Çka i detyrohemi të Dërguarit të Allahut

0
226

Arsyeja e trajtimit të një çështjeje të këtillë qëndron në faktin se virtytet janë margaritarë tek individët dhe shumë herë, derisa kemi të bëjmë me raportet mes njerëzve ngazëllehemi kur shohim hasim në dikë që sillet mirë dhe posedon moral të pastër dhe virtyte të larta. Edhe nëse gjejmë një të këtillë, do të shohim se ato virtyte ekzistojnë pranë disa të metave dhe mangësive që meritojnë vërejtje nëse jo edhe kritikë. Është krejtësisht e pamundur të gjesh njeriun, të gjitha vetitë e të cilit do të jenë të nivelit të kënaqshëm. Kjo është ngase njerëzit, siç dihet, sipas natyrës janë mëkatarë dhe nuk mund të lirohen prej veseve e as t’i flakin ato në tërësi. Për këtë arsye është fenomen njeriu tek i cili dominojnë virtytet përballë veseve të këqija.

Ndërsa kur flasim për personalitetin e Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, nuk mund të mos themi se ai ishte njeriu më i kompletuar me cilësi pozitive dhe njerëzisht i përsosur me virtyte dhe sjellje të mira. Njeriu mahnitet derisa lexon dhe njihet me personalitetin dhe sjelljet e tij. Atë që logjikisht mund ta arrijë një njeri, ai e kishte arritur dhe ishte bërë shembull në të, edhe pse realisht askush nuk arriti në pozitën e tij. Madje, edhe të dërguarit e tjerë të Allahut, që gjithsesi dëshmojmë se ishin njerëzit më të mirë, ai i ka tejkaluar, e të mos flasim për njeriun e rëndomtë. Nuk mund të gjejmë dëshmi më të madhe dhe më me vlerë sesa ajo që i ka thënë Krijuesi i gjithësisë: “Ti, vërtetë, je në një moral të lartë.” (Kalem, 4)

Një përshkrim i tillë gjeneral na obligon që, si muslimanë që jemi, të besojmë dhe konsiderojmë për të dërguar të Allahut, të konsiderojmë të saktë dhe të vërtetë çdo gjë që na ka informuar dhe t’a respektojmë dhe dëgjojmë në atë që na ka urdhëruar. Por, mbi të gjitha, duhet t’a duam. T’a duam më shumë se çdo gjë në botë, më shumë se i duam prindërit dhe fëmijët tanë. Më shumë se vetveten. Një gjë të tillë, thjesht, ia kemi borxh për shkak të të mirave që i përjetojmë, e për to, Allahu e ka bërë shkak Muhamedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të.

Në vija të përgjithshme, obligimet që i kemi ndaj të Dërguarit të Allahut, mund të përmblidhen në tri pika:

Të konsiderojmë se ai është i zgjedhuri dhe i dërguari i Allahut, të cilin Allahu e veçoi me shpallje dhe e bëri thirrës për mbarë njerëzimin si dhe për të gjitha kohët e vendet.
Të besojmë çdo gjë që ai ka treguar për të kaluarën apo ka paralajmëruar për të ardhmen dhe këto lajme t’i marrim si e vërtetë e pakontestueshme.
Të respektojmë atë që ka urdhëruar dhe ndaluar duke konsideruar se rruga e tij është rruga e vetme që shpie te kënaqësia e Allahut dhe garanton lumturinë e dy jetëve.
Mbi të gjithat e duam ngase ai ishte njeriu më i mirë që Allahu krijoi, njeriu më komplet, më i sjellshmi, më i buti, më bamirësi. Krahas kësaj, ai ishte i Dërguari i fundit i Allahut. Me të, Allahu e përmbushi dhe plotësoi misionin e pejgamberisë dhe vulosi shpalljen nga qielli.

Hoxhë Ekrem Avdiu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here