Në vazhdim do të ju tregojm disa kaptina Kur’anore dhe lutje nga Kur’ani dhe sunneti që duhet të thuhen në rast të goditjes nga mërzia dhe pikëllimi.
Kaptina El Inshirah – kaptina e hapjes së kraharorit. Në të, i Plotfuqishmi tregon se si ia hoqi dhimbjen e brendshme dhe pikëllimin që Pejgamberi sal Allahu alejhi we selem, e ndiente gjatë kohës së shpalljes së Kur’anit dhe vështirësitë me të cilat përballej. Allahu i Madhëruar thotë se si do ta ngrit autoritetin (namin) e të Dërguarit të Tij sal Allahu alejhi we selem, në gjithë globin tokësor. Sot, nuk kalon asnjë sekondë e që në ndonjë pjesë të Tokës të mos dëgjohen fjalët e ezanit: “Eshedu enne Muhammeden Resulullah!”. Gjithashtu në suren El-Inshirah Allahu thotë se pas çdo vështirësie pa marrë parasysh se sa e vështirë të jetë, vjen lehtësimi dhe se ajo në mënyrë të pashmangshme vjen pas belasë. I Plotfuqishmi e porosit Pejgamberin sal Allahu alejhi we selem, që kohën e pritjes deri në ardhjen e lehtësimit ta shkurtoj me adhurim ndaj Zotit, ky është mesazh edhe për ne që në kohët e depresionit të përpiqemi që problemin tonë shëndetësor ta eliminojmë duke iu mbështetur Allahut dhe duke e përmendur Atë.
Kaptina Jusuf një nga suret e hershme që i është shpallur Pejgamberit sal Allahu alejhi we selem. Është një pjesë të veçantë e Kur’anit, sepse ajo pothuajse në tërësi i është kushtuar një Pejgamberi të Zotit, Jusufit alejhi selam. Nga kjo sure mund të nxjerrim mesazhe të panumërta, shumë prej tyre janë të lidhura me mënyrat e tejkalimit të situatave të rënda psikike. Të mendojmë për mënyrën se si Jakubi alejhi selam dhe Jusufi alejhi selam, luftuan me dhimbjet shpirtërore dhe vuajtjet e kësaj bote por Allahu i lartësoi ata për durimin e tyre. Kjo sure është shpallur edhe si ngushëllim për Pejgamberin tonë Muhammedin sal Allahu alejhi we selem dhe secilit prej nesh mund t’i shërbejë si një kurë kundër depresionit!