Dy rregulla që na ruajnë nga kuptimet e gabuara

Dy rregulla që na ruajnë nga kuptimet e gabuara

“A mund të themi se Allahu i Lartmadhëruar ia ka shfaqur Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – pamjen e Ibn Luhajj-it (sh.p: i pari që solli idhujt në gadishullin arabik, Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem thotë se e ka parë atë duke tërhequr zorrët e tij në Zjarr) qëllimi i kësaj është (sh.p.: jo se e ka parë vërtetë por) se do ta bëjë ta shikojë atë në të ardhmen?

Përgjigje: Jo (s’mund ta themi këtë) sepse kjo kundërshton atë që kuptojnë arabët (nga hadithi i mësipërm). Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë: “Pashë në Zjarr Ibn Luhajj-in…” “E pashë” do të thotë: “do ta shikoj”? Ai tha: “E pashë”.
Kuptimi i dukshëm i tekstit (fetar, në këtë rast: hadithit) e kundërshton atë që thuhet: ndoshta kjo është imagjinatë, apo se do ta shikojë atë në të ardhmen. Pamja e dukshme e fjalëve nuk tregon për këtë.

Mbaj mend prej meje këto fjalë:

“Imam Shatibiu ka përmendur në librin e tij ‘El muuafekat’ dy rregulla të përgjithshëm, kush kapet fort pas tyre largohet nga kuptimet e gabuara në fe.
Rregulli i parë prej tyre është: Origjina është që fjalët (tekstet fetare) duhet t’i kuptojmë siç i kuptonin arabët (e parë). Dhe çdo që nuk e njohin arabët dhe nuk e kuptojnë, nuk e besojmë. Prandaj ata që thonë se shteti i Izraelit, apo shteti jehudij – estagfirullah – do të mbarojë në filan vit. (gabohen).
Dakord i dashur, po nga e nxorre këtë? Thotë: Llogari. – Çfarë llogarie? – Llogarit shkronjat… llogarit ku di unë se çfarë. – Po mirë, përse këto shkronja dhe jo të tjera? Pastaj kjo metodë, metoda e mrekullisë së shkronjave, metodë e kujt është? A na e ka mësuar atë Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem? … E gjithë ajo që quhet mrekulli e numrave është e papranueshme. Nuk ka diçka që quhet mrekullia e numrave (në fenë tonë). “Mbi të vigjilojnë 19 (melaikeh)” dhe përrallat që tregojnë (rreth numrit të engjëjve që përmenden në këtë ajet) Shatibiu e ka refuzuar këtë.

E habitshme! Shatibiu e ka hedhur poshtë këtë gjë?! Po Shatibiu e ka hedhur poshtë.
Madje e habitshme është gjithashtu se Shatibiu ( i cili ka vdekur në vitin 1388 të erës sonë) ka folur edhe për mrekullitë shkencore në Kuran! Dhe e ka refuzuar një gjë të tillë! Dhe thotë: Nëse gjendet diçka prej të vërtetave shkencore në Kuran, ato kanë ardhur tek tuk (në plan të dytë). Mrekullia kryesore e Kuranit nuk është kjo. Mrekullia e Kuranit është mrekulli elokuence dhe ligjvënieje (Sh.p.: Kurani është mrekulli si i shprehur i lartë i pasfidueshëm, dhe si ligjvënës i pashembullt dhe i patëngjashëm, dhe i vetmi që siguron jetesë të lumtur për njerëzit në këtë botë edhe sikur ajo të jetë pambarim! Për shkak të rregullave të përgjithshme që vendos, rregulla dhe parime që mbulojnë çdo pore të jetës dhe nuk lënë asnjë aspekt të saj pa e përfshirë).

Prandaj thashë që të mos humbasim dhe hallakatemi kemi dy rregulla:
I pari: Të mos i kuptojmë fjalët (që kanë ardhur në tekstet fetare) përtej dhe mbi atë që kuptonin arabët. A’rabi (beduini, banori i shkretëtirës) i cili dëgjonte fjalët e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – kuptonte apo nuk kuptonte? (Sigurisht që kuptonte) Siç i kuptonte arabi ashtu i kuptojmë edhe ne. Ky është rregulli i parë.

Rregulli i dytë: Të kemi parasysh gjendjen (ambjentin e përgjithshëm) të atyre që u drejtoheshin fjalët (e Allahut të Lartmadhëruar dhe të Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem). Si e kuptuan ata të cilëve u drejtoheshin fjalët, ashtu i kuptojmë edhe ne ato. Nuk na lejohet ne të kuptojmë diçka që bie ndesh me kuptimin e tyre.

Prandaj në rastet kur fjala e ardhur në tekstet fetare përmban disa kuptime, ne themi prerazi se kuptimi që ka dashur Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – është kuptimi që kuptuan ata të cilëve u drejtoheshin ato fjalë.
Për shembull: Tek Musnedi i Imam Ahmedit me zinxhir të saktë ka ardhur: “I ka mallkuar Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ‘el mumeth-thilin’.”
Vëllai ynë, shejkh Mukbil, – e lus Allahun që ta mëshirojë! Pra vëllai ynë, shejkh Mukbil ibn Hadij el Uadi’ij, imami, muhaddithi fisnik, ka shkruar një libërth të cilin e titulloi: “Hyrja për në trazira dhe parlajmërimi prej ‘ikhuanul muslimin’”. Libërthi i tij është i mirë. Por kur vjen tek ‘ikhanul muslimin’ thotë se Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – i ka mallkuar ata! Sepse Profeti – alejhisselam – ka mallkuar ‘mumeth-thilin’-ët dhe ata janë ‘mumeth-thilun’! Jo pasha Allahun! Kur Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ka mallkuar ‘mumeth-thilin’-ët nuk ka për qëllim: aktorët (që është njëri nga kuptimet bashkëkohore të kësaj fjale). (Sh.p: Sipas rregullit që përmend Shatibiu, kjo fjalë: ‘mumeth-thilin’ nuk duhet kuptuar siç e kuptojnë arabët sot, sepse ajo nuk u është drejtuar arabëve të kësaj kohe, por të parëve, siç sqaruam – jo paqëllim – më sipër në kllapa).
Atëherë çfarë dëshiron të thotë Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – me këtë fjalë? Ai ka për qëllim ‘temthil’-in (gjymtimin, shpërfytyrimin, prerjen e një pjese të trupit të njeriut) pas vdekjes së tij!

Ai që shikon shprehjet e ndryshme të ardhura në transmetimet e tjera të hadithit (sh.p.: që të kuptosh sa e rëndësishme dhe sa shumë të ndihmon ta kuptosh fenë shkenca e hadithit, dhe se ajo nuk të lë të qëndrosh në skaj të kuptimeve fetare, por të zhyt në thellësitë e kuptimit të fesë). Ai që ndjek transmetimet e këtij hadithi dhe e studjon atë me rrugët e tij, dhe shikon shprehjet e ndryshme me të cilat ai është përcjellë, e di me siguri dhe bindje se kur Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – mallkon ‘mumeth-thilin’-ët, nuk ka për qëllim ‘temthil’-in (aktrimin) të cilin e promovoi (në mesin e muslimanëve) Hasen el Benna. Aktrimin dhe teatrin. Dhe në atë kohë jetonte në Egjipt Ahmed el Ghumarij, i cili pasi pa një shfaqje teatrale, pasi doli prej aty, shkoi në shtëpi, u ul në tavolinën e tij të shkrimit dhe përpiloi një libër i cili është botuar, me titull: “Ikametud delil ala hurmetit temthil” (Sqarimi i argumenteve mbi ndalimin e aktrimit). Dhe e konsideroi atë të ndaluar nga dy këndvështrime: I pari: Sepse ai është përngjasim me idhujtarët. Sepse ai është prej veprave të idhujtarëve, pabesimtarëve. Dhe këndvështrimi i dytë: sepse aktrimi përmban një lloj gënjeshtre.

Ajo që dua të them është se: në mënyrë që të mos rëshkasim dhe të humbasim, duhet së pari: t’i kuptojmë fjalët e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – në mënyrën që e kuptuan ata të cilëve iu drejtuan ato fjalë (arabët e parë) dhe së dyti: të mos i mveshim asaj kuptime që nuk i përmban gjuha arabe. Dmth Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ka thënë: “e pashë”, të dalë dikush të thotë: Jo Profeti nuk dëshiron të thotë se e ka parë, por se do ta shikojë më pas. Po mirë, nëse është kështu, çfarë e pengoi Profetin – sal lall llahu alejhi ue sel lem – të thoshte: “Do ta shikoj”?! Profeti na lajmëroi ne me një gjuhë arabe të qartë dhe na tha: “E pashë”.

Shejkh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajtë!