Bëj dua, por nuk marrë përgjigje!

0
586

Pyetje: Njeriu bën dua dhe nuk ka përgjigje. E Allahu i Lartësuar thotë: “Më lutni Mua e Unë ju përgjigjem”. Si mundet kjo?
Përgjigje, shejh Ibn Uthejmini Allahu e mëshiroftë: Allahu i Madhëruar thotë: “Tha Zoti juaj: “Më lutni Mua e Unë ju përgjigjem, e ata që bëhen mendjemëdhenj ndaj adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehenem të nënçmuar””. (Gafir 60)

Pyetësi thotë se kur e lut Allahun e Lartësuar, Ai nuk i përgjigjet për lutjen dhe kjo gjë i krijon kontrakditë me ajetin e mësipërm, ku Allahu premton se ia plotëson robit lutjen, kur ai e lut. Dhe Allahu nuk e thyen premtimin. Por, pranimi i duave ka disa kushte, të cilat duhen patjetër të plotësohen:

1. Sinqeriteti me Allahun. Njeriu duhet të jetë i sinqertë gjatë lutjes së tij, të jetë i bindur plotësisht se Allahu mund t’ia plotësojë lutjen dhe gjithashtu, të shpresojë në realizimin e lutjes.
2. Gjatë lutjes ai duhet ta ndjejë veten nevojtar para Allahut, duke qenë i bindur se vetem Allahu i përgjigjet lutjes së tij, vetem Ai ia largon të keqen dhe dëmin. Personi i cili kur lutet, nuk e ndjen veten shumë nevojtar para Allahut, në të vërtetë nuk është duke kërkuar përgjigje.
3. Të jetë larg të ushqyerit harram, sepse të ushqyerit me harram është pengesë mes njeriut dhe xgjigjes së lutjes së tij.

Transmetohet se profeti, alejhi selam, ka përmendur rastin e udhëtarit flokë pakrehur e të pluhurosur, i cili ngriti duart lart e tha: “O Zot, o Zot!”, por ushqimi i tij është prej harramit, veshja e tij është prej harramit dhe është furnizuar me harram. Dhe profeti, alejhi selam, tha: “E si t’i përgjigjet Zoti këtij?” Pra, profeti, alejhi selam, e konsideroi të pamundur që Allahu t’i përgjigjej këtij njeriu, edhe pse ai i bëri shkaqet e dukshme për pranimin e lutjeve. Këto shkaqe janë:

1. Ngritja e duarve drejt qiellit, d.m.th drej Allahut të Lartësuar sepse Ai qëndron mbi qiell. Profeti, alejhi selam, ka thënë: “Allahu është i Turpshëm dhe Bujar, turpërohet kur robi i Tij i ngre duart për ta lutur Atë, e t’ia kthejë duart e zbrazëta.”
2. Ta lutësh Allahun me emrin Zot (Rabb), “O Zot, o Zot!” Në Kur’an, duatë më të shumta fillojnë duke iu drejtuar Allahut me këtë emër: “O Zoti ynë….”
3. Të jesh udhëtar. Udhëtimi në të shumtën e rasteve është prej shkaqeve të pranimit të duave, sepse njeriu në udhëtim ndien nevojën pëe Allahun më tepër se kur është në vendin e vet.

Të gjitha këto shkaqe nuk i bënë dobi këtij njeriu që përmendi profeti, alejhi selam, sepse ushqimi dhe veshja e tij kanë qenë prej harramit dhe është furnizuar me harram.

Por, nëse robi i plotëson kushtet e pranimit të duasë, gjithashtu bën edhe shkaqet, por duaja nuk i plotësohet, atëherë themi se kjo është prej urtësisë së Allahut, pasi Allahu thotë: “..ndoshta ju dëshironi diçka, por ajo është e keqe për ju”.
Ose ndoshta, duke mos i pranuar duanë, Allahu dëshiron t’i largojë një të keqe të madhe, që robi nuk e di.
Ose dëshiron që t’ia shumfishojë shpërblimin në Ditën e Gjykimit.
Sërish robi del i fituar. Është e rëndësishme që robi të mos bëhet i paduruar e të ngutet, sepse kjo është prej shkaqeve të mospranimit të duasë, siç thotë dhe profeti, alejhi selam: “Secilit nga ju i pranohet duaja nëse nuk ngutet”. I thanë: “O i Dërguar, e si ngutet?” Tha: “Atëherë kur thotë: u luta, u luta, u luta dhe nuk m’u pranua duaja.”

Prandaj, nuk duhet të mërzitemi dhe të largohemi nga duaja, por duhet t’i shtojmë ato, sepse duaja është adhurim dhe çdo adhurim të afron me Allahun e Allahu të shton shpërblimet.

(Kushtet e fesë, fq. 46)