Dita e gjykimit…?

0
207

Dita e gjykimit…?

Kështu është kjo jetë:
për kafshët kujdesen në mënyrë prindërore, ndërsa mbi njerëzit në vendet ku ka luftë, testojnë armët moderne!
Fakti qe do të ketë Ditë të Gjykimit tregon për Drejtësinë e madhe që ka Allahu. Jetojmë me pak se një shekull në ketë jetë. Vdesim dhe ngjallemi e dalim para Allahut në Ditën e Gjykimit. Kriminelet e kësaj jete të shkurtër në Zjarr, e të mirët në Xhennet përjetësisht. (Kjo) Drejtësi hyjnore për të cilën flasin të gjitha librat me origjinë hyjnore.
Disa nga ta, muslimanë në origjinë, të cilët e mohojnë këtë Ditë, nuk e mohojnë se nuk arrijnë ta prekin, ta shohin, ta perceptojnë, sepse as Zotin nuk arrijnë ta prekin, shohin e perceptojnë me mendjet e tyre dhe e besojnë që ekziston. Shumica e mohojnë nga frika e përballjes me realitetin e asaj Dite ngaqë nuk kanë përgatitur gjë për takimin me Zotin dhe Gjygjin para Tij. Mohimi i diçkaje të cilën e kemi frikë, nuk na shmang përballjen me të.
Ata që e mohojnë atë Ditë me pretekstin e ateizmit, nuk është se nuk e kuptojnë realitetin e saj dhe se nuk kanë shpjegim logjik për të, por ta mohosh Zotin dhe çdo aspekt të fesë, është rruga më e shkurtë me të cilën arrin të mos ndihesh në faj për të gjitha gjërat që ndalon Zoti dhe njeriu i vepron. Nuk është mungesë argumenti e as mungesë intuite, por është serish shmangie e përgjegjësive.
Njerëzit që seriozisht kanë dyshime në drejtësinë dhe mesazhin e kësaj Dite, janë të paktë. Ata duhet të kuptojnë që nëse do t’i ishte vetëm kjo jetë e kësaj bote, s’do të kishte kuptim ekzistenca jonë, kjo sepse në këtë botë ndodhin shumë padrejtësi. Njerëzit më të dashur të Allahut, Profetët, janë njerëzit më të vuajtur në të. E sikur të ishte vetëm kjo jetë dhe të mos kishte Ditë të Gjykimit, Allahu nuk do t’i lejonte të vuanin e sprovoheshin Profetët dhe njerëzit e mirë e t’iu bëhej padrejtësi nga të këqijtë. Kjo është jetë e shkurtë ku secili lihet i lirë të bëjë çfarë të dojë, të zgjedhë vetë rrugën e tij, e në bazë të asaj që vepron, do të shpërblehet me përjetësi, ose dënohet përkohësisht ose përjetësisht.
Megjithatë, njerëzimit i janë dërguar mbi 100’000 Profetë nga Allahu, për t’i përkujtuar se cila është rruga e saktë dhe askush nuk është detyruar (nga Kaderi) ta ndjekë atë rrugë ose rrugën e keqe. Pra, Zoti na ka lënë të lirë të bëjmë çfarë të duam dhe ta zgjedhin rrugën tonë në jetë. Por, nuk na ka bërë padrejtësi duke na lërë në humbje pa na dhënë shans të njohim rrugën e drejtë. Nuk ka njeri të cilit nuk i arrin thirrja profetike dhe feja. Nuk ka njeri i cili nuk ka dëgjuar apo lexuar se çfarë ka tërhequr vërejtjen Profeti i popullit të tij dhe i kohës së tij. Edhe sot, nuk ka njeri qe nuk ka dëgjuar asgjë për Muhamedin (salAllahu alejhi ue selem) dhe Islamin. Nuk ka asnjë njeri, i çfarëdo feje qoftë, i cili nuk di disa gjëra bazë për Islamin (kuptohet përveç izolimeve politike dhe pengesave natyrale si koreano-veriore që mundet të mos e njohë fare Islamin sepse ka lindur në komunizëm, si dhe njeriu shurdh-memec që nuk ka dëgjuar e lexuar kurrë asgjë etj., raste ekstreme si këto; ata janë te justifikuar në këtë botë dhe u jepet shans në Ditën e Gjykimit që të tregojnë vetën).
Nuk thotë dot kush në Ditën e Gjykimit: “Unë nuk e dija rrugën e drejtë, se do ta kisha ndjekur!” Në Ditën e Gjykimit nuk thotë dot kush: “Më fal, o Zot, se nuk e paskam ditur se vrasja është krim, se tradhtia bashkëshortore është krim, se vjedhja është krim!”
Njerëzit vepruan çfarë deshën duke qenë të vetëdijshëm dhe përgjegjës për veprimet e tyre dhe në çdo kohë Profetët i paralajmëruan se ajo që e veprojnë në këtë jetë, do të jetë përcaktuese e përfundimit të tyre në jetën e përjetshme: në Xhenet me Mëshirën e Allahut ose në Zjarr me krimet e gjynahet e tyre.
Pra, Dita e Gjykimit është vënie e drejtësisë në vend. Sikur të mos kishte Ditë të Gjykimit, të mirët do të jetonin dhe vdisnin me plot padrejtësi ndaj tyre dhe s’do ta merrnin kurrë hakun e tyre dhe drejtësinë që meritojnë. Po te mos ishte kjo jetë dhe të ishim futur të gjithë në Xhennet, nuk do të ishte e drejtë që aty te jetonte në mirësi ai që është i mirë bashkë me atë që është kriminel. Po të futeshim direkt në Zjarr, nuk do të ishte drejtësi që i miri të dënohej ashtu siç dënohet krimineli. Po të ndaheshim me short disa për në Xhenet e disa për në Zjarr, mund të bjerë shorti të hyjë në Zjarr i miri, e kjo nuk është e drejtë. Po të na fuste Zoti aty ku meritojmë, i keqi do të ankohej “nuk pata shans ta vërtetoj që nuk jam i keq dhe mua m’u bë padrejtësi”. Mundësia e kësaj jete të shkurt në të cilën jemi momentalisht, nuk i lë askujt shans të thotë “m’u bë padrejtësi, se nuk jam i keq”. Askush nuk mund të thotë “pse hyra në Zjarr, e pse nuk hyra Xhennet?” sepse iu dha mundësia pothuajse një shekull që të meritonte të ishte prej banorëve të Xhennetit.
Askush nuk na detyron të jemi të këqij në këtë jetë. I keqi ka zgjedhur të jetë i tillë dhe do ta marrë atë qe meriton. I miri që e kaloi faqebardhë këtë jetë, pak a shumë njëshekullore, do të jetë në mirësi të përjetshme në Xhennet dhe për të gjitha padrejtësitë që i janë bërë gjatë kësaj jete, do t’i jepet haku i tij dhe do t’i rriten gradat e shpërblimet ne Xhennet. Askush nuk mund të thotë “nuk kisha mjaftueshëm mundësi të bëja kthesë”, sepse kaq dekada deri në një shekull janë kohë mese e mjaftueshme. Po të mos kishte as Xhenet e as Zjarr, nuk do të kishte drejtësi dhe i keqi e i miri do ishin të barabartë, si dhe e keqja dhe e mira do ishin të barazvlefshme e do jetonim duke bërë padrejtësi ndaj njëri-tjetrit, sepse askush nuk do të dënohej, ngaqë nuk ka Zjarr e Xhennet. Në këtë mënyrë, i miri do të ishte përjetësisht i shtypur.

Ata që dyshojnë se a mund të ndodhë Dita e Gjykimit, duhet të meditojnë në krijimin e Zotit. Zoti ka mundur të krijojë Qiejt e Tokën. Zoti është i Plotfuqishëm dhe ka në Dorë të bëjë çfarë të dojë. Pse atëherë nuk mundka të bëjë të ndodhë kjo Ditë Madhështore?!

Ata që dyshojnë se a mund ta ringjallë Zoti njeriun, të rikujtojnë se Zoti e krijoi njeriun nga asgjëja dhe i dha jetë, e pse qenka e pamundur disa kockave që janë prezente t’u japë serish jetë?!

Nëse mendon se këto janë iluzione, njeriu duhet të rikujtohet se këto janë të përmendura në Kuran dhe ashtu siç e beson se Kurani është Libër i Zotit dhe çfarë është në të është e vërtetë, ta besojë edhe jetën e përtejme e cila është përmendur në Kuran me detaje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here