Feja, është e lehtë!
Agron Islami·
Ebu Hurejre r.a. tregon se Muhamedi a.s. ka thënë: “Feja është e lehtë, prandaj kushdo që e rëndon fenë e vet nuk do të mund të vazhdojë në atë mënyrë. Prandaj, mos jini ekstremistë por mundohuni të jenë afër përsosmërisë dhe gëzohuni për shpërblimin që do të keni!” poashtu ai rekomandonte edhe me këto fjalë: “Përgëzoni dhe mos neverisni, lehtësoni dhe mos vështirësoni!.” Ndërsa dashamirësve të fesë ua tërhoqi vërejtjen duke iu thënë: “Të keni kujdes nga esktremizmi fetar! Sepse ai i ka rrënuar ata që kanë para jush.” Kurse tri herë e përmendi fjalinë: “U shkatërruan ekstremistët, u shkatërruan ekstremistët, u shkatërruan ekstremistët.” Ndërkaq, kur duhej që të përzgjedhte ndërmjet dy çështjeve, ai nuk përzgjedhte vetëm atë që ishte më e lehta.
Zoti ynë nuk ka kërkuar prej neve që ne të bëjmë jetë engjëllore, ngase nuk mundemi. Thjesht: sepse ne jemi njerëz. Ndaj dhe në Kuranin fisnik shpalli duke thënë:
“Allahu dëshiron t’ju lehtësojë juve. Njeriu është krijuar i dobët” (Nisa’ 28)
“Jini të devotshëm, sa të mundeni!” (Tegabun 16)
Në veprën e tij Zadul Mead Ibn Kajjim el-Xheuziu thotë: “Predikimet e Muhammedit a.s. fokusoheshin tek shtyllat dhe bazat e besimit te Zoti, engjëjt, librat, profetët, takimi me Zotin, shpërblimi, dënimi etj. Ligjërimet e tilla e mbushnin zemrën e besimtarit me besim të pashoq. U ofronte atyre një njohje të thellë të Zotit dhe ligjeve të Tij në Tokë. Ato nuk ishin si predikimet e sotme, të cilat janë kufizuar vetëm në vajtim për jetën e kësaj bote dhe frikësim e panik patalogjik për vdekjen. Diçka e tillë nuk e mbush zemrën me besim të thellë te Zoti. Nuk përmbush bazat e teuhidit, nuk ndihmon as në njohjen e Zotit dhe ligjeve të Tij. Nuk nxit dashurinë në zemra dhe mallin për Zotin. Dëgjuesit e predikimeve të tilla, dalin pa përfituar asgjë, përveç faktit se do të vdesin, do u ndahen pronat dhe pasuritë, varri do ua tretë mishin e trupit etj… pashë Zotin çfarë besimi është ky? Çfarë monoteizmi dhe çfarë dije e dobishme u përfitua nga ky ligjërim?!”
“Nuk të dërguam ne ty (O Muhamed) vetëm mëshirë për botët” (El-Enbija 107)
“Kur të udhëtoni në tokë, nuk keni mëkat nëse i shkurtoni namazet!” (Nisa’ 101)
Ndërsa nën hijen e komentimit të citatit kuranor: “Zoti ynë! Mos na ngarko me atë që ne nuk mund të mbajmë!” (El-Bekare 286) dijetari i shquar Imam Es-Esujutiu ka thënë: “Kjo është porosi Hyjnore, nga dashuria e madhe për krijesat e Veta.” Ngjashëm me këtë dijetari i mirëfilltë Muhamed Emin Esh-Shenkiti ka thënë: “Dijetarët që e ngushtuan fenë, bënë të kundërtën e asaj me të cilën u dërgua Muhamedi a.s.”
“..nuk dëshiron Allahu t’ju bëj në fenë tuaj vështirësi” (Haxh 78)
“Ftoni në rrugën e Zotit tuaj me urtësi dhe shembull të bukur. Dhe polemizoni ata me atë që është më e bukura” (Nahl 125)
“…dhe për trupin tënd duhet të kesh të drejtë” – thotë hadithi profetik. (Buhariu)
“.. dhe nuk ta zbritëm Kuranin ne ty që të vuash” (T’aha 2)
Dijetari i mirënjohur Ibn Rexheb el-Hanbeliu duke komentuar hadithin e ndalimit nga shtërgnimi fetar, thotë se për qëllim është: “Mos ngarkimi i vetes me çështje që ajo nuk mund t’i mbajë.”
“Ne do ta përgatisim atë për më të lehtën.” (El-Lejl, 10)
Të mençurit e hershëm të cilët ndërtonin mendimin islam thanë kështu: “Feja islame është ndërmjet teprimit dhe braktisjes. Ajo është në mesatari. Të dyja skajet janë të gabueshme.” Poashtu Ibn Kajjim el-Xheuziu ka thënë: “Nuk ka urdhëruar Allahu diç, e që shejtani të mos depërtonte aty. O për ta tepruar, o për ta mangësuar.”
“O ju ithtarë të librit! Mos ekzagjeroni në fenë tuaj! Dhe mos thoni për Allahun vetëm të Vërtetën” (Nisa 171)
“Dhe kështu Ne juve u kemi bërë bashkësi të mesme. Që të jeni dëshmitarë për njerëzit. Po dhe Profeti të jetë dëshmitar për juve!” (El-Bekare 143)
Nuk e ka dëmtuar fenë, shpirtin dhe mendjen njerëzore mungesa e fetarisë, aq sa e ka bërë këtë, epërsia dhe shtërngimi i temave, teksteve dhe simboleve fetare. Kjo e dyta është regjim psikologjik që ushtrohet mbi masat. Dhe kudo që ky diskurs regjimor është përhapur, ka shkaktuar:
1. Çrregullime emocionale
2. Fobi dhe aversion nga feja.
3. Rënie në ateizëm, për shkak të ngulfatjes shpirtërore dhe izolimit të prioritetit.
Dr. Aid el-Karni përpiloi një artikull me titullin “Ligjëruesit fetar i dënojnë njerëzit.”
Natyra njerëzore e kërkon besimin/fetarinë qiellore, në mënyrë instinktive, ashtu siç në të njëjtën mënyrë e refuzon teprimin dhe shtërngimin fetar. Por diskursi ideologjik, me anë të frikës, shtypjes dhe presionit, zërin e këtij instinkti e shtypën dhe e çanë natyrshmërinë.
Psikologjia pozitive e ka parë fetarinë një dobi të madhe për stabilitetin e njeriut dhe të shoqërisë. Ndërsa studijuesit fetar kur bënë sondazhin mbi shkakun e përhapjes së ateizmit e gjetën atë që nuk ua merrte mendja: Shtërngimi i fetarizimit.
Kërkuesja Katheen Taylor pas një kërkimi të gjatë mbi fetarinë, dobinë dhe ekstremizmin fetar ajo tha: “Ekstremizmi fetar është sëmundje mendore. Mundet që në të ardhmen të zhvillohet ilaçi i tij.” (Si të bëhesh njeri? – dr. Sherif Arafa)
Shkaqet e përhapjes së ekstremizmit fetar janë disa, por çështja është akoma më komplekse se kaq.
1. Mungesa e diturisë, informacioneve për mendimin e kundërt. Kjo mund të paraqitet nga frika e ngulitur përmes diskursit ideologjik që shkakton izolim.
2. Përshtatja e karakterit ekstrem me metodologjinë ekstreme.
3. Frikësimi ideologjik. Frika është një emocion primitiv, që shkakton te njeriu në çast Nënshtrueshmëri, përulësi dhe mos kundërshti.
4. Paaftësia për t’i kuptuar dhe zbërthyer urtësitë e teksteve fetare.
5. Mjet shfrytëzimi për të diktatorizuar të tjerët me anë të diskursit ekstrem. Shkaqet e kësaj janë të shumta si çlirimi nga pushteti i ngulitur në subkoshiencën e largët. Kjo një temë shumë e thellë ku përfshihen natyrat e diktatorëve, kultura e fëmijërisë, familjes, rrethit etj… Ndaj, disa ligjërues sillen me masën sikur të jenë zota, e ferri dhe parajsa në potencën e tyre! Ca njerëz lakmojnë pushtetin vetëm për të patur sundim mbi egot e të tjerëve. Këtë pushtet kjo natyrë e ka shfrytëzuar, aty ku i është mundësuar. Poashtu këtu vlen ta përmendi edhe shkëputjen e tekstit nga ana e Iblisit (kryedjallit) i cili kur u pyet se a di ndonjë citat kuranor ai tha: “Po! dhe ai ishte: “Mos iu afro namazit..” por citati vazhdon “..kur të jeni të dehur.” (Nisa 43) Pra, siç Iblisi zgjodhi citatin që puthitej me diskursin dhe me parrullën e tij djallëzore, ashtu edhe të tjerët gërmojnë për anët të cilat puthiten me karakteret e tyre.
Ca fetarë fetari apo asketizëm e devotshmëri e konsiderojnë frikën e madhe nga Zoti, vajtimin nga vdekja, trishtimin nga varri, personifikim të djegjes në ferrin e madh, dhe nga kjo, te ata rezulton ankth në zemër, mendime të egra, zverdhje në fytyrë. Ndërkaq, disa të tjerë këtë sindrom e deshifrojnë si nur në fytyrë për shkak të imanit të lartë.
Feja islame respekton këtë trekëndësh: Shpirtin, mendjen, trupin/shqisat.
Qofshin sa qofshin shkaqet e ekstremizmit fetar, duhet të besojmë se ajo është mendësi njerëzore/ideologjike, dhe nuk është kuranore e as profetike.
Ndërsa shoku dhe miku i afërt i Muhamedit a.s. Abdullah Ibn Mes’ud ka porositur: “Foljuni njerëzve me gjuhën që ata kuptojnë. A mos vallë dëshironi që ata të mohojnë Allahun dhe Profetin e Tij?”