ARGËTIMI FAMILJAR

Jeta familjare na servir shumë të papritura, por njëkohësisht edhe shumë kënaqësi kur dimë se si të sillemi me njëri-tjetrin, kur bashkëshortët dinë të komunikojnë dhe të organizojnë lojëra nga më të ndryshmet për të thyer monotoninë e jetës. Lidhur me këtë do të tregojmë historinë e Pejgamberit Muhammed.

Garimi me bashkëshorten
Aishja radijallahu anha tregon se njëherë ajo ishte në udhëtim me Pejgamberin dhe po vraponte.
“E ndiej veten mirë”, – i tha, – pasi nuk jam shëndoshur dhe mund të eci shpejt”.
Pejgamberi alejhi selam iu drejtua shokëve të tij dhe u tha:
“Ecni pak përpara!”
Pastaj i tha Aishes:
“Hajde të bëjmë garë bashkë.”
“Kështu ne garuam”, – tregon Aishja radijallahu anha – “dhe unë ia kalova atij. Pas disa kohësh, kur ishim në një udhëtim tjetër, Pejgamberi u tha shokëve të tij të ecnin pak përpara dhe më ftoi sërish për të garuar.”
Aishja tregon se ajo në atë kohë ishte shëndoshur dhe i thotë Pejgamberit se nuk mund të garonte në atë gjendje.
“Mundesh!” – ia ktheu Pejgamberi. Kështu ata garuan për të dytën herë dhe Pejgamberi alejhi selam ia kaloi Aishes.
Më pas zuri të qeshë dhe i tha: “Kjo është për atë të parën.”

Asistimi në një lojë me armë
Aishja radijallahu anha tregon: “Ishte ditë bajrami, ndërkohë që disa habeshinj (abesinas) po luanin me disa mburoja prej lëkure dhe me shtiza. Pejgamberi më tha:
“A do të shohësh?”
“Po” – i thashë. Ai më ngriti lart, aq sa unë arrija të shihja dhe kur e pa se s’po më tërhiqte më shfaqja, tha:
“Mjafton me kaq?”
“Po.” – i thashë.
“Mirë, shko tani.” – tha ai.
Këto janë disa fragmente nga jeta bashkëshortore e të dashurit tonë, Muhammedit alejhi selam dhe gruas së tij, Aishes, që argumentojnë dhe flasin për lojërat dhe argëtimin.
Gjithashtu, është transmetuar se ai e ka përkëdhelur bashkëshorten e tij dhe, kur ka pirë ujë, ka vendosur buzët në të njëjtin vend ku ka pirë dhe Aishja. Pejgamberi alejhi selam ka luajtur, ka bërë shaka e ka qeshur, jo vetëm me Aishen, por edhe me të tjerët. Si një rast të tillë përmendim edhe shakanë që ka bërë ai me ndihmësin e tij, Enes bin Malikun, kur i thoshte:
“O njeri me dy veshë.”
Në vazhdim të temës që po trajtojmë, po përmendim një ndodhi tjetër:
Një grua plakë shkoi te Pejgamberi alejhi selam dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Lute Zotin që të më fusë në xhenet!”
Pejgamberi alejhi selam i tha:
“O nëna e filanit! Nuk hyjnë në xhenet plakat.”
Ajo u kthye duke qarë. Pejgamberi alejhi selam dërgoi tek ajo njerëz dhe u tha:
“Njoftojeni atë se nuk ka për të hyrë në xhenet plakë, sepse Allahu thotë: “Ne i kemi krijuar ato në një krijim të ri (formë të re). Dhe ato i kemi bërë virgjëresha.” (Vakia, 35-36).
Një burrë me emrin Zahir ishte i shëmtuar dhe Pejgamberi alejhi selam e donte shumë. Një ditë Zahiri ishte në treg dhe po shiste mallin e tij. Pejgamberi alejhi selam e shtrëngoi nga pas dhe ai nuk po e shihte.
“Më lësho, kush është?” – tha Zahiri.
Kur u kthye dhe pa Pejgamberin alejhi selam, nuk lëvizi dhe e mbajti shpinën te gjoksi i tij. Pejgamberi alejhi selam, duke bërë shaka, po thoshte:
“Kush e ble këtë rob?”
“E kush e ble një njeri të shëmtuar si unë? – tha Zahiri.
“Tek Allahu nuk je i tillë.” – ia ktheu Pejgamberi alejhi selam.Loja dhe argëtimi janë prej nevojave të natyrshme të njeriut. Prandaj dhe Pejgamberi alejhi selam ka vepruar kështu me bashkëshortet dhe me shokët e tij. Në të vërtetë më pëlqeu tefsiri i Muhammed Rashid Ridasë kur komenton ajetin kur’anor “Çoni jetë të mirë me to (gratë)!”
Lidhur me këtë ajet ai komenton dhe thotë: “Është detyrë për ju besimtarë që të kaloni jetë të mirë me gratë tuaja. Le t’i përputhen sjelljet tuaja natyrshmërisë së tyre”.
Më pas ai thotë: “Vrenjtja e fytyrës dhe rrudhja e vetullave shpesh kur takohesh me gruan nuk është prej shkuarjes së mirë.”
Pra, loja, argëtimi, shakatë, dëfrimi dhe të qeshurat janë shprehje, për të cilat njeriu ka nevojë.

Qeshje e dyzuar
Një grua ankohej për burrin e saj dhe thoshte: “Ai ka një personalitet gazmor dhe pëlqen të dëfrehet, mirëpo këtë gjë e bën vetëm me miqtë dhe shokët e tij. Sa hyn në shtëpi, bëhet njeri tjetër, serioz dhe i ngrysur.
Pasi bisedova pak me atë grua, zbulova se shkaku ishte edukata që kishte marrë ky burrë që në vegjëli. Ai ishte i bindur se burrat nuk duhet të luanin dhe të qeshnin me gratë, pasi kjo gjë cenonte personalitetin, burrërinë dhe respektin që ata gëzonin në sy të grave.
Për fat të keq, këto janë disa ide të diktaturës zakonore që përjetohet në disa mentalitete të caktuara, ndonëse kemi hyrë në mijëvjeçarin e tretë. Kjo praktikë bie ndesh me traditën e Pejgamberit Muhammed alejhi selam. Psikologët kanë mundur të numërojnë 180 lloje të qeshurash. Si mundet vallë që ky burrë nuk mund të zgjedhë vetëm një prej këtyre llojeve për të gëzuar familjen dhe fëmijët e tij?!
Psikologët pranojnë të ketë të qeshura nga gëzimi, të qeshura tallëse, të qeshura kënaqësie, të qeshura nga pëlqimi, mahnitja, marrëzitë, të qeshura nga dashuria, e të tjera lloje të tyre. Personi në fjalë del jashtë natyrshmërisë së njeriut. Foshnja fillon të buzëqeshë që në fund të muajit të dytë dhe ajo buzëqeshje mbetet me të derisa të vdesë.
Unë njoh një familje gazmore, pjesëtarët e së cilës janë të lidhur shumë ngushtë me njëri-tjetrin. Shkak për këtë është se ata hapen me njëri-tjetrin dhe shpesh tregojnë edhe gjëra për të qeshur. Babai i kësaj familjeje tregon se i biri i hapet atij edhe për gjërat më intime.
E qeshura është kurë psikologjike për njeriun. Mjeku amerikan Hilman ka zbuluar një metodë për të kuruar sëmundjet organike me anë të tregimeve gazmore. Ai shpesh i këshillon pacientët e tij përmes recetave duke u thënë: “Shih ndonjë teatër apo film komik para gjumit!” apo “Dëgjo ndonjë anekdotë çdo dy orë!”
Një shoku im më thotë se çdo ditë i tregon gruas nga një anekdotë dhe se ka parë ndikim të madh në marrëdhëniet e tyre kur qeshin së bashku. Pra, e qeshura ka dobi të mëdha shoqërore. Po ashtu, ajo ka dhe dobi shëndetësore: Ajo nis me tkurrjen e muskujve të gojës, më pas shoqërohet me dridhje të pandërprera të duarve, muskujve të barkut e të tërë trupit. Në këtë mënyrë këto dridhje bëjnë që të nxirren nga trupi sasi të mëdha tymrash që do të kompensohen menjëherë me sasi të mëdha oksigjeni. Gjatë së qeshurës qarkullimi i gjakut është më aktiv e po ashtu edhe qelizat e trupit. Gjithashtu, shtohen lëngjet në stomak. Lotët që rrjedhin gjatë të qeshurës pastrojnë sytë. E qeshura rregullon të rrahurat e zemrës, ul presionin e gjakut dhe qetëson të gjitha organet e trupit, pasi ajo është një lloj masazhi për gjithë organet e brendshme të tij.
Tani e kuptuam më mirë pse Pejgamberi alejhi selam ka porositur që të buzëqeshet sa më shumë duke thënë: “Kur i buzëqesh vëllait tënd ke sadaka (shpërblim)…”
Kjo është për vëllain musliman, e ç’mund të themi kur burri i buzëqesh gruas së tij dhe anasjelltas?!
E qeshura është një dhunti që na i ka dhënë Zoti. Ai thotë në Kur’an: “Ai bën për të qeshur dhe për të qarë.”
Kur njeriu qesh, vihen në lëvizje 13 muskuj të fytyrës, ndërsa kur ai vrenjtet dhe ngryset, vihen në lëvizje 48 muskuj të fytyrës dhe ata persona që vrenjten shpesh preken nga rrudhosja e shpejtë e fytyrës.
Shpresojmë nga bashkëshortët dhe bashkëshortet që të mos i rrudhin vetullat me partnerët e tyre, por të marrin shembull nga Pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi alejhi selam, i cili ka lënë porosi që t’i buzëqeshim sa më shpesh njëri-tjetrit e ta ujitim gjithmonë dashurinë e tyre që ajo të jetë e gjallë dhe e freskët.
U themi gjithë bashkëshortëve të luajnë, të qeshin, të buzëqeshin dhe të gëzohen në jetë, sepse argëtimi familjar ka dobi të shumta shoqërore, shëndetësore, edukative dhe shpirtërore.

I dhënë pas drogës për shkak të mosargëtimit
Nga emisionet dhe ligjëratat më të vyera që patën ndikim të madh te dëgjuesit, më ka bërë përshtypje një ligjëratë e titulluar “E qeshura e Pejgamberit tonë të dashur, Muhammedit alejhi selam”. Ai që shfleton historinë e jetës së Pejgamberit alejhi selam, do të gjejë shumë fragmente që bëjnë për të qeshur, që kanë ndodhur ndërmjet Pejgamberit alejhi selam dhe të tjerëve, derisa numri i haditheve që flasin për të qeshurën arrin në 300. Më tepër Pejgamberi alejhi selam ka bërë shaka me familjen e tij.
Shumë shkrimtarë dhe poetë të hershëm kanë shkruar për lojërat dhe shakatë. Pëlqeva që të bëj një hyrje të tillë për të folur për një djalosh të dhënë pas drogës për shkak të mosargëtimit.Shejh Abdulhamid el-Bilali ka qenë drejtuesi i një organizate islame që merrej me trajtimin e të droguarve. Ai bisedonte vetë me ta dhe u fliste për besimin dhe shpresën për jetën. Ai rrëfen dhe thotë:
“Vizituam spitalin për t’u takuar me disa të sëmurë që kanë marrë drogë. Atje gjetëm një djalë që nuk i kalonte të nëntëmbëdhjetat. Më parë ai kishte qenë i dhënë pas hashashi,t dhe shkak për këtë ishte presioni i prindërve. Ata nuk i kishin përfillur nevojat dhe dëshirat e tij për të luajtur kur ai kishte qenë i vogël. Ata e ndalonin të dilte edhe te të afërmit e vet. Edhe kur familja e tij dilte si turistë, e detyronin që ai të mos vizitonte vende të tjera veç ambienteve shkencore dhe muzeve. Me pak fjalë prindërit dëshironin që djali i tyre të rritej ashtu siç donin ata, e më pas të studionte në universitet e të dilte “doktor” dhe njeri me emër. Rezultati ishte se ai djalë shpërtheu për shkak të presionit të prindërve dhe dëshirës imagjinare të tyre që nuk u bë realitet.”
Kjo është një histori prekëse. Asnjë prej nesh nuk mund ta imagjinojë se si një djalë në këtë moshë, i rritur në një familje intelektualësh, të arrijë një fund të tillë, për shkak se nuk i plotësohen nevojat e tij fëmijërore për të luajtur e për t’u argëtuar. Kjo është një çështje e rrezikshme që u tërheq vëmendjen të gjithë prindërve që nuk tregojnë interes për dëshirat e fëmijëve të tyre, duke mos luajtur me ta, e duke mos u lënë hapësirë për t’u argëtuar. Dikush mund ta quajë një gjë të tillë humbje kohe që nuk sjell kurrfarë dobie materiale, veçse shpenzim të hollash, mirëpo ai harron se kështu e neglizhon anën shpirtërore të fëmijës së tij. Është fakt se të gjithë kanë nevojë të luajnë, të mëdhenjtë dhe të vegjlit. Loja dhe argëtimi na bëjnë më të efektshëm në aktivitetet tona, në këtë mënyrë ne mbajmë në formë trupin dhe ruhemi nga sëmundjet.
Një psikolog thotë: “Ai burrë që mburret se nuk ka marrë pushim gjatë pesë viteve punë, është si ai shoferi që mburret se nuk e ka ndërruar vajin e makinës, megjithëse ka përshkuar 6000 km.”
Gjithashtu, ai thotë: “Shumë njerëz e konsiderojnë lojën gjë të panevojshme, që nuk sjell dobi, veçse humb kohë dhe mendojnë që nuk duhet ta praktikojnë, përveçse kur nuk kanë punë. S’ka dyshim se ata njerëz e privojnë veten nga kënaqësia e të luajturit dhe e fusin veten në shumë probleme mendore dhe shpirtërore.”
Prandaj ne vëmë re në praktikën e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit alejhi selam, ndonëse ai ishte i shqetësuar me çështjen e themelimit të shtetit të ri islam dhe përgatitjen e ushtrive për të përballuar armiqtë dhe ziliqarët e shumtë të Islamit, se përsëri kishte kohë për të luajtur dhe për t’u argëtuar me fëmijët. Ai e dinte se koha që kalonte me fëmijët nuk kishte më pak vlerë se koha që kalonte në luftë në rrugë të Zotit. Ebu Ja’la ka nxjerrë një transmetim të saktë nga jeta e Pejgamberit alejhi selam, ku Umer bin el-Hattabi radijallahu anhu thotë: “Kam parë Hasanin dhe Hysenin mbi supet e Pejgamberit alejhi selam dhe u thashë: “Kalë është ai poshtë jush?” Pejgamberi alejhi selam u përgjigj: “Po dhe ata të dy janë kalorës.”
Taberiu transmeton nga Xhabiri radijallahu anhu, se ky i fundit ka thënë: “Shkova te Pejgamberi alejhi selam, dhe ai na ftoi për të ngrënë. Hyseni radijallahu anhu po luante me fëmijët e tjerë në rrugë. Pejgamberi alejhi selam e mori në qafë dhe po e bënte për të qeshur. Pastaj e puthi dhe tha: “Hyseni është prej meje e unë jam prej tij.”

Bëri vetëvrasje, ngase mendonte se nuk e dëgjonte e shoqja
Po përmend një histori që ka ndodhur në vitin 1950 me një burrë që u hodh nga kati i pestë i një ndërtese dhe shpëtoi për mrekulli. Shkak për këtë u bë e shoqja, pasi atij i dukej se ajo nuk ia vinte veshin. Në fund ai u habit kur mori vesh se gruaja e tij nuk ishte ashtu si ai e kishte menduar.
Në dhjetor të vitit 1950, një burrë me emrin Bill Xhons u hodh nga kati i pestë, pasi ishte shumë i dëshpëruar dhe donte t’u shpëtonte atyre që u kishte marrë para borxh, pasi tregtia e tij kishte falimentuar pas një suksesi të bujshëm. Ky burrë, me anë të vetëvrasjes, donte t’i jepte fund edhe një gjëje tjetër. Ai e ndiente se nuk kishte mundësi që ta bënte edhe bashkëshorten pjesë të dëshpërimit dhe streseve të tij. Pesimizmi e çoi deri sa të ngjitej në majë të ndërtesës pesëkatëshe ku tregtonte. Për një moment ishte në mëdyshje. Të hidhej apo të mos hidhej? Pasi vështroi pak poshtë, mori zemër dhe u hodh pa hezitim. Për çudi, në katin e parë ishte një çadër dhe ai ra sipër saj dhe shpëtoi për mrekulli. Kur e pa se ishte ende gjallë, kur pa me sytë e tij mrekullinë që i ndodhi, iu dukën të gjitha streset dhe lodhjet e mëparshme të pallogaritshme e të kota. Vetëm para pesë minutash më parë e shihte jetën të zymtë, pa rrugëdalje dhe më pas ndryshoi krejtësisht dhe filloi ta vlerësojë atë. U kthye shpejt në shtëpi dhe i tregoi së shoqes historinë e plotë që i kishte ndodhur. Ajo u mërzit shumë, pasi ai nuk i kishte folur për streset dhe shqetësimet e mëdha që kishte pasur më parë. Kështu ajo filloi të mendojë seriozisht për zgjidhjen e problemit të tij dhe në fund ia doli. Për herë të parë pas muajsh të tërë burri u qetësua, pasi gjërat filluan të marrin për mbarë. Sot ky burrë zotëron një tregti të fuqishme dhe mësimi më i rëndësishëm që nxori ishte angazhimi i bashkëshortes për ta bërë pjesë të halleve dhe vështirësive të tij, ashtu siç e bën dhe pjesë të sukseseve dhe kënaqësive.
Bill Xhons për pak i dha fund jetës së tij se dyshonte se gruaja e tij nuk do t’ua vinte veshin streseve dhe shqetësimeve të tij. Ndodhia e tij tregon se nuk është faji i gruas nëse nuk ke besim tek ajo, pasi ai nuk kishte folur me të për shumë probleme të tij dhe nuk e dinte reagimin e vërtetë të saj. Disa burra mendojnë se u ulet personaliteti kur diskutojnë me gratë për hallet dhe shqetësimet që kanë. Ata synojnë të jenë gjithmonë burim i së mirës e begatisë, e nëse ndodhin vështirësi gjatë jetës, ata përpiqen që të mos i marrin në konsideratë në sytë e grave, duke dashur t’i përballojnë vetë ato dhe mos t’i ngarkojnë bashkëshortet me ato halle.
U drejtohemi grave dhe u themi: “Dëgjojini me vëmendje burrat tuaj!” E po ashtu u drejtohemi dhe burrave e u themi: “Kini besim te gratë tuaja dhe flisni me to për çdo hall tuajin!”
Natyrisht që njeriu qetësohet kur gjen dikë që dëgjon për hallet dhe vështirësitë e tij.
Të dëgjosh me vëmendje është një kërkesë bazë për bashkëbiseduesin dhe çelësi i lumturisë bashkëshortore.

Marrë nga:
Revista periodike fetare kulturore shkencore “Drita e besimit” /Besimtari.com