BESIMI NË DITËN E KIAMETIT

0
251

Besojmë në ditën e Fundit, ditën e Kiametit, pas së cilës nuk ka ditë tjetër. Ajo është dita kur njerëzit ringjallen për të qëndruar përgjithmonë ose në Shtëpinë e Kënaqësisë (Xhenet), ose në Shtëpinë e dënimit të dhembshëm (Xhehenem).

Besojmë në ringjallje, pra në ringjalljen që Allahu i Lartësuar ua bën të vdekurve, kur Israfili fryn në Suri (Bri) për të dytën herë. Në Kuran lexojmë: “Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen (ngrihen nga varret) e do të shikojnë (çfarë do të bëhet me ta).” (Ez-Zumer, 68)

Pra, njerëzit do të ngrihen nga varret e tyre për ta dalë para Zotit të botëve; ata do të jenë këmbëzbathur, lakuriq (pa rroba) dhe të pa bërë synet. Në Kuran lexojmë: “Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” (El-Enbija’, 104)

Besojmë në regjistrat ku janë të shënuara veprat, të cilat do t’ju jepen njerëzve në dorën e djathtë apo prapa shpine, në dorë të majtë. Në Kuran lexojmë: “Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë, do ta ketë të lehtë llogarinë dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij. Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës, do të lutet për të vdekur dhe në zjarr do të digjet.” (El-Inshikak, 7-12)

“Çdo njeriu ia kemi varur në qafë punën e tij (qoftë e mirë apo e keqe) dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” (El-Isra’, 13-14)

Besojmë në peshojat që do të vendosen në Ditën e Kiametit dhe askujt nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi. Në Kuran lexojmë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele, 7-8)

“Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem. Zjarri do t’ua përcëllojë fytyrat dhe buzët (aq sa do t’u duken dhëmbët).” (El-Mu’minun, 102-104)

“Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie. (El-En’am, 160)

Besojmë në shefa’atin (ndërmjetësimin) më të madh, i cili është i veçantë vetëm për të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ai do të ndërmjetësoj tek Allahu i Lartësuar me lejen e Tij, në mënyrë që Ai të gjykoj mes njerëzve, kur ata goditen nga brengat dhe vështirësitë, të cilat s’mund t’i përballojnë. Kështu ata shkojnë tek Ademi, pastaj Nuhu, pastaj Ibrahimi, pastaj Musa, pastaj Isa dhe në fund tek i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Besojmë në ndërmjetësimin për ata besimtarë që kanë hyrë në Zjarr që të dalin prej tij. Ky ndërmjetësim është për të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), si dhe për të tjerët: profetët, besimtarët dhe engjëjt.

Besojmë se Allahu i Lartësuar do të nxjerr nga Zjarri grupe të besimtarëve pa ndërmjetësimin e askujt, por me mirësinë dhe mëshirën e Tij.

(Imam Uthejmini, “Akidetu Ehli Es-Sunneti ue El-Xhema’ati, fq. 31-34)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here