Dr.Islam Hasani
Një pasqyrë nga koha e Muhamedit alejhi selam
Do të ishte shumë e rëndësishme që të shikohet nga një perspektivë islame se cilat janë burimet për formimin e buxhetit të shtetit dhe ku duhet të shpenzohet ai buxhet?
Buxheti shtetëror në sistemin modern në përgjithësi ndahet në dy lloje: buxheti rrjedhës dhe buxheti kapital.
– Buxheti rrjedhës përgatitet për financimin e shpenzimeve në administratën civile, mbrojtje, shpenzimet buxhetore dhe shpenzimet e kësaj natyre.
– Ndërsa, buxheti kapital përgatitet për financimin e projekteve kapitale; ndërtimi i infrastrukturës, institucionet edukative, telekomunikacion, infrastrukturë rrugore, hekurudhave etj.
Buxheti i shtetit në një sistem islam është pak me ndryshe nga ai që u përmend. Të gjitha të ardhurat nga pagesa e Zekatit dhe sadakaja transferohen në bayt al-mal (thesari shtetëror) për financimin e projekteve të mirëqenies sociale për kategoritë e varfra dhe të nevojshme. Kurse të ardhurat tjera nga taksat e ndryshme, dedikohen për financimin e projekteve të administratës civile, mbrojtjes, projekteve për zhvillim ekonomik, pagesa e borxheve të shtetit (nëse ekzistojnë), etj. Kjo shpjegon se buxheti i shtetit Islam ndahet në dy lloje tjera: 1. buxheti për mirëqenie sociale dhe 2. buxheti gjeneral.[i]
Atëherë, si është zhvilluar ky sistem në kohën e Pejgamberit a.s.? Ky artikull ka për qëllim të diskutoj këtë çështje të rëndësishme.
Ditët e para te Islamit
Kur’ani dhe Sunneti kanë dhënë instruksione të qarta në lidhje me politikën shtetërore rreth formimit të buxhetit dhe shpenzimit të tij. Në kohën para-islame, të ardhurat e shtetit janë konsideruar të ardhura personale për udhëheqësin e shtetit, mirëpo me ardhjen e Muhamedi a.s., ai e konsideroi të ndaluar zakatin për vete dhe për familjen e tij.
Ashtu si është e ditur, kur Islami ka filluar të predikohet, nuk ka qenë fe shtetërore, përkundrazi është dashur të luftoj kundër shumë fenomeneve negative për të mbijetuar. Numri i simpatizuesve është rritur në mënyre graduale, por ky numër i vogël i myslimanëve nuk kishin siguri për ekzistencë, e lëre më të organizojnë diçka në nivel më të lartë. Mësimet Islame ishin të bazuar në nivelin më të lartë të moralit, andaj është normale që Pejgamberi a.s. i ka udhëzuar shokët e vet që të japin lëmosh (sadaka). Këtë e argumenton edhe Kur’ani, ku në kaptinat të cilat janë zbritur në periudhën mekase, përmenden edhe termet zekat (pastrim, rritje; që do të thotë të dhënit e pasurisë së rritur, për ta pastruar atë), sadaka (lëmoshë, vërtetësi: që do të thotë argument i besimtarit të vërtetë), hakk, (e drejta, do të thotë nëse lëmosha është e drejta e të varfrit, atëherë kjo është detyrë e të pasurit për ta dhënë atë). Nafakah, (shpenzim në rrugën e Allahut).
Të gjitha këto kontribute janë dhënë në mënyrë private, e jo në mënyrë të organizuar nga autoritetet qendrore.
Organizimi pas Hixhretit
Me kalimin nga Meka në Medinë gjendja e myslimanëve ka ndërruar krejtësisht. Atje themeluan shtetin, kishin lirinë të jetojnë ashtu si dëshironin, pa pasur persekutime dhe frikë. Shteti i cili u themelua në Medinë, nuk ishte një vazhdimësi e diçkaje që ka ekzistuar apo një ndërrim dinastie, por ishte një evolucion prej organizimit fisnor, në një rregull superior të shoqërisë, në fillim një qytet-shtet, kurse një shtet i gjerë më vonë. Natyrisht, çdo gjë është dashur të themelohet prej fillimit, sepse personat në udhëheqje, Muhamedi a.s. dhe pasuesit e tij, nuk patën trashëguar ndonjë traditë qeverisjeje apo institucione administrative. Në aspektin e financimit të administratës është bërë një zhvillim gradual, duke filluar me rekomandime, e duke përfunduar në obligime të mbështetura me tërë forcën që një shoqëri mund të këtë.
– Menjëherë pas shpërnguljes, një nga prioritet ishte rehabilitimi i të shpërngulurve dhe vëllazërimi në mes veti.[ii]
– Në fazën e dytë, vërehet një sistem i organizuar për shpërndarjen e lëmoshës. Pejgamberi a.s. i mblidhte ato vet, e pastaj i shpërndante te njerëzit e nevojshëm.
– Në fazën e tretë, lëmosha bëhet obligim shtetëror, një taksë e vërtet dhe ibadet (adhurim ndaj Zotit).
– Ndërsa në fazën e katërt, organizimi i mbledhjes dhe i shpërndarjes bëhet nga ana e zyrtarëve të shtetit, dhe kjo sipas disa dokumenteve ka ndodhë në vitin e 8 hixhrij.
Natyra e zekatit dhe sadakasë
Edhe pas shpërnguljes nga Meka në Medinë, termet e lartpërmendura (zekat, hakk, sadakah) nuk janë ndërruar apo zëvendësuar me terme të tjera, por është ndërruar domethënia e tyre. Në Meke, këto terme nënkuptonin lëmoshën, kurse në Medinë, këto terme janë përdorur për një detyrim të caktuar, sikurse namazi dhe agjërimi. Ndërsa termi nafakah apo infak, është përdorur në kuptimin njësoj si në Meke, dhe ka kuptimin e lëmoshës në mënyrë vullnetare sipas mundësive dhe vullnetit të personave.
Të gjitha këto termet, zekat, hakk dhe sadakah për qëllime praktike mund të merren si sinonime që kanë kuptim edhe si taksa të shtetit, ku ndaj personave të cilët nuk i kanë zbatuar janë paraparë sanksionime të ndryshme. Të gjitha këto terme që u përmenden deri më tani janë burime të shtetit vetëm nga popullsia myslimane, ndërsa të ardhurat prej jomyslimanëve janë njohur me termat haraxh, ganimeh, etj.
Zekati dhe sadakaja e kohës së Pejgamberit a.s. ka përfshirë jo vetëm taksat në para të gatshme, por edhe taksat në prodhimet e tokës dhe në shtazët shtëpiake (dele, dhi, lopë dhe deve); aty janë përfshi edhe taksat në bletari, minerale (posaçërisht ari dhe argjendi) dhe të ngjashme. Me fjalë përmbledhëse zekati dhe sadakaja kanë përberë komplet të ardhurat e shtetit në kohën e Muhamedit a.s. derisa paguesit kanë qenë vetëm myslimanët.
Tarifat e taksave
Kur’ani nuk e ka caktuar tarifën e çmimit për tu taksuar në artikuj të ndryshëm që i kanë takuar myslimanëve. Kjo heshtje është një indikator i elasticitetit apo fleksibilitetit të rregullave Islame në këtë temë. Para 14 shekujsh, vendet arabe nuk kanë prodhuar shumë, duke pas parasysh kushtet klimatike. Toka e përdorur për kultivimin e agrikulturës, e cila ka prodhuar, i është nënshtruar rregullit të tokës e cila ka paguar zekatin e një të dhjetës, nëse ka arritur të prodhojë një sasi të caktuar të produkteve. Zekati i këtyre prodhimeve është paguar në mall në kohën e korrjeve. Duhet të cekim këtu se Zekati i monedhave paguhet 2.5 {ad665188d2e1dd481ca1082a75a5a95cd65abe9addc30f8ce0b9a52794b3f058} dhe se ky zekat apo taksë paguhet në kursime, e jo në të ardhura.
Përveç këtyre, ka pasur edhe të ardhura tjera për shtetin, taksa mbi importin, e cila është ngarkuar mbi të huajt. Në Medinë në atë kohë ka qenë e njohur tregtia ndërkombëtare. Tregtarët e huaj dërgonin artikuj të ndryshëm për të cilët artikuj kanë paguar një lloj takse mbi importin. Përveç kësaj ka ekzistuar edhe një lloj takse për ata të cilët nuk kanë kryer shërbim në ushtri, ata kanë paguar një taksë për tu siguruar. [iii]
Shpenzimi i të ardhurave të shtetit (parasë publike) sipas Kur’anit
Në kaptinën e 9 verseti 61, Kur’ani në mënyre shumë precize e sqaron se ku duhet të shpenzohen të ardhurat e shtetit.
“Sadakaja (d.m.th. taksat të cilat vijnë nga myslimanët) janë të destinuara vetëm për: të varfrit (fukara) nga myslimanët, të varfrit nga të huajt por që banojnë aty (mesakin), për punonjësit të cilat i mbledhin taksat, për ti përfituar zemrat e tyre (në Islam), për lirimin e robërve dhe të burgosurit e luftës, për t’iu ndihmuar atyre të mbyturve ne borxhe, në rrugë të Allahut, dhe atij që ka mbetur në rrugë; ky është një obligim nga Zoti dhe Zoti është i Gjithëdijshëm, i Urte.”
Një shpjegim i shkurtër i këtij vërseti Kur’anor do të ishte i nevojshëm.
Fukara apo i varfri nga myslimanët nuk ka nevojë për sqarim.
Mesakin, ky term i referohet jo-myslimanëve por që jetojnë në shtetin mysliman, këtë e vërteton edhe shpjegimi dhe praktika e Omerit r.a..
Punonjësit të cilat janë të angazhuar me mbledhjen e taksave pagat e të cilëve merren nga ky fond, kjo nuk nënkupton vetëm ata të cilët mbledhin e që janë të angazhuar me mbledhjen e taksave, por edhe ata të cilët punojnë si kontabilistë, auditor dhe e bëjnë shpërndarjen e tyre.
Për ti përfituar zemrat e tyre.- kjo pjesë mund të ketë një interesim të veçantë, ato ndahen në katër grupe:
a. E para, janë ata të cilët zemrat e tyre janë për tu përfituar për t’i bërë ata që t’i vijnë në ndihmë myslimanëve.
b. E dyta, për t’i përfituar zemrat, për t’i ndaluar nga ndonjë dëm që mund të bëjnë kundër myslimanëve.
c. E treta, për ti përfituar zemrat e atyre që të hyjnë në Islam.
d. E katërta, që me përfitimin e zemrave të tyre të bindin popullin e tyre apo fiset e tyre për të hyrë në Islam. Kështu që, është e lejuar që kushdo që i takon këtyre grupeve duhet të jetë përfitues i kësaj kategorie të zekatit pa marr parasysh a është mysliman apo jo-mysliman.
Për lirimin e robërve dhe të burgosurit e luftës.- buxhetit shtetëror i është dashur të ndaj një shumë për lirimin e robërve të luftës, të cilët janë zënë në fillim si të burgosur të luftës.
Për t’iu ndihmuar atyre të mbytur në borxhe.- kjo kategori është mjaftë e gjerë. Përveç ndarjes nga buxheti shtetëror, kësaj kategorie duhet dhënë edhe hua pa kamatë nën përkujdesjen e qeverisë gjë që kishte me kontribuar edhe në eliminimin e kamatës në vend.
Në rrugë të Allahut.- është gjithashtu një term shumë përfshirës, ku mund të përfshihen që nga dhënia për ushtrinë e vendit, e deri te dhënia e granteve në ndihmë të studentëve. Dhe grupi i fundit,
atij që ka mbetur në rrugë.- mund të ndihmohet me pagesë të udhëtimit, sigurim të rrugës dhe me sigurim të qëndrimit.
Nëse studiohet gjendja e Arabisë në kohën e Muhamedit a.s., mund të kuptohet shumë qartë se kategoritë e përmendura më lart në mënyrë praktike kanë përmbushur të gjitha nevojat e strukturës shtetërore dhe të banorëve të shtetit të atëhershëm. Në realitet, Pejgamberi a.s. themeloi një sistem, i cili ishte më i zhvilluar se sistemet në vendet fqinje të asaj kohe; Bizantit dhe Iranit.
Shteti të cilin e themeloi dhe e udhëhoqi Pejgamberi a.s., ishte një shtet në rritje dhe zgjërim të vazhdueshëm. Filloi në një qytet të vetëm dhe për 10 vite deri në fund të jetës së tij, u zgjerua në shtetë të shumta që sot gjinden në dy kontinente, atë të Afrikës dhe Azisë. Kjo tregon se ligji Islam mbi financat ka një elasticitet të madh për zgjerim, për t’iu përgjigjur nevojave të çdo kohe, vendi dhe civilizimi. [iv]
I tërë sistemi ekonomike duhet të funksionoj bazuar në rregullat Kur’anore, gjithashtu edhe buxheti i shtetit, grumbullimi dhe shpenzimi i parasë publike duhet të jetë në atë formë që i tërë populli të jenë përfitues dhe të gjithë të ndihen të sigurt. Nëse arrihet te fitohet besimi i popullit për drejtësi në këtë lëmi, atëherë kjo do t’i kontribuonte një stimulimi për punë dhe për pagesë të taksave banorëve të një shteti, gjë që është një shtytës i madh për rritje dhe zhvillim ekonomik.
[i] Muhammad Sharif Chaudry, Fundamentals of Islamic Economic System, (Lahore: Burhan Education and Welfare Trust, 1999), faqe. 195.
[ii] Muhammad Hamidullah, “Budgeting and Taxation in the Time of the Prophet Muhammad (P.U.B.H.)”, The Islamic Review 1956. Faqe. 20.
[iii] Ibid, 21.
[iv] M.A. Sabzwari, “Economic and Fiscal system during the Life of the Holy Prophet Mohammed (P.B.U.H.)”, Journal of Islamic Banking and Finance, Vol: 1, No. 4, 1984. Faqe. 9-10.