Durimi është dritë

0
593

Këtë temë do t’ia përshkruajmë zemrave të thyera, secilit prej jush që në familjet tuaja keni, një të sëmurë, secilit të varfër që lufton për kafshatën e gojës, secilit që gjendet në brenga të mëdha, secilit që ka rënë në fatkeqësi, secilit shpirt të tendosur, i cili nuk ndihet i qetë në këtë botë. Por, gjithashtu, këtë temë do t’ia përshkruajmë edhe atyre që jetojnë në pasuri, pa brenga dhe begati. Pra, atyre që asnjëherë nuk mendojnë se ndoshta, mos e dhashë Zoti, mund të bëhen nga kategoria e parë.

Durimi është dritë e besimtarit, e cila e udhëheqë në errësirat e sprovave, brengave dhe fatkeqësive të ndryshme, me të cilat ballafaqohen gjatë jetës. Durimi është garanci me të cilën garantohet suksesi njerëzor pa të cilin nuk mund të arrihet asgjë.

Allahu i Madhërishëm termin durim në Kur’an e ka përmendur 90 herë. Sot, desha që bashkërisht të përkujtojmë një rob të madh të Allahut, një pejgamber të ndershëm e të respektuar, Ejubin [alejhi-selam].

Allahu i Madhërishëm i kishte dhuruar Ejubit [alejhi-selam] disa begati të mëdha:

1. Allahu i Madhërishëm i kishte dhënë pasuri dhe patundshmëri aq të madhe saqë vlera e asaj pasurie nuk mund të matej.
2. I kishte dhënë me qindra rob (shërbëtor) që ishin në shërbimin e tij.
3. I kishte dhënë një bashkëshorte besimtare dhe tejet të bukur.
4. I kishte dhënë trup të bukur e të fuqishëm.
5. I kishte dhënë 14 fëmijë.
6. I kishte dhënë një popull që e dëgjonte dhe praktikonte këshillat e tij.
7. I kishte dhënë miq që shoqërohej me ata vazhdimisht, çfarë do të dëshironte secili prej nesh
8. Bashkëvendësit e donin shumë dhe kishin një respekt të veçantë për të etj.

Vëllezër, shikoni se në çfarë gjendje ishte Ejubi [alejhi-selam]. Ishte mirë nga gjendja materiale, shoqërore, psikike, dhe me një nivel të lartë, të cilin është për t’ia pasur zili gjithsecili. Kështu jetoi plot 50 vite, pa asnjë brengë. Pas kësaj lumturie dhe begatie, Allahu i Madhërishëm deshi ta sprovoj me një sprovë të madhe. Andaj në shembullin e Ejubit [alejhi-selam] mund të gjejnë ngushëllim ata që janë në fatkeqësi, ndërsa mësim mund të marrin ata që janë në begati.

Sprova e parë ishte që Allahu i mori tërë pasurinë dhe Ejubi [alejhi-selam] mbeti i varfër. Të gjitha të hollat që i kishte futur në tregti dhe bujqësi humbën.

Sprova e dytë ishte se i vdiqën të gjithë fëmijët.

Sprova e tretë ishte se u detyrua të shesë të gjithë robërit dhe në fund mbesë pa asnjë shërbëtorë.

Sprova e katërt që Allahu e sprovoi ishte sëmundja që e bëri të palëvizshëm. Miqtë e braktisën duke u frikësuar nga sëmundja që e kishte goditur. Të gjithë e braktisën, përveç bashkëshortes dhe dy shokëve të ngushtë. Tërë dynjaja e la! Ndërsa ne sot nga sprova më e vogël fillojmë të pyesim.

“Cka kam bërë? Pse unë, i cili nuk ia dua të keqen askujt?” etj.

“E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!” Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!” Jo, nuk është ashtu! Por (punoni edhe më zi) ju nuk përfillnit bonjakun”. [El-Fexhr: 15-17]

Ejubi [alejhi-selam], pejgamber, pa fëmijët e dashur i Allahut, pa shokë e miq, të gjithë e braktisën. Ky është mësim për gjithë ata që nuk e njohin mossuksesin. Lëshohuni në tokë, mos lejoni që dynjaja t’ju verboj dhe të harroni se jeni robër të Zotit që jeni varur nga mëshira e Tij.

Ke shumë para, ke ndikim në shoqëri, ke funksion dhe pozitë, të gjitha i ke… Por mos lejo që të gjitha këto të largojnë nga Allahu i Madhërishëm, mos lejoni që të gjitha këto t’ju shmangin nga principet fetare dhe njerëzore.

Paramendoni kur Ejubi [alejhi-selam] mbeti i varfër dhe i palëvizshëm, bashkëshortja e tij u bë shërbëtore për ta ushqyer burrin e saj. Kjo situatë e vështirë zgjati plot 18 vite.

Për këtë, vëllezër të dashur, nëse ballafaqoheni me problemet jetësore bëni durim, sepse sprovat tona janë të vogla në krahasim me udhëheqësin e durimtarëve, Ejubin [alejhi-selam].

Kur neve dikush na ankohet për ndonjë problem, ne i themi: “Bën sabër!” Shpeshherë dëgjomë: “Deri kurë? Nuk mundem më…!”

Secila vepër dhe për secilën lëvizje duhet durim. Për t’u larguar nga harami nevojitet durim, për bërjen e veprave të mira duhet pasur durim, për kryerjen e namazit, agjërimit, për dëgjimin e hutbes nevojitet durim … Jeta jonë në realitet është durim!

Një dijetar ka thënë: “A mendon se mund të arrish diç të vlefshme pa durim? Secila reformë vjen me durim, secili sukses vjen me durim, secila lumturi vjen me durim, në të kundërtën asgjë e keqe nuk na ndodhë e të mos jetë shkas i mosdurimit. Dikush vjedh, sepse dëshiron të pasurohet shpejtë pa pasur durim; dikush bënë zina sepse nuk ka durim derisa të martohet; dikush blenë diplomën, sepse nuk ka durim të mësoj; dikush konsumon drogën, sepse nuk mund të ballafaqohet me peripecitë e dynjasë…!”

Pra, vëllezër, durimi është aq i rëndësishëm saqë Allahu i Madhërishëm përmend në Kur’an durimin me të vjen fjala ose i tërë verseti, i cili paralajmëron fitoren dhe tejkalimin e sprovës, si për shembull: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve”. [El-Bekare:155] ose: “Vërtetë të durueshmëve do t’ju japim shpërblim pa llogari.” Kjo është rruga e suksesit, kjo është rruga e lumturisë. (Të mendojmë për këtë verset dhe ta praktikojmë në jetën tonë).

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dije se fitorja vjen me durim!”

Mos të harrojmë se njëri prej emrave të bukur të Zotit është Es-Sabur – Durimtari dhe mjafton që ne të pajisemi me bukurinë e këtij emri. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriut nuk i është dhënë dhuratë më e madhe se durimi.”

Kthehemi te Ejubi [alejhi-selam]: Bashkëshorjta e tij e ndershme ishte aq e lodhur nga puna, nënçmimi saqë një ditë Ejubit [alejhi-selam i tha: “A nuk je i dërguar i Allahut?” – “Natyrisht që jam!” – ia ktheu ai. – “Atëherë përse nuk e lutë Allahun të na lehtësojë vuajtjet tona?” Ejubi e pyeti: “Sa vite kemi jetuar në begati dhe raheti?!” – “18 vite!” – u – tha ajo. Atëherë Ejubi [alejhi selam] tha: “Allahu 50 vite më ka mbuluar me begati, a mos të kemi durim 18 vite?

Pash Allahun, nuk do t’i lutem derisa të bëhen 50 vite durim.”

Në një rast gruaja ia solli një gjellë të shijshme. Kur e pa Ejubi [alejhi-selam] e pyeti: “Nga kjo?” – “E shita gërshetin tim për të blerë këtë gjellë për ty!? – tha ajo. Ky gjest i bashkëshortes e preku thellë Ejubin [alejhi-selam], nuk mund t’ia bëj hallall vetes për vuajtjet e gruas së tij. Vetëm mëshirë dhe ndihmë. Dëgjoni lutjen e Ejubit [alejhi-selam], të cilën na e sjell si shembull Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik: “(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!” (El-Enbija: 83)

Pra nuk u ankua, nuk përmendi detajet e vështirësisë së tij. Më tej vazhdon: “Përkujto edhe robin tonë Ejubin, kur me lutje iu drejtua Zotit të vet: “Djalli më ka goditur me mundim e dhembje!”. Dhe Allahu i Madhërishëm iu përgjigj lutjes së tij: “Bjeri me këmbën tënde tokës! Ky është (ujë) i ftohtë, lahesh dhe pi. E nga mëshira Jonë dhe mësim për ata që kanë të menduar, Ne ia falëm familjen e tij dhe po aq sa ishin ata”. (Sad: 42-43)

Pas kësaj Allahu i Madhërishëm ia kompensoi të gjitha. Si një përfundim madhështorë në tregimin e Ejubit [alejhi-selam] janë fjalët e Allahut të Madhërishëm: “E merre me dorën tënde një deng thupra dhe bjeri me të, e mos e thyej betimin! Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti”. (Sad: 44)

A keni ndëgjuar ndonjëherë lavdërim më të bukur, më përmbledhës, më përmbajtës, më emocionues se ky lavdërim i Allahut ndaj robit të Tij të sinqertë e durimtarë, Ejubit [alejhi-selam]?

I lutemi Allahut të Madhërishëm të nderoj me durim, i cili do të jetë dritë e lumturisë dhe e suksesit në dy jetët, dhe të jemi prej robërve të sinqertë të Allahut, të cilët pendohen shumë dhe janë durimtarë. Amin!