Duaja e nënës

Duaja e nënës

Iu luta të vetmit Pranues të
lutjeve që të mos vdisja pa
t’i thënë disa fjalë…

Papritur, nga sytë e saj gjysmë të hapur ranë dy lot të kristaltë që në
shpejtësi i përpiu çarçafi i bardhë i jastëkut. Fytyra iu zverdh dhe nga
dora i ra dhurata ime që ia kisha blerë. Me dhjetëra mjekë u sulën drejt saj,
ndërsa unë si e paditur u gjenda jashtë dhomës, në korridor. Vazhdimisht qaja
dhe sillesha andejkëndej duke pritur ndonjë lajm. Ajo kishte hapur sytë përsëri.
U ula pranë shtratit të saj dhe po e shikoja, kur për një çast sytë e saj të
lodhur i drejtoi nga unë, sikur dëshironte të me fliste diçka.

“Bija ime, gjatë kësaj kohe sa isha në agoni, iu drejtova Allahut me dy lutje:
njërën nga të cilat ma pranoi menjëherë…”.
Mirë, mirë, i thosha unë, por mos u lodh tani, pusho pak. Ajo nuk më përfillte
dhe vazhdoi të fliste: “Iu luta të vetmit Pranues të lutjeve që të mos vdisja
pa t’i thënë disa fjalë dhe me gjithë dijen e Tij, duke e njohur një zemër nëne,
Ai ma pranoi këtë dua”.
Pushoi edhe pak dhe m’u drejtua: “ …e dashura ime, ki frikë vetëm Allahun
dhe mos adhuro kurrë asgjë tjetër përveç Tij. Të gjitha adhurimet,
falënderimet, jetën dhe vdekjen tënde kushtoja vetëm Allahut dhe askujt
tjetër.”

Isha rritur larg nga nëna dhe kurrë më parë askush nuk më kishte folur për
diçka të tillë, madje fjalën Allah e kisha dëgjuar vetëm si emër.
“… mos harro, vazhdoi ajo, Allahu të krijoi kur ti nuk ishe fare dhe a e din
pse? Që ti ta adhurosh vetëm Atë. Të obligoi ta falësh namazin, ta japësh
zekatin, të agjërosh…, dhe ndër të tjera të obligoi të mbulohesh. Ktheje
kohën vetëm pak prapa, para se ti të shkosh në Amerikë.  A të kujtohet se
si faleshim së bashku, si zgjoheshim para agimit dhe hanim bukë, pastaj nuk
hanim e nuk pinim më deri në mbrëmje?
A të kujtohet se sa bukur e lidhja shaminë në kokë kur shkonim tek ajo
plaka e varfër në fshatin tonë dhe i dhuronim ca para?
“Mos u shqetëso, i drejtohesha unë, të premtoj se do t’i bëj të gjitha
këto, por mos më thuaj që t’i mbuloj këta flokë që sapo më janë rritur pak,
madje po lodhem duke u kujdesur për ta, e si t’i  mbuloj të lutem?!”

Ajo buzëqeshi pak dhe më pyeti:
“ Më thuaj një gjë: ky ari që ti e ke vënë rreth qafës, a thua nga ku nxirret?
– Nga minierat ia ktheva, nga ato më të thellat.
Po nafta për të cilën po bëhen kaq shumë luftëra?
– Nga toka – ia ktheva prapë.
“Po uji aty tek bunarët tonë, prej nga vjen ai?
Thellë nga toka, iu përgjigja unë, duke mos e kuptuar se çfarë dëshironte
të thoshte ajo.

Pasi pushoi edhe pak më tha:
“A nuk janë të mbuluara pra të gjitha gjërat e çmuara në këtë botë?
Bija ime, Allahu na ka nderuar shumë duke na krijuar femra, prandaj për të
na ruajtur si të çmuara që jemi, na ka obliguar që të mbulohemi. Të gjitha
gjërat e vlefshme që i blejmë, shitësi na i mbështjellë mirë me ambalazh
dekorues, apo jo?
Mos i harro kurrë këto fjalë, futi thellë në zemrën tënde dhe mos i shkul kurrë
nga aty…
Nxitova dhe me të shpejtë e pyeta: ”Po lutja e dytë?
Me zë të lodhur ajo m’u përgjigj.
”Iu luta Zotit të të udhëzoj ty”.

Bisedën ia ndaloi një alarm trishtues i aparatit që kishte pranë, në ekranin
e të cilit shihej vetëm një vijë e drejtë. Tani zemra i kishte pushuar së
rrahuri dhe shpirti i saj kishte marrë rrugën drejt Krijuesit të tij. Fytyra e
saj e kufizuar me shami ngjyrë hiri, tani shkëlqente si hëna e plotë.
U ngrita ngadalë dhe për herë të parë iu luta Allahut duke qarë e dënesur:
“O Zoti im, tani e mora vesh se pa dyshim Ti je pranuesi i lutjeve, plotësues
i dëshirave. Të lutem shumë pranoja lutjen nënës sime dhe më udhëzo në
rrugën e drejtë, në rrugën e atyre që ta kanë frikën vetëm Ty, që gjithçka
në këtë jetë ta kushtojnë vetëm Ty dhe mos më lejo që të devijoj pasi të
më kesh udhëzuar. Mëshiroji të gjitha nënat që tani shpirtin ta kanë
dorëzuar Ty, falna o Allah,me se me të vërtetë vetëm ti i falë krijesat e
Tua mëkatare.”

Shpresa Basholli