Ardhja jonë në këtë botë nuk është rastësi

0
526

Qëllimi i krijimit tonë:

Nga erdhëm ne, pse erdhëm dhe ku do të shkojmë?

Një nga të mirat më të çmueshme me të cilat jemi favorizuar është, pa dyshim, jeta jonë. Sipas kanunit të pandryshueshëm të All-llahut të Lartësuar, jeta jonë, në mënyrë të paevitueshme çdo ditë shkurtohet. Në fund të fundit, çdo gjë që ndodhet pranë nesh, në këtë botë është kalimtare, kurse ato që ndodhen në botën tjetër, pranë All-llahut, janë të përhershme.
Edhe pse ne jemi dhënë pas punëve tërheqëse të jetës së kësaj bote kalimtare dhe ndjesitë ua kemi kushtuar pamjeve dhe spektakleve të shkëlqyera (pa e kuptuar këtë), çdo ditë dhe çdo natë e re na plak edhe më shumë.

Sa bukur thotë poeti:
“Mëngjeset dhe mbrëmjet, limat e kohës,
i plakin të vegjlit, i konsumojnë të mëdhenjtë.”

Ne, sikur kemi harruar qëllimin e vërtetë të ardhjes sonë në këtë botë dhe po mirremi me punë boshe duke i hedhur mënjanë detyrat tona themelore. Vallë, a kemi harruar edhe ta pyesim veten se nëse lumi i vdekjes, ardhja e së cilës është e padyshimtë, arrin dhe na rrëmben edhe neve, atëherë çfarë përgjigje do t’i japim All-llahut në Ditën kur do të pyetemi të gjithë para Tij se ku e kaluam jetën tonë, ku i shpenzuam vitet e rinisë sonë dhe si e kaluam jetën tonë?!!

Shtrohet pyetja: Ç’është ajo pengesë që na ndalon ta njohim Zotin e Madhëruar, Krijuesin tonë dhe të Gjithësisë, që është një nga parimet bazë të besimit tonë.

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, le ta zgjerojmë edhe pak çështjen tonë.
Nga erdhëm ne, pse erdhëm dhe ku do të shkojmë? Sipas këtyre pyetjeve shumë të rëndësishme ne mund t’i vlerësojmë njerëzit si dhe t’i ndajmë në grupe:

Grupi i parë janë njerëzit që nuk kanë qëllim, që nuk e lodhin trurin fare për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, aq sa e vërejmë se jeta e të tillëve nuk i shërben as kësaj bote e as tjetrës, madje edhe mund të themi se është jetë që i takon nën-nivelit të jetës njerëzore.

Grupi i dytë janë njerëzit që jetojnë vetëm për këtë botë dhe që s’i besojnë ekzistencës së botës tjetër, botës së amshueshmërisë. Këta të mjerë nuk e pranojnë dritën e diellit ngaqë janë të verbër, e mohojnë shijen e mjaltit ngaqë e kanë gojën e sëmurë dhe njohin vetëm kënaqësitë e kësaj bote. Këta njerëz për të përfituar nga bota siç ua kërkon egoja, pasioni, epshi dhe etja e tyre përdorin çdo mjet: gënjejnë, shkaktojnë ngatërresa, nxisin, dhunojnë, korruptojnë, vjedhin dhe për asgjë nuk kanë turp. Vërehet dukshëm se këta njerëz e prishin qetësinë dhe i thyejnë rregullat e shoqërisë në të cilën jetojnë. Të tillëve në Ditën e Llogarisë do t’u thuhet kështu:

“… Ju i shfrytëzuat dhe i përjetuat të gjitha kënaqësitë në jetën e tokës. E ja, pra, meqë u treguat mendjemëdhenj pa të drejtë, meqë e kaluat masën dhe u morët me punë të këqija e ngatërresa, sot do të ndëshkoheni me vuajtje e nënçmim!”(Ahkaf, 46: 20)

Grupin e tretë e përbëjnë njerëzit e formuar. Ata e dinë se nuk u krijuan kot, se kanë ardhur me urdhërin e All-llahut dhe se prapë do të kthehen tek Ai. Ata besojnë se nuk ndodhen të vetmuar e të braktisur në këtë botë dhe se detyra e tyre është që të jenë të denjë për All-llahun duke e adhuruar vazhdimisht Atë.
Këta përpiqen në këtë botë për të plotësuar nevojat e veta, të familjes së tyre, për të mos u bërë barrë e të tjerëve dhe për t’u bërë të dobishëm për të gjitha gjallesat. Të tillët me këto mirësjellje dhe me adhurimet ndaj All-llahut e gjejnë shpëtimin e tyre në të dy botët dhe kënaqësinë e ndërgjegjes së pastër në këtë botë. Pa u hamendur aspak shpëtimin e njohin te ikja prej çdo gjëje të shëmtuar dhe afrimin tek All-llahu me gjëra të mira.
Tani le të mendojmë së bashku: Në cilin grup prej këtyre tre grupeve ndodhemi ne? Nuk është nevoja ta themi se duhet të jemi te grupi i tretë. Për këtë, gjëja e vetme e nevojshme është besimi: një besim i fuqishëm! Kur të jemi bërë të zotët e një besimi të tillë, do të mund t’i zotërojmë lehtësisht egon, pasionin dhe djallin, do të ngrihen nga ne perdet e shkujdesjes (gafletit) para të kuptuarit tonë e atëherë do të kemi kapur mirë kuptimin e fjalëve të bekuara të Muhammedit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) dhe do të kemi hyrë në rrugën e zbatimit të tyre:
“Njihe vlerën e pesë gjërave para pesë gjërave të tjera: të rinisë para se të plakesh, të shëndetit para se të sëmuresh, të pasurisë para se të varfërohesh, të kohës së lirë para se të të grumbullohen punët, të jetës para së të të vijë vdekja!”

Përgatiti: Valbona Kelmendi