Fekondimi artificial dhe fëmijët e epruvetave

0
305

Fekondimi artificial është bërë zgjidhje e popullarizuar për shterpësi. Shkencëtarët kanë arritur që ta lehtësojnë lindjen e fëmijëve në mënyra të ndryshme. Kështu, nënat kanë lindur fëmijët e vajzave të tyre, motrat kanë lindur fëmijë për motrat e tyre e bile edhe vajzat për nënat e tyre. Prej tyre, vetëm një mënyrë është e lejuar nga pikëpamja islamike; sperma e burrit e kombinuar me vezën e gruas në mitrën e bashkëshortes. Fekondimi artificial në këtë mënyrë ndihmon që prindërit natyrorë të kenë fëmijë.
Mënyrat tjera konsiderohen ilegale dhe krijojnë konfuzion të qartë në prejardhje. Sperma e burrit e kombinuar me vezën e ndonjë gruaje tjetër nuk është gjenetikisht fëmijë i gruas së tij, edhe nëse e mban.

Riprodhimi “in vitro”, është quajtur kështu sepse në latinisht “in vitro” do të thotë xham dhe kuptohet se bëhet fjalë për xhamin e epruvetës.
Riprodhimi in vitro, ka të bëjë me fekondimin artificial të një veze me një spermatozoid, prodhimin e një embrioni me pak qeliza dhe vendosjen e tij në mitrën e një femre, që do të shërbente si inkubator deri në lindje. Individi i lindur, që ndryshe quhet ‘fëmijë nga epruveta’, do të gëzonte karakteristikat e të dy prindërve, nga ku është marrë veza dhe spermatozoidi.

Fekondimi artificial ose fekondimi i asistuar, përfshin një numër metodash me të cilat kontrollohet dhe ndihmohet, jo vetëm fekondimi i qelizës vezë por edhe transporti i embrionit, implantimi, zhvillimi dhe ecuria e shtatzënisë.

Më 25 korrik të vitit 1978, në periferinë e Manchester-it të Anglisë, lindi Louise Brown, fëmija i parë i fekonduar jashtë trupit të nënës. Ajo lindi në spitalin e Oldhamit, në saje të provave të gjata në këtë fushë të mjekëve të njohur anglezë Patrick Steptoe dhe Robert Edwards, të cilët kishin marrë një ovul të nënës së saj Lesley për ta bërë pjellore në laboratorin e tyre. Pas tri ditësh fekondimi në laborator me spermën e të atit, embrioni u fut në uterusin e nënës që donte të lindte.
Kjo teknikë ishte shpikur në fakt që në vitin 1959, por gjer në lindjen e Louise Brown teknika ishte eksperimentuar me sukses të plotë tek lepujt. Në Francë, bebja e parë “epruvetë” lindi në vitin 1982. Ajo u quajt Amandine dhe lindi në saje të përkujdesjes së profesor René Frydman, në spitalin “Antoine Beclere” të Clamart. Sot janë rreth 1.500.000 bebe që kanë lindur “in vitro” dhe në Francë mbi 60 mijë.

Dëgjojmë se çështja e fëmijës nga epruveta është shumë e diskutuar kohëve të fundit.
Mund të themi se kur njeriu dëshiron të krijojë diçka e në veçanti njeriun së pari duhet ta grumbullojë materialin e pataj ta konstruktojë atë. Nëse e merr materialin ose organin e gatshëm të cilin na e dhuroi All-llahu atëherë këtij nuk i thuhet fëmijë i epruvetës. Sepse prej krijimit të All-llahut nga mashkulli pastaj sajohet një rrugë tjetër për ta plotësuar dëshirën e All-llahut në atë të cilën e ka krijuar All-llahu tek femra. Kështu nuk është bërë asgjë e veçantë sepse është ndaluar vetëm procesi i shtatzënisë. U zgjodh një rrugë tjetër me materien e gjallë dhe mitrën e femrës dhe foshnja u zhvillua po me të krijuarat e All-llahut të Lartësuar. Si mund të thuhet se kjo është foshnje artificiale ose e epruvetës?! Njeriu nuk ka krijuar asgjë, All-llahu ia ka mundësuar t’i shërojë sterilët me atë që Ai ka krijuar për të vazhduar jeta njerëzore.

Sipas Këshillit të Akademisë Islamike të Fikhut:

1- Nevoja e gruas, e cila nuk mund të mbetet shtatzënë dhe nevoja e bashkëshortit të saj që këta të dy të lindin fëmijë konsiderohet arsye e pranuar nga Sheriati, i cili lejon mjekimin me metodat e lejuara të fekondimit artificial.

2- Forma e parë (nëpërmjet të cilës merret sperma e bashkëshortit dhe injektohet në mitrën e gruas së tij me metodën e fekondimit të brendshëm) është formë e lejuar nga sheriati sipas kushteve të përgjithshme të lartpërmendura. Dhe kjo pasi të jetë konfirmuar nevoja e gruas për këtë proces me qëllim të mbarësimit. Kjo bëhet me rastin kur merret sperma e burrit të martuar dhe pastaj injektohet në brendi të organeve të gruas së tij apo në mitrën e saj, në mënyrë që spermatozoidi të takohet në mënyrë natyrale me qelizën vezë të bashkëshortes së tij dhe pastaj bëhet fekondimi mes tyre dhe më pas ndodh ngjitja e saj në murin e mitrës me lejen e Allahut, sikurse në rastin e marrëdhënieve seksuale.
Kjo formë përdoret në rastin kur tek bashkëshorti për ndonjë arsye të caktuar ekziston paaftësia për arritjen e spermës së tij deri në vendin e duhur gjatë marrëdhënieve seksuale. 3- Forma e dytë (nëpërmjet të cilës merren spermatozoidet mashkullore dhe femërore nga burri dhe gruaja të cilët janë bashkëshortë mes veti, pastaj bëhet fekondimi i jashtëm i qelizave në epruvetën e testit dhe më pas qeliza e fekonduar mbjellet në mitrën e kësaj gruaje) parimisht është e pranuar nga vështrimi sheriatik, por kjo formë nuk shpëton nga gjërat që sjellin dyshime për shkak të përzierjeve dhe ngatërrimeve që e shoqërojnë dhe e rrethojnë atë. Prandaj kjo formë nuk duhet të përdoret përveçse në raste të domosdoshme, dhe pasi të jenë plotësuar kushtet e lartpërmendura.

Kjo bëhet në rastin kur merret sperma nga bashkëshorti dhe merret qeliza vezë nga bashkëshortja e tij dhe vendosen në epruvetën e laboratorit mjekësor nën kushte të caktuara fizike në mënyrë që spermatozoidet e bashkëshortit të fekondohen me qelizën vezë të bashkëshortes së tij në atë epruvetë, pastaj qeliza vezë e fekonduar merret në kohë të përshtatshme dhe transferohet në mitrën e asaj gruaje që pastaj ajo qelizë e fekonduar të ngjitet në murin e mitrës dhe me këtë krijohet embrioni dhe zhvillohet si çdo foshnje, pastaj në fund të kohës së shtatzënisë natyrale gruaja e lind atë djalë ose vajzë, dhe ky është ai që quhet “fëmija i epruvetës” që të arriturat shkencore kanë arritur ta bëjnë me lehtësimin e Allahut, dhe nëpërmjët kësaj forme deri sot kanë lindur një numër fëmijësh meshkuj, femra dhe binjakë, ku lidhur me këtë janë transmetuar lajme nëpër gazeta botërore dhe mjete të ndryshme të informimit. Ndërsa kjo formë përdoret kur gruaja është sterile për shkak të mbylles së kanalit i cili bën lidhjen mes vezorit dhe mitrës së saj.
Në këto dy raste të lejuara akademia merr vendim se fëmija i lindur merr përkatësinë e bashkëshortëve nga të cilët janë marrur qelizat vezë dhe pastaj përkatësinë e pason trashëgimia si dhe të drejtat e tjera. Pra, me rastin e konfirmimit të përkatësisë së foshnjes, konfirmohet edhe trashëgimia dhe dispozita të tjera në mes të fëmijës dhe atij që i përket ai fëmijë.
Kurse sa u përket formave të tjera të fekondimit artificial, të gjitha janë të ndaluara në Sheriatin islamik.

Fexhrie Kaçiu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here