BUQETA NGA KOPËSHTI I TË DREJTËVE DHE TË UDHËZUARVE

BUQETA NGA KOPËSHTI I TË DREJTËVE DHE TË UDHËZUARVE

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Kjo është një buqetë prej urtësive të prijësve të drejtë e të udhëzuar, për të cilët Profeti (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) na ka këshilluar që të kapemi fort pas Sunetit dhe traditës së shokëve të tij. Kështu, në hadithin e saktë të cilin e transmeton Ahmedi, Profeti (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!) thotë:
“Kapuni fort pas sunetit tim dhe sunetit të prijësave të drejtë e të udhëzuar!”
Ebu Bekër es Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Me të vërtetë, Iblisi qëndron përpara teje; vetja në të djathtën tënde; epshi në të majtën tënde; dynjaja pas teje; gjymtyrët rreth teje; i Plotfuqishmi sipër teje. Iblisi të fton për në epsh, dynjaja të fton në zgjedhjen e saj në dëm të ahiretit, gjymtyrët të ftojnë për në mëkate dhe i Plotfuqishmi të fton për në xhenet dhe falje.”
Thotë Allahu në Kuran: “E Allahu me mëshirën e vet ju fton për në xhenet; për në shpëtim.” Bekare-221
Kush i përgjigjet Iblisit atij i largohet feja; kush i përgjigjet vetes, shpirti largohet nga ai; kush i përgjigjet dynjasë atij i largohet ahireti; kush i përgjigjet gjymtyrëve, xheneti largohet nga ai; kush i përgjigjet Allahut të Madhëruar, atij i largohen të këqijat dhe fiton gjithë të mirat.
Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë:
“Pashë të gjithë miqtë (të dashurit) dhe nuk pashë mik më të mirë se sa ruajtja e gjuhës; pashë të gjithë veshjet dhe nuk pashë veshje më të mirë sesa devotshmëria; pashë të gjithë pasuritë dhe nuk pashë pasuri më të çmuar sesa vetëmjaftueshmëria; Pashë të gjitha bindjet (punët e mira) dhe nuk pashë më të mirë sesa këshilla; pashë të gjitha ushqimet dhe nuk pashë ushqim më të mirë sesa durimi.”
Nga Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë në lidhje me fjalën e Allahut të Madhëruar: “E nën të ata kishin një thesar (prej ari) dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë.” (Kehf-92). Thesari ishte një tabelë prej ari në të cilën ndodheshin shtatë rreshta e në njërin prej tyre shkruhej:
“U çudita me atë person që e njeh vdekjen, dhe vazhdon të qeshë; u çudita me atë që e diti se dynjaja do të zhduket dhe përsëri e kërkon atë (dynjanë); u çudita me atë që e njohu se çështjet janë sipas përcaktimeve dhe ai mërzitet për gjërat e kaluara; u çudita me atë që e njohu llogarinë dhe vazhdon të grumbullojë pasuri; u çudita me atë që e njohu zjarrin dhe ai bën mëkate; habitem me atë që njeh Allahun me një njohje të sigurtë, dhe përkujton dikë tjetër përveç Tij; habitem me atë që njeh xhenetin me një njohje të sigurt dhe rehatohet me dynjanë; habitem me atë që njeh shejtanin si armik dhe përsëri e ndjek (pason atë).”
U pyet Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!):
Çfarë është më i rëndë se qielli?
Çfarë është më gjerë se Toka?
Çfarë është më i pasur se deti?
Çfarë është më i fortë se guri?
Çfarë është më i ftohtë se acari?
Çfarë është më i hidhur se helmi?
Ai tha: “Shpifja ndaj femrave të pafajshme është më e rëndë sesa qielli; e vërteta është me e gjerë sesa toka; zemra e kënaqur është më e pasur sesa deti; zemra e munafikut (hipokriti) është më e fortë sesa guri; sundimtari i padrejtë është më i nxehtë sesa zjarri; nevoja ndaj mosmirënjohësit është me e ftohtë sesa acari; durimi është më i hidhur sesa helmi.”
Këto thënie të ndritshme nga drita e besimit përfshijnë urtësi të lavdishme dhe dobi të çmuara, përmbajnë përfitim universal dhe ilaç për çdo të sëmurë.
“Ai ia dhuron urtësinë atij që do; e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe. Përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush.”
Ebu Bekër es Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë:
“Çdonjërin të cilin Allahu i Madhëruar e ka furnizuar me dhjetë cilësi, Ai e ka shpëtuar atë nga të gjitha epidemitë dhe pamundësitë dhe do ta ngrejë atë në gradën e të afërmve e të devotshmëve.
E para: Sinqeriteti i përhershëm së bashku me një zemër të kënaqur.
E dyta: Durimi i plotë së bashku me falënderim të përhershëm.
E treta: Varfëri e përhershme së bashku me një zuhd të pranishëm.
E katërta: Ide, mendim i përhershëm së bashku me një bark të uritur.
E gjashta: Përpjekje e përhershme së bashku me një trup të thjeshtë.
E shtata: Butësi e përhershme së bashku me marrëdhënie të pranishme.
E teta: Dashuri e përhershme së bashku me turp.
E nënta: Dije e dobishme së bashku me një butësi të përhershme.
E dhjeta: Besim i përhershëm së bashku me një llogjikë të qëndrueshme.
Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë:
“Dhjetë gjëra nuk shkojnë pa dhjetë gjëra të tjera. Logjika pa devotshmërinë; mirësia pa diturinë; fitorja pa frikë respekt; pushteti pa drejtësi; prejardhja e lartë pa moral; gëzimi pa siguri; pasuria pa bujari; varfëria pa vetëmjaftueshmëri; grada e lartë pa modesti; përpjekja pa sukses.”
Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë:
“Gjërat më të humbura janë dhjetë. Një dijetar për të cilin nuk pyetet; një dije që nuk veprohet me të; një mendim i goditur (qëlluar) që nuk pranohet; një armë e cila nuk përdoret; një xhami në të cilën nuk falet namaz në të; një mus’haf në të cilin nuk lexohet; një pasuri e cila nuk shpenzohet për hir të Allahut; një kalë të cilit nuk i hipet; dija e zuhdit në barkun e atij i cili dëshiron dynjanë; një jetë e gjatë, gjatë së cilës personi nuk përgatitet për udhëtimin e tij.”
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Dituria është trashëgimia më e mirë; morali është profesioni më i mirë; devotshmëria është furnizimi më i mirë; adhurimi është gjëja më e mirë; dobia më e mirë është vepra më e mirë; morali i lartë është shoku më i mirë; butësia është ministri më i mirë; vetëmjaftueshmëria është ndihmëtari më i mirë; vdekja është edukuesi më i mirë.”
Burimijetes.com