Mbështetja në Allahun nënkupton t’ia dorëzosh Allahut çështjen tënde tërësisht dhe të besosh thellësisht në zemër se plotësimi i kërkesave dhe largimi i të këqijave nuk ndodhë ndryshe vetëm se me ndihmën e Allahut. Abdullah Kureshiu kur është pyetur për tevekkulin (mbështetjen në Allahun) ka thënë: “Të lidhësh/mbështetesh për Allahut në çdo gjendje.”
Mbështetja në Allahun është test i besimit dhe lidhjes së robit me Allahun në momentet më kritike. “…pra, besimtarët le t’i mbështeten vetëm All-llahut.” [Ibrahim: 11] Në Kur’an, Allahu na rrëfen për besimtarët e tillë e thotë:. “E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojnë, pra kini frikë!” Ajo, vetëm u a shtoi edhe më shumë besimin e thanë e thanë: “Neve na mjafton që kemi All-llahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!”.” [Ali Imran: 173] Allahu na ka mësuar se nëse e kemi Atë, nuk duhet të na frikësojë askush tjetër: “A nuk i mjafton All-llahu robit të vet? E ata të frikësojnë ty me të tjerët pos Tij. Po atë që e ka humbur All-llahu, për të nuk ka udhëzues!” [Ez-Zumer: 36]: “…Kështu i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij,…” [Et-Talak: 3]
Mbështetja në Allahun, në këtë kontekst, gjithsesi se është tipar i Profetëve. Musai [Paqja qoftë mbi të!] që kishte marrë rrugën e Medjenit ndera ishte i lodhur dhe rraskapitur, iu dha ujë kafshëve të dy femrave, dhe më pas u ul nën hije për të pushuar dhe për ta lutur Allahun t’i ndihmonte. Nuk shkoi gjatë dhe zgjidhja erdhi. Thotë Allahu: “E kur arriti ujin e Medjenit, aty gjeti një grumbull njerëzish që po i jepnin bagëtisë ujë, e pak më larg prej tyre vërejti dy gra që o i ndalnin (kafshët e tyre) e u tha: “E çka është puna e juve dyjave?” Ato që të dyja i thanë: “Ne nuk u japim ujë deri që të largohen barinjtë, kurse babai ynë është shumë i vjetër!” (23) Atëherë ai u dha ujë (kafshëve) të tyre, pastaj u largua anash nën një hije e tha: “O Zoti im, unë kam nevojë për çka do që të më japësh!” (24) E njëra prej tyre erdhi te ai, ecte e turpërueshme, e tha: “Babai im të thërret që të paguaj ty shpërblimin për atë që na u dhe (bagëtisë) ujë!” E Kur shkoi (Musai) te ai dh ai i tregoi atij ngjarjen, ai tha: “Mos ke frikë, paske shpëtuar nga populli zullumqar!”.” [El-Kasas: 23-25]
Mbështetja në Allahun nuk është dobësi e aq më pak pasivitet. Mbështetja në Allahun nënkupton të japim mundin tonë së pari e pastaj të mbështetmi tek Allahu. Një njeri i tha Profetit [Paqja qoftë mbi të!]: O i Dërguari i Allahut, a ta lidhi devenë dhe të mbështetem në Allahun apo ta lë të lirë dhe të mbështetem? Lidhe, e pastaj mbështetu– ia ktheu ai.[1]
Mbështetja në Allahun nënkupton të mbështetësh në Atë që nuk vdes kurrë, në Atë që nuk ka nevojë për askënd ndërsa të gjithë kanë nevojë për Të: “Ti mbështetu Atij të përjetshmit që nuk vdes kurrë, madhëroje me lavdërimin që i takon Atij, Ai mjafton për njohje në hollësi të mëkateve të robërve të vet.” [El-Furkan: 58] Njeriu i drejtohet Allahut dhe i mbështetet Atij e jo njerëzve për faktin se këta të fundit janë sikur ai: të dobët dhe të varur nga Allahu.
Mbështetja në Allahun nënkupton të pajtosh me caktimet e Allahut sepse ato janë zgjidhja e Allahut për ty. Bishr el-Hafiu ka thënë: ‘Ka gënjyer ai që thotë se është mbështetur në Allahun ndërsa nuk pajton me atë që ka caktuar Allahu për të. Kjo për arsye se pajtimi është fryt i mbështetjes.’ Jahja bin Muadhi ka thënë: ‘Njeriu do të mbështetet sinqerisht në Allahun kur të pajtoj me Të mbështetës.’
Mbështetja në Allahun nënkupton që të kesh më shumë shpresë dhe besë në atë që është tek Allahu se sa në atë që e posedon ti. Një njeri shkoi Shibliu dhe iu ankua se kishte anëtarë të shumtë të familjes ndërsa nuk dinte si tua bënte çarën. Shko në shtëpi dhe shih se kush nuk e ka furnizimin prej Allahut sillma mua– i tha Shibliu.
Pra, në mënyrë ironike, për t’i treguar se atë që e ka krijuar Allahu, ia ka caktuar edhe furnizimin. Në një hadith profetik qëndron: ‘Njeriun e ndjek furnizimi më shumë se që e ndjek vdekja.’
Tevekkuli ose mbështetja në Allahun është moral i cili ruan besimtarin nga të këqijat, nga përfitimi i paligjshëm. Nëse njeriun e ndjek rizku më shumë se vdekja, atëherë pse të fitojë haram? Abdullah bin Mubareku ka thënë: “Kush e merr një centë nga harami, nuk është mbështetur në Allahun.”
Porosia: “…Kështu i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij,…” [Et-Talak: 3]
Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami
[1] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron hasen– të mirë.