Fati i femijeve pas ndarjes se prinderve te tyre.

0
258

Ndër arsyet pse Islami shkurorëzimin e çiftit bashkëshortor e konsideron si fenomenin më të urryer, ani pse është i lejuar, është edhe fakti se nga procesi ndoshta më së shumti pësojnë fëmijët çiftit bashkëshortor që ka vendosur ta përfundojnë lidhjen martesore për çfarëdo arsye.

Prehja dhe streha prindërore e fëmijës lëndo het skajshmërisht qysh nga momenti kur prindërit vendosin të ndahen nga njëri-tjetri. Megjithatë, shkurorëzimi në fund duket të jetë zgjidhje në konceptin islam, në rast të pamundësisë së vazhdimit të jetës bashkëshortore, edhe pse kjo zgjidhje është tejet e hidhur.

Meqë Ligjvënësi e ka lejuar shkurorëzimin, natyrshëm, Ai është kujdesur pastaj edhe për fatin e fëmijëve të çiftit të ndarë, andaj rrjedhimisht edhe ka ofruar dispozita që në fakt synojnë mirëqenien dhe normalizimin e jetesës për fëmijës.

Prandaj, në jurisprudencën islame ekziston një kapitull i ndarë, i ashtuquajturi “Kitabul hadaneti” – “Kapitulli i dispozitave të kujdesit ndaj fëmijëve”, që në fokus të studimit ka sqarimin e dispozitave që kanë të bëjnë me mirëqenien e atyre shtresave të njerëzve që nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten e tyre, me theks të veçantë fëmijët, prindërit e të cilëve janë ndarë.

Norma e përkujdesjes ndaj fëmijëve, prindërit e të cilëve janë ndarë, është obligim-vaxhib, por mbi kë bie ky obligim e barrë është edhe thelbi kësaj trajtese të shkurtër juridike.

Përkujdesja ndaj fëmijës në rast të ndarjes së prindërve të tij

Në varësi të moshës që ka fëmija përcaktohet edhe se cili nga të dy prindërit ka përparësi të përkujdeset për të pas ndarjes ose shkurorëzimit. Përcaktimi se cili do ta ketë të drejtën të kujdeset për fëmijën bëhet kryekëput duke marrë në konsideratë interesin dhe mirëqenien e vetë fëmijës.

Prandaj, nëse prindërit janë ndarë me anë të shkurorëzimit ose ndonjë forme tjetër, dhe kanë pasur fëmijë të mitur, atëherë duhet ditur se për fëmijën ka gjithnjë prioritet që të kujdeset gjinia femërore, ngase femrat janë ato që kanë më shumë durim, butësi, dhe ofrojnë më tepër ngrohtësi prindërore për fëmijët në atë moshë.

Ndërsa, sa i përket renditjes së atyre femrave që kanë përparësi në përkujdesje, sipas hanefinjve, janë si në vijim:

1. Nëna e fëmijës është e para që e ka për obligim, dhe në të njëjtën kohë ka të drejtë, që ta marrë me vete e të kujdeset për fëmijën e saj, nëse ajo është ndarë nga burri.

Këtë të drejtë nëna e humb vetëm nëse del nga Islami-bëhet murtede, nëse është mëkatare e madhe (e pamoralshme), rrugëton me fëmijën në vende jo të sigurta, është e sëmurë me ndonjë sëmundje ngjitëse e që mund ta dëmtojë fëmijën, ose eventualisht martohet te një burrë tjetër i cili natyrshëm që nuk do të përkujdeset edhe për fëmijën që nuk është i tij.

Për këtë të fundit kemi argument rastin kur një grua i ishte ankuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, vërtet për birin tim barku im ishte strehë, gjiri im ushqim, dhe prehri im ishte vendprehje, e babai i tij më ka shkurorëzuar mua dhe po dëshiron të ma rrëmbejë fëmijën tim prej meje.” E asaj i Dërguari i Allahut iu përgjigj duke i thënë: “Ti je më meritore që ta mbash fëmijën tënd, derisa të mos martohesh”.(1)

Madje, nëse nëna refuzon të kujdeset për fëmijën e saj, ajo edhe detyrohet me anë të vendimit gjyqësor të gjykatës, në rast se ai fëmijë nuk pranon të ushqehet nga cilado grua tjetër pos nënës së vet.

E në mungesë të nënës së fëmijës, atëherë me radhë vjen nëna e nënës, pastaj nëna e babait (gjyshja e shtëpisë), pastaj motra prej të dy prindërve, e kështu me radhë, sipas afërsisë që ka ai fëmijë me kujdestarin/en e vet.

Në rast të mospërgjigjes për kujdes ndaj atij fëmije, nga ata që e kanë obligim të kujdesen për të, atëherë babai detyrohet të hulumtojë e të gjejë një mëndeshë ose dado (gjidhënëse), e cila do ta ushqejë fëmijën e tij, ndërsa shërbimin dhe kujdesin e saj e ka obligim ta paguaj vetë babai.(2)

Kohëzgjatja e përkujdesjes ndaj fëmijës nga nëna Fëmija duhet të qëndrojë tek e ëma (ose kujdestaret e tjera sipas radhës së detajizuar më sipër) derisa të ketë mundësi të ushqehet e të vishet vet, respektivisht deri në moshën 7 vjeçare, nëse ai fëmijë është mashkull, ndërsa deri në moshën e pubertetit, nëse fëmija është femër.

E pas kësaj periudhe (7 vjeçare te mashkulli e deri në pubertet te femra), fëmija kalon te babai i vet, ngase në këtë moshë nevoja e fëmijës është më e madhe për babin sesa për nënën, për dallim nga gjendja e tij e mëhershme, kur kishte nevojë më shumë për të ëmën.

Këtu duhet theksuar faktin se disa juristë islamë të shkollave tjera juridike theksojnë të drejtën e zgjedhjes për fëmijën pas rritjes së tij, pra se me cilin prind dëshiron ta vazhdojë jetën e tij.

Ndërsa, juristët hanefinj kanë qëndrimin se fëmija duhet të kalojë nën kujdesin e babait, për shkak të pamundësisë së kujdesit për të nga ana e nënës, në veçanti pas martesës së mundshme të saj me një burrë tjetër.(3)

Shpenzimet e përkujdesjes ndaj fëmijës-alimentacioni

Juristët hanefinj kanë theksuar se nëse nëna që përkujdeset për fëmijën e saj është ende në lidhje martesore me burrin, ose është shkurorëzuar me shkurorëzim të revokueshëm (për të parën herë apo të dytën), asaj nuk i takon kurrfarë shpagimi material për kujdesin e saj ndaj fëmijës.

E nëse nëna e fëmijës (qoftë vajzë ose djalë) është e shkurorëzuar përfundimisht nga burri-prindi i atij fëmije, dhe i ka kaluar koha e pritjes, idetit, atëherë ajo meriton shpagimin material nga pasuria e fëmijës, nëse posedon diç në pronësi të vet, e nëse jo atëherë kjo barrë e shpagimit bie mbi supet e ish-bashkëshortit të saj, babait të atij fëmije.

Këtu hyjnë të gjitha shpenzimet e jetesës e mirëqenies, qofshin ato për ushqim, pije, veshmbathje ose banim.(4) Kjo dispozitë arsyetohet me faktin se ai fëmijë, porsa të rritet, do të kthehet te babai i tij, andaj meqë në të ardhmen do t’ i takojë atij, ai e ka edhe përgjegjësinë e përkujdesjes materiale.

Allahu në Kuran thotë: ” … babai i fëmijës është i obliguar, sipas mundësisë së tij, që t’i furnizojë ato me ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarkohet askush përtej mundësisë që ka: nëna le të mos dëmtohet për shkak të fëmijës së saj, e as babai të mos dëmtohet për shkak të tij … ” (El-Bekare, 233).

Statusi i fëmijës, pas ndarjes së prindërve të tij sipas ligjeve të Republikës së Kosovës

Sipas nenit 139 të “Ligjit Për Familjen i Republikës së Kosovës”, përcaktohet se:

1) Nëse prindërit jetojnë ndaras, kujdesin prindër or e ushtron prindi me të cilin jeton fëmija, nëse me këtë pajtohet prindi tjetër.

2) Nëse në rastin e jetës së ndarë prindërit nuk merren vesh se me cilin prej tyre do të jetojë fëmija, vendimin lidhur me këtë gjë e merr gjykata kompetente, nëse me këtë ligj nuk është caktuar ndryshe.

3) Në rastet kur prindërit jetojnë të ndarë, janë të shkurorëzuar ose martesa e tyre është e anuluar me vendim të gjykatës ose të organit tjetër kompetent, dhe fëmija i është besuar për ruajtje dhe edukim njërit prind, kujdesin prindëror e ushtron prindi të cilit i është besuar fëmija.

Ndërsa, në nenin 300 të ligjit përkatës theksohet edhe obligueshmëria e kujdesit material e ushqimor për atë fëmijë prindërit e të cilit janë ndarë, ku thuhet:
“Bashkëshorti i ndarë mund të bëjë kërkesë për ushqimin ndaj bashkëshortit tjetër që nga momenti i:

1. Shkurorëzimit;
2. mbarimit të kujdesit dhe mbajtjes së fëmijës së përbashkët;
3. përfundimit të kushteve të parashikuara në nenet përkatëse.”(5)

Nga një përshkrim i tillë krahasues del në pah një lloj pajtueshmërie në mes të konceptit islam dhe normave juridike-pozitive të ligjeve të shtetit tonë për nevojën e kujdesit ndaj fëmijëve pas ndarjes së prindërve të tyre, mirëpo është fakt i pamohueshëm se detajizimi dhe sqarimi është bërë më gjithëpërfshirës dhe tejet më i gjerë e konciz në jurisprudencën islame, ngase këtu nuk ka mbetur asnjë situatë e mundshme që mund të kalojë fëmija e të mos jetë sqaruar norma dhe detyrimet karshi tij.

Në fund, duhet theksuar faktin se çdoherë që nëna dëshiron ta shohë fëmijën e saj pasi që ai të jetë kthyer te babai i atij fëmije duhet lejuar, dhe atë pa kurrfarë pengese.

Por, edhe babai e ka këtë të drejtë gjatë kohës kur fëmija është duke qëndruar tek e ëma e vet, ngase kjo është një e drejtë e natyrshme, si për fëmijën ashtu edhe për prindërit e tij, dhe kështu është konstatuar nga Ligjvënësi i Gjithëdijshëm.

___________________________
(1) Ebu Davudi, në “Sunenin” e tij, (m. 2276) etj., dhe hadithi është hasen-i mirë, si dhe i argumentueshëm.
(2) Tuhfetul-Fukaha, Imam Es-Samerkandij (2231-234). Bot. i dytë, Darul-Kutbil-Ilmijje, Bejrut, 1994.
(3) Bedaius-Sanai’fi tertibish-Sherai’, Imam EI-Kasanij(442). Bot. i dytë, Darul-Kutubil-Ilmijje, Bejrut, 1986.
(4) El-Meusuatul-Fikhijje El-Kuvejtijje, (17311). E përgatitur nga Ministria e Vakëfeve të Kuvajtit.
(5) Ligji për Familjen i Republikës së Kosovës, m. 200432.

Mr. Driton Arifi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here