Takimin e kaploi një qetësi e plotë. Një gruaje i hapet goja nga habia, tjetra i bashkon duart, ndërsa një tjetër lëvizë më afër. Ato të gjitha janë kureshtare për të dëgjuar çdo fjalë që po flitet, sidomos kur folësja flet me dëshmi. “Filanja shkoi tek ai dhe u shërua, falënderimi i takon Allahut! Filani nuk e donte gruan e vet, ndërsa tash nuk mund të qëndrojë larg saj….” Kur e mbaroi bisedën ato të gjitha e pyetën: “Si mund ta gjejmë këtë njeri?” Pastaj çdonjëra filloi t’i përmend ankesat e veta. Njëra tha se nuk mund të flejë, për shkak të dhimbjeve në shpinë. Një grua tjetër thotë se i dhemb këmba. Një grua e moshuar thotë se bija e saj ka një martesë me telashe, ndoshta i ka bërë dikush magji.
Brenda një jave, krejt lagjja po e kërkon njeriun. Gruaja që ankohej nga shpina përfundoi duke i treguar për telashet që kishte me burrin. Një grua tjetër tha se është martuar para një muaji ose para një viti dhe nuk po mbetet shtatzënë, e kështu me radhë. Një pamje mahnitëse, ku lloje të ndryshme të problemeve po parashtrohen dhe po shqyrtohen. Pas një jave mësueset dhe studentet e përcollën lajmin në shkollë, kështu që shumë gra tjera kërkojnë shërim nga ‘mjeku’ i çuditshëm.
E nderuara motër! A keni dëgjuar tregime të ngjashme? Ku është besimi në Allahun dhe pse zbehet kaq lehtë? Si bëhet që gratë muslimane të hapin tema aq të këqija në takimet e tyre? Nganjëherë është fakt se shumë gra muslimane shkojnë te këta ‘shërues’ të njohur, të cilët përdorin magjinë dhe janë gënjeshtarë të qartë, në vend që të shkojnë në spitale. Ato nuk lexojnë Kur’an dhe nuk përdorin shëruesit për të cilët na inkurajon Islami, si për shembull lutjet autentike të Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ose të përdorin barëra. Është për t’u habitur me faktin se shumë pak gra muslimane e lexojnë Kur’anin rregullisht, mirëpo shpesh i vizitojnë këta gënjeshtarë. Ku është besimi i saktë islam, tevhidi dhe ku është fjala e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!): “Ai i cili shkon te falltari dhe i beson asaj çfarë thotë, ka mohuar atë që më është zbritur mua.”
Tregime nga të parët
Hasani thotë: “Kurrë nuk kam shikuar me sy, kurrë nuk kam folur me gjuhë, kurrë nuk e kam përdorur dorën dhe kurrë nuk kam qëndruar në këmbë, vetëm pasi kam menduar se a është kjo që e bëj në bindje ose në mosbindje ndaj Allahut. Nëse do të ishte në bindje unë do të vazhdoja dhe nëse do të ishte në mosbindje unë do të largohesha.”
LIBRI Pengesat në rrugë
Abdul Melik El Kasim