DOBI NGA FJALËT E ALLAHUT: “Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato”

0
226

Dobi nga fjala e Allahut

“Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato“[1]

Gruaja e ruan dhe e mbron burrin nga devijimi dhe epshet.
Ashtu si petku mbulon njeriun, ashtu edhe burri është mbrojtje e mbulesë për gruan nga çdo ndikim i jashtëm.
Ashtu si petku e mbulon tërë trupin pos asaj që patjetër duhet të shfaqet, ashtu edhe burri e gruaja janë mbulesë për njëri-tjetrin nga gjërat e pahijshme.
Petku e bën njeriun të ndihet i rehatshëm dhe i qetë, kështu duhet të jenë edhe bashkëshortët për njëri-tjetrin.
I mençur është ai që zgjedh petkun që i përshtatet, kështu edhe lidhjet bashkëshortore janë të ndërtuara mbi parimin e përshtatshmërisë.
Lidhjet bashkëshortore janë lidhje integrale, që do të thotë se secili plotëson tjetrin, e mbyll mangësinë e tjetrit dhe drejton gjënë e shtrembër, sikurse petku.
Ashtu si gjurmon pas petkut të bukur e të përshtatshëm për personalitetin tënd, ashtu zgjidh gruan e mirë dhe anasjelltas.
Siç ka lidhje të llojllojshme- trupore, shpirtërore, emocionale, konkrete e abstrakte- mes dy bashkëshortëve, edhe petku është i shumëllojshëm dhe vishet për shumë arsye.
Ashtu si ke nevojë të durosh nganjëherë ndaj petkut të ngushtë, ashtu duhet të durosh ndaj gabimeve të bashkëshortit.
Lidhjet bashkëshortore duhet të jenë shumë të ngushta dhe të lidhura fort sikurse petku, që është një pjesë e pandashme.
Ashtu si njeriu gjen rehati në rrobat e tij, ashtu edhe bashkëshortët duhet të jenë për njëri tjetrin.
Sikurse rrobat kanë nevojë për përtëritje, ashtu edhe sjelljet mes bashkëshortëve duhet të ndryshojnë kohë pas kohe.
Është mrekulli se si një citat kur’anor me shprehjen më të shkurtër, me fjalët më domethënëse dhe me kuptimet më të bukura sqaron dhe vë themelet e lidhjes bashkëshortore.
Ashtu si ke nevojë që rrobat të të mbrojnë nga të ftohtët e madh, ashtu edhe bashkëshortët kanë nevojë për njëri-tjetrin në rastet më të rënda.
Fjala e Allahut “petk për ju” është intimitet i mrekullueshëm për burrin, prandaj mos mendo, mos shiko, mos lakmo dhe mos dashuro tjetër pos gruas tënde.
Lidhjet bashkëshortore janë lidhje harmonie, pajtueshmërie, lidhje të ndërtuara mbi dashuri e dhembshuri, lidhje ku të drejtat dhe obligimet janë të ndërsjella.
Imam Katade për ajetin në fjalë ka thënë se “ato janë për ju prehje dhe ju jeni për to prehje”.
Ndërsa Rebi ibën Enes thotë se “ato janë për ju mbulojë dhe ju për to jeni mbulojë”.
Pasi këto lidhje janë në këtë shkallë përzierjeje mes tyre, atëherë është e pakuptimtë ftohja e lidhjeve dhe largimi e ndarja nga njëri-tjetri për kohë të gjatë.
Në aspektin e retorikës, në ajet ka përngjasim njëjës me njëjës (petku) në mënyrë të përgjithshme pa asnjë kusht, pra nuk ka gjëra zyrtare apo urdhra, nuk ka udhëheqës e të udhëhequr në mes bashkëshortëve.
Në ajet ka gjithashtu përngjasim konkret që tregon për përfshirje dhe mbulim të plotë, gjithashtu ka përngjasim abstrakt që tregon se secili e mbulon tjetrin.
Sikur të bashkoheshin xhinnët dhe njerëzit që të sjellin një shprehje letrare që përshkruan lidhjet bashkëshortore, nuk do të mund të sillnin diçka të ngjashme me këtë ajet.
Kjo fjalë e Allahut është sinjal për nevojën e burrit për gruan, për rëndësinë, domosdoshmërinë dhe pozitivitetin e saj në jetën e burrit.
Ajeti kur’anor tregon se sa të thella duhet të jenë lidhjet familjare dhe bashkëjetesa bashkëshortore, larg sipërfaqësores dhe manifestimeve të jashtme.
Ajeti aludon për atë se burri dhe gruaja përbëjnë një tërësi, që e zbukuron njëri-tjetrin me mbulesë, ruajtje, mbrojtje, dhembshuri e butësi.
Lidhjet bashkëshortore duhet të jenë të ndërtuara mbi dashuri, butësi e afërsi derisa të bëhen një trup, një shpirt e një zemër.
Ajeti kur’anor përmban siguri për prindin nga frika e kalimit të kujdesit të tij ndaj bijës në dikë tjetër, ngase prindi ndihet i frikësuar për jetën e re të bijës së tij.
Ajeti kur’anor aludon për një lidhje të fortë që përballon pengesat dhe që secili prej bashkëshortëve të sillet mirë dhe të ketë durim.
Përshtati: Dr. Fidan XHELILI

__________________

[1] Kur’an, El-Bekare: 187

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here