ÇFARË MUSLIMANËT BESOJNË?

0
221

Mesazhi themelor i Islamit është i thjeshtë: Duhet adhuruar vetëm Zoti.

Kurani (shkrimi i shenjtë i shpallur i Islamit) thotë:
“Thuaj(O Muhamed): ‘Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!’” 112:1-4
Pjesa e parë e dëshmisë së besimit të muslimanëve, formon bazën për konceptin e Zotit në Islam. Muslimanët dëshmojnë se: “Nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut”.

Koncepti i Zotit në Islam është monoteist dhe Unitarian. Zoti është qenie absolute, tërësisht i pavarur dhe plotësisht i vetëmjaftueshëm. Çdo gjë që ekziston apo që do të mund të ekzistonte ndonjëherë, është nga vullneti i Tij. Ai nuk ka ortak në krijimin e gjithësisë e as në mirëmbajtjen e ekzistencës së tij. Ai nuk është vetëm “Shkaku i Parë” por është përfundimisht i Vetmi Shkak dhe Ai është Vetë i pashkak.

Pjesa e dytë e testamentit të besimit është: “Muhamedi, paqja dhe lëvdatat qofshin mbi të, është i Dërguari i fundit”.

Muslimanët i mbajnë në shkallë të lartë nderimi të gjithë profetët dhe të dërguarit e mëparshëm, duke përfshirë Ademin (Adamin), Nuhun (Noen), Ibrahimin (Abrahamin), Jakubin (Jakobin), Is’hakun (Isakun), Ismailin (Ishmaelin), Musain (Mojsiun), Davudin (Davidin), Sulejmanin (Solomonin), Isain (Jezusin) dhe shumë të tjerë, paqja qoftë mbi të gjithë; të gjithë ia kanë nënshtruar dhe dorëzuar veten vetëm një Zoti të vetëm, i Cili i krijoi dhe i zgjodhi ata të jenë bartësit e mesazhit të Tij. Ashtu siç është shpallur në Kuran:

“Thoni: ‘Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi.” 2:136

Muhamedi, i Dërguari i fundit

Profeti i fundit dhe përfundimtar i një zinxhiri të gjatë të profetëve dhe të dërguarve ishte profeti Muhamed, paqja dhe lëvdatat qofshin mbi të. Ai u dërgua në tokat Arabe, pra fliste gjuhën arabe. Muhamedi, paqja dhe lëvdatat qofshin mbi të, u dërgua për të riafirmuar mesazhin për të cilin të gjithë profetët e mëparshëm ishin dërguar, d.m.th. për t’i thirrur njerëzit në adhurimin e Zotit të vetëm.

Majkëll Hart, në librin e tij “Njëqindëshi: Renditja e personave më me ndikim në histori” (The 100: a ranking of the most influential people in histori) shkruan: “Zgjedhja ime që Muhamedi t’i prijë listës së personave më me ndikim të botës, mund t’i habisë disa lexues dhe mund të jetë pikëpyetjeje për disa të tjerë, mirëpo ai ishte i vetmi njeri në histori, i cili kishte arritur suksesin më të lartë në të dyja nivelet: atë fetar dhe jofetar. Me një zanafillë modeste, Muhamedi themeloi dhe përhapi një nga fetë më të mëdha të botës dhe u bë lider politik jashtëzakonisht i dobishëm. Sot, trembëdhjetë shekuj pas vdekjes së tij, ndikimi i tij është ende i fuqishëm dhe i përhapur.”
Profeti Muhamed, paqja dhe lëvdatat qofshin mbi të, si një figurë e shquar, është universal, jo vetëm për shkak të mesazhit të tij të barazisë, por për shkak të karakterit të tij altruist (dashamirës, vetëmohues). Ai vazhdimisht i ka ndihmuar të varfrit dhe kujtdo që kishte nevojë për ndihmë. Mësimet e tij zbatohen në çdo kohë nga njerëzit e çdo pjese të botës, qofshin ata të pasur apo të varfër. Ndër mësimet e tij të urta ishte: “Mos e konsideroni asnjë nga veprat e mira si të papeshë, qoftë edhe ta takosh vëllanë tënd me fytyrë të gëzuar (buzëqeshur).” Muslimi: 2626

Historia në vijim, na tregon për altruizmin e Profetit… Një grua e vjetër e kishte zakon t’i hidhte mbeturina profetit Muhamed, sa herë që ai kalonte pranë shtëpisë së saj. Kur gruaja ia hidhte mbeturinat, ai kalonte në heshtje, pa treguar zemërim apo bezdi dhe kjo ndodhte zakonisht.

Një ditë kur Profeti po kalonte pranë shtëpisë së saj, gruaja nuk qëlloi aty për t’ia hedhur mbeturinat. Profeti kërkoi leje për ta vizituar gruan; ai e kuptoi se ajo ishte sëmurë. Ajo mendonte se ai kishte ardhur për të marrë hak kur ajo nuk ishte në gjendje të vetëmbrohej. Mirëpo, Profeti e siguroi atë se kishte ardhur vetëm për ta parë dhe për t’u kujdesur për nevojat e saj, sepse ishte urdhër i Allahut se nëse dikush është i sëmurë, muslimani duhet ta vizitojë dhe ta ndihmojë atë në qoftë se ndihma e tij është e nevojshme.

Gruaja e vjetër u prek shumë nga kjo mirësi dhe dashuri e Profetit. Me këtë shembull, ajo e kuptoi se ai ishte me të vërtetë i Dërguar i Zotit dhe se Islami ishte feja e vërtetë. Ajo më pas e pranoi Islamin.

Në këtë mënyrë, (para se Profeti të vdiste në moshën 63 vjeçare) shumica e njerëzve të Arabisë e kishin pranuar mesazhin e Islamit dhe në më pak se një shekull, mesazhi ishte përhapur në perëndim deri në Spanjë e deri në Kinën e lindjes së largët.

Në pikëpamje Islame, mesazhi që u transmetua nga profeti Muhamed, paqja dhe lëvdatat qofshin mbi të, përfaqësonte, jo një fe krejtësisht të re, por një korrigjues për falsifikimet dhe shtrembërimet që kishin zënë vend dhe njëkohësisht një rimbrojtje të pakompromis të doktrinës së pastër të Zotit të vetëm.

Kurani

Ashtu siç profetit Musa, Isa dhe Davud, paqja qoftë mbi ta, u ishin dhënë libra të shpallur (Dhiata e Vjetër dhe e Re dhe Psalmet; të cilat muslimanët i pranojnë) njëjtë edhe profetit Muhamed, paqja dhe lëvdatat qofshin mbi të, i është dhënë një i tillë. Mesazhi i sjellë nga profeti Muhamed, paqja dhe lëvdatat qofshin mbi të, u konsolidua përmes shpalljeve të njëpasnjëshme të njohura kolektivisht si Kuran. Kurani përmban udhëzime për të gjithë njerëzimin dhe ekziston edhe sot pikërisht në formën e njëjtë ashtu siç ishte shpallur 1400 vite më parë.
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” 49:13

Kurani përmban udhëzime të cilat na mundësojnë të jetojmë jetën në mënyrën që Zoti e do dhe është i kënaqur me të. Si Krijues, Zoti na njeh më së miri, prandaj është më i thirruri për të na udhëzuar se si të “funksionojmë mirë”.

Imagjino sikur e ke blerë një iPhone; a do ta lexoje doracakun udhëzues të prodhuar nga Sony Ericsson? Logjikisht, jo! Arsyeja është fare e thjeshtë, kompania që prodhon telefonin, e njeh produktin e saj brenda dhe jashtë dhe kështu është më e thirrura që të shkruajë një doracak udhëzues për përdoruesit e tij.

E njëjta gjë është e vërtetë me ne; Zoti na ka krijuar, prandaj Ai na njeh neve më mirë se që ne mendojmë se e njohim vetveten. Prandaj, Kurani është një “doracak udhëzues” nga Krijuesi për të krijuarin (njeriun). Zoti thotë:

“Ky Kuran është tregues i qartë, udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që kanë besim të patundur.” 45:20

Dhe në një ajet tjetër thotë:
“O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” 10:57

Muslimani

Muslimani/ja i gëzon dy marrëdhënie shumë të veçanta:

1. Një marrëdhënie me Krijuesin e tij/saj. Kjo, në esencë, e forcon besimin e njeriut dhe i mundëson atij të afrohet sa më shume me Allahun, përmes angazhimit në adhurim.

2. Një marrëdhënie me shoqërinë brenda të cilës ai/ajo jeton. Muslimanët kanë përgjegjësi të mbështesin vlerat themelore të moralit si: këshillimi në të mirë, ndalimi i të keqes, këshillimi për drejtësi, përmbushja e premtimit, mirëqenia me fqinjët, ndihma ndaj të pafatëve etj. Ka shumë ajete Kuranore që urdhërojnë për këto qëllime, për shembull:

“Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” 2:177

Gjithashtu, Zoti thotë:

“Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!” 4:58

“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” 16:90

Shtyllat e besimit dhe pesë shtyllat e Islamit (nënshtrimit ndaj Zotit)

Përveç besimit në një Zot, besimit në të gjithë profetët dhe të dërguarit dhe në librat (shpalljet) e zbritura, muslimanët gjithashtu e besojnë ekzistencën e engjëjve (melaikeve; p.sh. krye-engjëlli Xhibril [Gabriel] është përgjegjës për përcjelljen e shpalljes) dhe ditën e fundit, Ditën e Llogarisë (Ditën e Gjykimit), kur çdo individ do të mbahet në përgjegjësi për veprat e bëra. Veprat do të gjykohen nga Allahu dhe për shkak të tyre njeriu do të futet në parajsë ose në ferr. Allahu është i drejtë, shpërblen dhe dënon në mënyrë të drejtë, megjithatë, një nga cilësitë e Tij është se Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve. Muslimanët gjithashtu besojnë në vendimet e Allahut apo paracaktimin e Tij; që, të gjitha të mirat dhe të këqijat janë përpjesëtuar dhe se Allahu ka dituri të plotë për çdo gjë. Megjithatë, çdo njeri ka vullnet të lirë brenda fushës së përgjegjësisë dhe nuk është asgjë e paracaktuar kundër vullnetit të tij, prandaj ka mundësi të bëj zgjedhje në jetë.

Përveç gjashtë parimeve të mësipërme të besimit, feja Islame i ka pesë detyra themelore që një musliman vullnetarisht i praktikon, të cilat janë të njohura si pesë shtyllat e Islamit.

Allahu thotë në Kuran:
“Ky është Libri (Kurani) në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit,
të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.” Kuran, 2:2-5

Muslimanët praktikues, i ndjekin urdhrat e Allahut me qëllim të kërkimit të kënaqësisë së Tij. Por, përveç kësaj, urdhërimet vetvetiu përmbajnë urtësi të pandara. Pesë shtyllat e Islamit formojnë kështu bazën e jetës së muslimanit/es.

Shtylla e parë siç u përmend më parë, është të dëshmosh se askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, dhe se profeti Muhamed, paqja dhe lëvdatat qofshin mbi të, është i dërguari i fundit. Kjo në fakt është thelbi i Islamit.

Shtylla e dytë është që të kryesh pesë kohët e namazit. Allahu thotë:

“Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!” 20:14

Dhe në një ajet tjetër:
“Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” 29:45

Namazi është koha për të dalë para Allahut dhe për ta shfaqur besimin (me vepër), për ta falënderuar Atë për të mirat që na ka dhuruar, si dhe për t’i kërkuar Atij udhëzim dhe falje. Nëpërmjet përkuljes dhe përuljes në sexhde, muslimanët shprehin përuljen maksimale para të Plotfuqishmit.

Nëse shikojmë në konceptin e PNL (Programimi Neuro-Linguistik), do të shohim se ka dy drejtime në marrëdhënie midis procesit të mendimit (Neuro), komunikimit (Linguistik) dhe sjelljeve tona (Programimi). Nëse e ndryshon njërën, shkaktohen ndryshime në dy variablat tjera. Pra, nëse ndryshon sjelljen tënde për të kryer namazin (i cili është veprim fizik si dhe komunikim verbal me Allahun), ai natyrisht do të ndikojë në procesin e mendimit tënd – duke e rritur besimin tënd si dhe duke të inspiruar për t’iu afruar Allahut me punë të mira.

Shtylla e tretë është të agjërosh muajin e Ramazanit (muajin e nëntë të kalendarit Islam); çdo ditë, nga agimi deri në perëndim të Diellit. Allahu thotë:
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” 2:183

Agjërimi i mundëson njeriut zhvillimin e vetëkontrollit dhe e çliron atë për ta përkushtuar trupin dhe shpirtin në adhurim. Ramazani gjithashtu është një mundësi e madhe për ne, për t’i vlerësuar/çmuar të mirat që Allahu na i ka dhënë dhe për të shijuar atë që të uriturit dhe varfrit e përjetojnë gjithandej globit; që është gjë e shpeshte dhe e zakonshme.

Shtylla e katërt është zekati apo dhënia e 2.5% të pasurisë tepricë atyre që ka urdhëruar Allahu t’u jepet. Një prej parimeve më të rëndësishme të Islamit është se çdo gjë i përket Zotit dhe se pasuria i është besuar qenies njerëzore. Fjala “zekat” nënkupton të dyja: pastrim dhe rritje. Pronësitë tona pastrohen duke e dhënë një pjesë të saj për ata që kanë nevojë, dhe, njëjtë si krasitja/shkurtimi i bimëve, ky “shkurtim” i pasurisë balancon dhe nxit rritje/shtim të ri. Allahu thotë:

“Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij,për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” 9:60

Dhënia e vazhdueshme e zekatit tregon se dashuria për Allahun në zbatimin e urdhrave të Tij është më e madhe se sa dashuria për pasurinë. Zekati gjithashtu shërben për t’u ndihmuar të varfërve, atyre që kanë borxhe, e mbron shtetin si dhe e forcon besimin.

Shtylla e pestë me të cilën detyrohet një musliman/e, është që ai/ajo të kryejë haxhin (pelegrinazhin) së paku një herë në jetën e tij, nëse ka mundësi materiale.

Allahu thotë:

“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” 3:96-97

Mesatarisht, rreth 2 milionë njerëz marrin pjesë në haxh për çdo vit, duke paraqitur një pamje mahnitëse për të gjithë njerëzimin. Haxhi paraqet unitetin, pavarësisht shumëllojshmërisë, ngulitë një ndjenjë humaniteti e, për haxhiun frymëzon durim dhe tolerancë. Udhëtimi në vetvete, është tërësisht shpirtëror, i pakrahasueshëm me ndonjë udhëtim tjetër në botë.

Edhe pse fjalori e përkufizon Islamin si “besimi fetar i muslimanëve”, Islami në fakt, është shumë më shumë se kaq. Islami është mënyrë e jetës; sistem i tërë jetese që përshkon çdo aspekt jetës së përditshme të një individi. Praktikimi i Islamit, është vërtet përmbushës i nevojave të njeriut dhe mundëson që njeriu të jetë në paqe me vetveten, me Krijuesin e tij, me familjen dhe fqinjët e tij, si dhe me shoqërinë në tërësi. Gjithësia është e mbushur – si një libër i mrekullueshëm me vizatime – me “shenja”, të cilat dëshmojnë për Krijuesin e saj dhe na përkujtojnë neve – nëse kemi zemra të pastra dhe sy që shohin – për fuqinë e Zotit, madhështinë dhe bukurinë e Tij.

Allahu thotë në Kuran:

“Me të vërtetë, në qiej dhe në Tokë ka shenja për ata që besojnë. Edhe në krijimin tuaj dhe të kafshëve të shpërndara nëpër Tokë, ka shenja për besimtarët e bindur. Edhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, edhe në ujin që Allahu e zbret nga qielli, duke gjallëruar nëpërmjet tij tokën e shkretuar, edhe në ndërrimin e erërave, ka shenja për njerëzit që mendojnë.” 45:3-5

Në përfundim, Zoti sipas Islamit është i Jashtëzakonshëm/Mrekullueshëm, i Gjithëfuqishëm, Krijues i Gjithëdijshëm dhe ligjvënës, ndonëse në të njëjtën kohë është i Mëshirshëm, Bujar dhe Falës. Njeriu, si krijesë dhe shërbëtor i Tij, qëndron para Tij pa ndërmjetës, duke u takuar me Të përmes namazit në këtë jetë të shkurtër dhe takim drejtpërdrejt më Të pasi kjo jetë të përfundojë. Sipas Islamit, Zoti nuk vepron gjëra të njëjta sikur ato të krijesave dhe Ai nuk e bën Veten të qasshëm nëpërmjet idhujve apo fotografive. Ai është si është, absolut dhe i Përjetshëm, dhe të këtillë e adhurojnë muslimanët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here