8. Durimi ndaj caktimeve të Allahut dhe pajtimi me to
Pajtimi me caktimet e Allahut është shkallë e lartë e besimit e cila reflekton lidhjen e sinqertë të robit me Zotin e vet. Ebu Derda [Allahu qoftë i kënaqur me të!] ka thënë: ‘Kulmi i besimit është në katër gjëra: durimin ndaj vendimit/normës, pajtimin me caktimin (e Allahut), sinqeritetin në mbështetje në Allahun dhe nënshtrim i tërësishëm Allahut, Zotit të botëve.’ [1]
Pajtimi është tipar i theksuar i besimtarëve. Në shpjegim të ajetit: “…Zoti juaj është një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni, e përgëzo të dëgjueshmit.” [El-Haxh: 35], Sufjani ka thënë: ‘Janë ata të qetit shpirtërisht, që kanë pajtuar me caktimin e Allahut dhe i janë nënshtruar Atij.’ [2] Amir bin Abd Kajsi ka thënë: Tani që kam lexuar ajetet në Librin e Allahut, nuk më bezdis se çfarë humbas nga kjo botë. Fjala është për ajetet: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që All-llahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj, Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj (pas vdekjes). Të gjitha (këto) janë në librin e njohur (Levhi Mahfudhë).” [Hud: 6]; “Atë që All-llahu ua dhuron njerëzve nga mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojnë, e atë që Ai e ndal, nuk ka kush që mund ta lirojë pos Tij; Ai është ngadhënjyesi, i gjithëdijshmi.” [Fatir: 2]; “Nëse All-llahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush që ta largojë atë pos Tij, e nëse të dhuron ndonjë të mirë, duhet ditur se Ai është i gjithëfuqishëm për çdo send.” [El-En’amë: 17].[3]
Pajtimi është ajo gjendja kur robi, siç shprehet Abdullah bin Mes’udi [Allahu qoftë i kënaqur me të!], ‘nuk dëshiron ta ndërrojë me asgjë tjetër.’[4] Kjo për shkak se ne nuk e dimë cila është më e mira për ne. Allahu na ka treguar se ndonjëherë disa gjëra i urrejmë ndërsa në fakt ato janë në të mirën tonë. “…Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu di, e ju nuk dini.” [El-Bekare: 216] Umeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] ka thënë: ‘Nuk bezdisem fort se në çfarë gjendje gdhij, e mirë apo e keqe qoftë. Kjo sepse unë nuk e di se e mira a është në atë që e dua apo atë që e urrej.’ [5]
Halef bin Ismaili rrëfen ta ketë dëgjuar një të sëmurë kronik, i cili e luste Allahun: ‘Pasha madhërinë Tënde, edhe sikur të urdhëroje insektet të ma bënin trupin copë-copë, kjo nuk do të më shtonte asgjë tjetër vetëm se durim dhe pajtim me caktimin Tënd!’[6] Pajtimi me caktimin e Allahut nënkupton t’i nënshtrohesh Atij dhe të pajtosh me të. Në shpjegim të ajetit: “Çfarëdo e keqe që ndodh (godet), nuk mund të jetë ndryshe, vetëm sipas caktimit të All-llahut, e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij;…” [Et-Tegabun: 11], Alkame ka thënë: ‘Është sprova që e godet njeriun ndërsa ai e di se është prej Allahut kështu që i nënshtrohet asaj dhe pajton me të.’ Pajtimi është pasuria shpirtërore e cila e bën njeriun të kënaqet me atë që e ka dhe të mos i nënshtrohet askujt për atë që nuk e ka. ‘Pajto me atë që ta ka dhënë Allahu, do të jesh njeriu më i pasur’- ka thënë Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!].[7] Kjo ngase, siç thotë Ibn Mes’udi [Allahu qoftë i kënaqur me të!], ‘Allahu me drejtësinë dhe diturinë e Tij ka caktuar që kënaqësia dhe rrugëdalja nga problemet të jenë në bindje (në Allahun) dhe pajtim (me caktimin e Tij), ndërsa brenga dhe pikëllimi të jenë në dyshim dhe hidhërim (ndaj caktimit të Allahut).’ [8]
Pajtimi me caktimin e Allahut është mençuri e besimtarit, sepse ai e di që caktimet nuk mund t’i ndryshojë, andaj që të shpërblehet, pajton me to. Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të!] e kishte parë një të sprovuar me sëmundje dhe i kishte thënë: ‘O Adij, kush pajton me caktimin e Allahut, ndodhë caktimi ndërsa ai shpërblehet. Kurse kush nuk pajton, ndodhë caktimi ndërsa ai nuk shpërblehet.’ [9]
Porosia: ‘Pajtimi është dera më e madhe e Allahut, është parajsa e kësaj bote dhe pushimorja e adhuruesve.’[10]
Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami
[1] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 85.
[2] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 99.
[3] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 106.
[4] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 85.
[5] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 65.
[6] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 90.
[7] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Imam Ahmedi ndërsa Albani e konsideron hasen – të mirë.
[8] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 111.
[9] Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 53.
[10] Thënie e Abdul Vahid bin Zejdit. Shih: Ibn Ebi Dunja, Err-rrida ani-l-Lahi bi kadaihi, fq. 51.