DHJETË SHKAQET E HYRJES NË XHENET

0
247

Falënderimi i takon Allahut, të vetmit që meriton adhurim, të vetmit që jep shpërblime pas vdekjes dhe bën llogarinë në Ditën e Gjykimit. Përshëndetjet tona qofshin mbi të dashurin e Allahut, Muhamedin, mbi atë që na mësoi rrugën për në xhennet, mbi shokët e tij dhe pasuesit e tyre deri në Ditën e Fundit.

Në vazhdim do të paraqesim disa nga shkaqet që e bëjnë muslimanin të shpresojë për hyrjen në xhennetet e Allahut, të cilat Ai i ka përgatitur për njerëzit e devotshëm.

Imani dhe veprat e mira
Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira janë prej banorëve të xhennetit dhe aty janë përgjithmonë.” El Bekare: 82

Pra, shkak për hyrjen në xhennet të njerëzve është besimi në Allahun e Lartësuar, Zotëruesin e gjithçkaje, i Cili është i vetmi që e meriton adhurimin dhe që i përkasin emrat dhe cilësitë më të larta, siç na ka treguar Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në hadithe apo Allahu i Lartësuar në Kur’anin Famëlartë. Ky është besimi i pastër në Allahun, duke mos e përngjarë Atë me asnjë krijesë të Tij, ngase Allahu thotë në Kur’an: “Atij nuk i përngjan asgjë dhe Ai është Gjithëdëgjuesi Gjithëshikuesi!” . Esh Shura: 11

Pas këtij besimi të pastër vijnë veprat e mira, të cilat bëhen vetëm për hir të Allahut, duke shpresuar në shpërblimin e Tij në Ditën e Gjykimit.

Bindja ndaj Allahut dhe Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem;
Allahu i Lartësuar thotë: “E kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai atë e shpie në xhennete, ku rrjedhin lumenj. E kush e kundërshton Atë, e ndëshkon me një dënim të dhembshëm.” El Fet’h: 17
Pra, kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij për atë që ka urdhëruar Allahu në Kur’an apo Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në hadithet e tij, qofshin obligime apo ndalesa, Allahu e fut në xhennetet ku rrjedhin lumenj, ndërsa kush nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, pra i kundërshton urdhrat e Allahut apo të të Dërguarit të Tij, Allahu do ta dënojë me një dënim shumë të rëndë.

3. Qëndrueshmëria në fenë e Allahut

Allahu thotë: “Pa dyshim se për ata që thonë Zoti ynë është Allahu dhe qëndrojnë të vendosur në këtë besim të pastër islam, mu për këta nuk do të ketë aspak frikë dhe as nuk do të pikëllohen. Të këtillët janë banorë të xhennetit përgjithmonë si shpërblim për atë që kanë punuar.”El Ahkaf: 12-13

Sa i përket qëndrueshmërisë në fenë e Allahut, kur është pyetur Ebu Bekri radijAllahu anhu, ka thënë se me qëndrueshmëri (istikame) është për qëllim mosbërja shirk Allahut të Lartësuar, ndërsa Umeri radijAllahu anhu ka thënë se është për qëllim qëndrueshmëria në zbatimin e urdhrave të Allahut dhe shmangies së ndalesave të tij. Aliu radijAllahu anhu ka thënë që është për qëllim qëndrueshmëria në farzet e Allahut, ndërsa Uthmani radijAllahu anhu ka thënë që është për qëllim bërja e veprave vetëm për Allahun e Lartësuar. Ikrime, një dijetar, ka thënë se është për qëllim qëndrueshmëria në fjalën La Ilahe ila-lAllah derisa të takojmë Allahun e Lartësuar.[1]

Durimi në sprova dhe telashe
Allahu i Lartësuar thotë: “Po ju menduat se do të hyni në xhennet pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, saqë i Dërguari thoshte, e me të edhe ata që kishin besuar: “Kur do të jetë ndihma e Allahut?!” Ja (u erdhi ndihma), vërtet ndihma e Allahut është afër!” El Bekare: 214

Edhe durimi është njëri prej shkaqeve që e shpie njeriun në xhennet. Për këtë kemi shembull Pejgamberët e Allahut, të cilët u sprovuan më së shumti nga ana e Allahut. Njëri prej tyre ishte Ejubi alejhi selam, të cilin Allahu e sprovoi me shëndetin dhe familjen e tij, por ai duroi me vite të tëra, derisa Allahu i Lartmadhëruar e shëroi nga sëmundja dhe ia ktheu familjen. Edhe Jusufi alejhi selam u sprovua shumë, u hodh në pus, iu mvesh gënjeshtra e gruas së mbretit dhe vuajti në burg për shtatë vite, mirëpo bëri sabër dhe pastaj Allahu e bëri prijës të atij populli dhe triumfoi e vërteta mbi gënjeshtrën. Edhe Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u sprovua shumë me popullin e Mekës. Për 13 vite vuajti nga fyerjet dhe ndëshkimet që i bënin atij dhe muslimanëve në përgjithësi, saqë edhe të brendshmet e barkut të kafshëve ia hidhnin në shpinë kur ai binte në sexhde duke i bërë ibadet Allahut. E quajtën të çmendur, falltar dhe shpifën shumë kundër tij, mirëpo sabri i tij ishte i lartë. Pas këtij sabri, Allahu i Larmadhëruar i mundësoi hixhretin në Medinë, atje ku e përhapi fenë e Allahut dhe pas disa vitesh e çliroi edhe Mekën dhe triumfoi e vërteta mbi të kotën dhe gënjeshtrën. Këta janë vetëm disa shembuj që na japin mësim se si të bëjmë sabër në sprova dhe në bela nga më të ndryshmet.

Devotshmëria ndaj Allahut të Lartësuar
Allahu thotë: “I tillë është xhenneti, të cilin Ne do t’ua dhurojmë trashëgim atyre nga robërit Tanë që kanë qenë muttekinë (të drejtë e të devotshëm në besimin e vërtetë islam).” Merjem: 63

Devotshmëri do të thotë të jesh i përkushtuar ndaj Allahut, i drejtë dhe larg gënjeshtrës.

Devotshmëria arrihet duke e dashur Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe duke bërë vepra të mira në përputhje me Sunnetin e të Dërguarit të Allahut. Këto xhennete do t’i trashëgojnë ata që ia kanë dhënë besën Allahut për devotshmëri dhe largim nga shirku dhe veprat e liga.

Shehidllëku në rrugën e Allahut
Allahu i Lartësuar thotë: “E ata që ranë shehidë në rrugën e Allahut, atyre kurrsesi nuk ua humb veprat (por ua shton), ata do t’i udhëzojë dhe do t’ua përmirësojë gjendjen.” Muhamed: 4-6

Shehidllëku është grada më e lartë që arrin besimtari. Njëri prej privilegjeve që Allahu u ka dhënë shehidëve është se ata nuk e përjetojnë jetën në varreza, por jetojnë një tjetër jetë dhe furnizohen tek Allahu me ushqime të ndryshme. Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka këshilluar Muadh ibën Xhebelin, i ka thënë ashtu siç kanë transmetuar Imam Ahmedi dhe Imam Tirmidhiu nga Muadh bin Xhebeli, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i ka thënë Muadhit: “O Muadh, a dëshiron të të tregoj kreun e çështjes, shtyllën e saj dhe kulminacionin e saj?” Tha: “Po, o Resulullah!” Pejgamberi tha: “Çështja kryesore është besimi në Allahun dhe Pejgamberin e Tij, shtylla e saj është namazi, kurse kulminacioni i saj është xhihadi në rrugë të Allahut.” Nga ky hadith mësojmë se çfarë vlere dhe pozite ka shehidllëku tek Allahu i Lartësuar. Allahu na bëftë prej tyre, amin!

Largimi nga gjynahet e mëdha
Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse largoheni prej gjynaheve të mëdha, të cilat u janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm.” En Nisa: 31

Disa nga gjynahet e mëdha janë: shirku, kamata, zinaja, alkooli, magjia, ikja nga fronti i luftës. Për më tepër mund të lexoni tek libri i Imam Dhehebiut me titullin “Mëkatet e mëdha”, që është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Pendimi tek Allahu i Lartësuar
Allahu thotë: “E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin dhe u dhanë pas kënaqësive (trupore) e më vonë do të hidhen në çdo të keqe, me përjashtim të atij që pendohet dhe beson e bën vepra të mira. Të tillët do të hyjnë në xhennet dhe atyre nuk u bëhet kurrfarë e padrejte.” Merjem: 59-60

Pendimi duhet të jetë i pranishëm tek çdo besimtar. Gjuha e tij duhet të jetë e lagur nga kërkimi i pendimit për veprat e këqija që ka bërë, ngase pendimi i sinqertë i pastron veprat e liga, prandaj e lusim Allahun që të na bëjë prej atyre që pendohen.

Mbështetja tek Allahu i Lartësuar
Allahu thotë: “E ata që besuan e bënë vepra të mira, atyre do t’u bëjmë vend të lartë në xhennet, në të cilin rrjedhin lumenj. Aty janë përgjithmonë, sa i mirë është shpërblimi për ata që vepruan, të cilët bënë durim dhe vetëm Zotit të tyre iu mbështetën.” El Ankebut: 58-59

Mbështetja tek Allahu është njëra prej shkaqeve që shpijnë në xhennet. Besimtari duhet t’i mbështetet Allahut në çdo gjë që vepron dhe duhet të besojë se nëse Allahu do, ajo punë do të bëhet. Por nëse Allahu nuk do, nuk bëhet asgjë pa lejen e Tij. Ne duhet të mbështetemi tek Allahu për punët tona, të vogla qofshin ato apo të mëdha.

Frika nga Allahu
Allahu i Lartësuar thotë: “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe e ndaloi veten prej epsheve, xhenneti është vendi i tij.” En Naziat: 40-41

Nga ky ajet kuptojmë që këta besimtarë janë frikësuar nga dalja para Allahut në Ditën e Gjykimit, atë ditë ku asnjë njeri nuk guxon të flasë pa lejen e Allahut, madje as Pejgamberët e Allahut nuk flasin përveçse me lejen e Allahut, siç na ka treguar i Dërguari i Allahut. Atë ditë Allahu është shumë i hidhëruar dhe askush nuk guxon të flasë, saqë njerëzit nuk mund të bëjnë sabër nga vapa e diellit, që qëndron mbi kokat e tyre. Kjo gjendje vazhdon për 50 mijë vjet, pastaj njerëzit ankohen dhe i drejtohen Ademit alejhi selam, duke e lutur që të ndërmjetësojë tek Allahu për fillimin e Ditës së Gjykimit, mirëpo Ademi alejhi selam nuk pranon. Pastaj i drejtohen Nuhut e pastaj Ibrahimit, Musait dhe Isait, paqja qoftë mbi ta, por asnjëri prej tyre nuk pranon sepse secili është i preokupuar me veten e tij. Pastaj i drejtohen Vulës së Pejgamberëve, Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Ai pranon dhe i bie në sexhde Allahut, duke e lutur që të fillojë Dita e Gjykimit. Një gjë është interesante në këtë gjendje shumë të vështirë, se Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Ummeti im, ummeti im!” Edhe në atë gjendje nuk e harron ummetin e vet. Kësisoj fillon Dita e Gjykimit. Këta besimtarë i janë frikësuar kësaj dite dhe janë larguar prej epsheve dhe Allahu i shpie në xhennet. Allahu na bëftë prej tyre, amin![2]

Përgatiti shtëpia botuese :“Darul Kasim”

Përshtati: Ruzhdi BUZOKU

___________________________________________________

[1] Tefsiri i Imam Begaviut, fq. 1186.

[2] Përmbledhje e këtij tregimi nga libri “Shenjat e kiametit”, Jusuf el Wabil.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here