuar.
Qëllimi i pestë i ajetit “Dhe për hir të Zotit tënd, duro” është paralajmërim për gjithë atë që do të hasë Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në veprimin e vet, sa dhe çfarë mundimesh e vuajtjesh do të përjetojë ai prej atyre që çojnë jetë të shfrenuar, pastaj çfarë përqeshje dhe bish-tënime do t’i përjetojë, madje edhe luftëra të hapta e dëshirë të madhe për të mbytur atë dhe shokët e tij – as’habët. Diçka të ngja-shme do të përjetojnë edhe ithtarët e Resulullahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Andaj Allahu të Lartësuar e këshillon që të jetë i durueshëm çfarëdo që t’i ndodhë, jo për shkak kënaqësisë personale, por për hir të Zotit të vet.
Allahu Ekber! Allahu është i madh!
A ekzistojnë urdhra më të thjeshtë se këta, të shprehur me fjalë të thjeshta, me fjali të shkurtra, por që në esencë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm e të vështirë për t’u realizuar në vepër. Jehona e këtyre urdhrave i ka tejkaluar të gjithë kufijtë administrativë dhe kanë arritur në të gjitha anët e botës. Këtyre urdhrave do t’u bashkangjiten të tjerët, të cilët do t’i vijnë Resulullahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Vetë ajetet përmbajnë mesazhin e transmetimit dhe interpretimit të fesë. Të tërhequrit e vërejtjes nënkupton se ekzistojnë veprime në këtë botë, për të cilat njeriu do të përgjigjet para Allahut të Lartësuar, prandaj njeriut, si krijesë e cila harron, gjithnjë duhet t’i tërhiqet vërejtja dhe të përkujtohet, jo për shkak të kësaj bote, por për shkak të Ditës së Gjykimit, kur do të jepet llogari.
Ajetet e tjera në këtë sure (El-Muddeththir) kërkojnë nga njerëzit që të besojnë në Njësinë e Allahut të Lartësuar, t’i mbështeten Allahut të Lartësuar për çdo punë, dhe t’i lënë pas dore dëshirat dhe teket personale. Kulmi i të gjitha këtyre është se të gjithë ne do të jemi të kënaqur, kur Allahu të Lartësuar kënaqet me ne. Kuptimi thelbësor i këtyre ajeteve mund të nxirret me këtë radhë:
Njëshmëria e Allahut.
Besimi në Ditën e Gjykimit.
Kultivimi i shpirtit që të mos lakmojë në gjëra të ndaluara dhe të mos bëjë mëkate, të cilat do ta shpinin gjer te ndëshkimi, por të stoliset me virtyte të mira, të rindërgjegjësohet gjithnjë dhe të bëjë vepra të mira.
T’i lihet Allahut të Lartësuar që për të gjitha gjërat, vendimi i Tij të jetë përfundimtar.
Natyrisht, e tërë kjo duhet të vijë pas besimit në mesazhin e Resulullahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem; të besohet në udhëheqjen e tij bujare dhe në orientimin e tij të drejtë.
Është me rëndësi të theksohet se fillimi i ajetit përmban thirrjen e lartësuar dhe urdhrin e Allahut të Lartësuar drejtuar Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, të cilin më së pari ai duhet pranuar. Kjo është thirrje, e cila zgjon nga gjumi, nga strukja dhe nga izolimi, në mënyrë që të niset në xhihad dhe t’i përvishet punës tejet të rëndë. “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen!” Siç thotë i Lartësuari: “Ai që jeton për veten e vet, ai jeton pa brenga, e ti, ti do që ta mbartësh në supet e tua një barrë të rëndë, si është gjumi yt? Si është pushimi yt, si është shtra-ti i yt i ngrohtë, jeta e qetë dhe e këndshme? Ngrihu tani për një detyrë të madhe, e cila të pret, obligim i cili të është dedikuar ty. Ngrihu të punosh dhe përgatitu për shumë vështirësi, të cilat do të jenë pengesa në këtë rrugë. Ngrihu, koha e gjumit ka kaluar, po ashtu dhe ajo e rehatllëkut. Qysh sot fillon vigjilenca, vigjilenca e pandërprerë dhe lufta e gjatë dhe e vështirë në rrugën e Zotit. Ngrihu pra dhe përgatitu për të gjitha këto!”
Këto janë fjalët madhështore dhe serioze, të cilat e ngritën atë nga shtrati i ngrohtë, nga përqafimi i butë dhe i kujdesshëm, për t’u futur në pafundësi dhe në turmë, në kohë pa kohë dhe në shtrëngatë, në mesin e njerëzve të mirë e të këqinj, drejt përfitimit dhe kundërshtimit, dhe në fund, në realitetin e jetës.
U ngrit Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe qëndroi më këmbë, i drejtuar, me kokë të ngritur, më tepër se njëzet vjet. Nuk pushoi dhe as që u ndal ndonjëherë, nuk jetoi për vete e as për familjen e vet.
U ngrit dhe mbeti i qëndrueshëm në interpretimin e fjalës së Allahut, duke mbartur mbi vete gjithë peshën e shfrenimit në të cilin jetonte populli i tij, duke mbartur amanetin madhështor dërguar njerëzve në Tokë, të gjithë njerëzve, mbarë njerëzimit.
Ky amanet ishte feja, feja e ballafaqimit, e përgjegjësisë dhe e xhihadit – lufta në të gjitha fushëveprimet.
Jetoi në luftë të pandërprerë mbi njëzet vjet. Nuk mundi ta pengonte asgjë, asnjë ngjarje, gjatë tërë kësaj kohe, që nga momen-ti kur dëgjoi thirrjen e urdhrin e Sunduesit të Lartësuar dhe iu dha detyrë e madhe.
Allahu të Lartësuar e shpërbleftë në emrin tonë dhe në emër të mbarë njerëzimit, me shpërblimin më të madh![1]
Pjesa tjetër vijuese nuk është asgjë tjetër veçse pasqyrim në miniaturë i këtij xhihadi të gjatë e të mundimshëm dhe përpjekjes së madhe që ka bërë Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem gjatë periudhës së Shpalljes.
Nga libri: “Nektari i vulosur i xhenetit”
________________________________________________________________
[1] “Fi Dhilali-l-Kur’an”; Tefsiri i sures El-Muzzemmil dhe El-Muddeththir, xhuzi 28/169-172.