THIRJA E PEJGAMBERIT SAL-LALLAHU ALEJHI VE SEL-LEM NGA KODRA SAFA:
Pas premtimit të Ebu Talibit se do ta mbronte deri sa të ishte gjallë, Allahu të Lartësuar zbreti Shpalljen. Një ditë Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem shkoi në Safa dhe thirri me zë të lartë: “Ja armiku po vjen!” Kurejshët u mblodhën rreth tij. Atëherë i thirri që ta besonin Allahun Një, Pejgamberin e Tij dhe Ditën e Gjykimit. Buhariu transmeton një pje-së të kësaj ngjarjeje nga Ibni Abbasi, i cili thotë: “Kur u shpall: “Dhe paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem hipi në Safa dhe filloi të thërriste: “O pasardhësit e Fihrit! O pasardhësit e Adit! O kurejshitë!”, dhe kështu me radhë, derisa u tubuan ata. Disa nuk mundën t’i përgjigjeshin thirrjes së tij, prandaj dërgoi dikënd që t’i lajmëronte se cilët ishin ata. Erdhi Ebu Lehebi, erdhën edhe kurejshët. Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “Çfarë mendoni, po t’ju thosha se në luginë gjendet kalorësia e cila do t’ju sulmojë, a do të më kishit besuar?” Ata u përgjigjën: “Ne do të besonim, se ti kurrë nuk na ke gënjyer.” “Atëherë”, – ai tha, – “dijeni se unë jam i dërguar te ju që t’ju tërheq vërejtjen për vuajtjet e rënda dhe ndëshkimin që ju pret.” Ebu Lehebi tha: “Të shkoftë huq pjesa e mbetur e ditës! A për këtë na ke ftuar? Allahu të Lartësuar atëherë shpalli:
“Le të shkatërrohet Ebu Lehebi.”[1]
Muslimi transmeton pjesën e dytë të kësaj ngjarjeje nga Ebu Hurejra , i cili thotë: “Atëherë kur Allahu të Lartësuar shpalli: “Dhe para-lajmëroje farefisin tënd më të afërm”, Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem iu drejtua çdonjërit që ishte i pranishëm e u tha: “O kurejshitë, shpëtoni veten nga zjarri! Oj Fatime, e bija e Muhammedit, shpëtoje veten nga zjarri. Pasha Allahun, unë nuk mundem të bëj asgjë për ju tek Allahu, përveç që jemi të lidhjes amnore, dhe që do ta informoj Atë për këtë lidhje fisnore.”[2]
Kjo formë e të drejtuarit, me zë të fuqishëm dhe të depërtueshëm, është mënyra më e mirë që të kumtohet lajmi dhe paralajmërimi. Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u ka shpjeguar njerëzve më të afërm se pranimi i Shpalljes dhe pranimi i tij si Pejgamber, është çështje jetësore e ndërlidhjes mes tij dhe atyre. “Asabijja” fisnore, lojaliteti i ver-bër, të cilit i përmbaheshin arabët, nuk është kurrgjë dhe së shpejti do të zhdukej në ufmën e këtij paralajmërimi që ka ardhur nga Allahu të Lartësuar.
E vërteta e theksuar sheshazi dhe reagimi i idhujtarëve
Ngjarja paraprake ende nuk ishte qetësuar në Mekën e turbulluar, e Allahu të Lartësuar shpalli: “Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar dhe shmangiu idhujtarëve.” (El-Hixhër: 94).
Prandaj Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u drejtua kundër bestytnive të idhujtarëve, duke thënë të vërtetën për idhujt dhe pavlefshmërinë e tyre. Ai u sillte shembuj për paaftësinë e idhujve që t’i shërbenin vet-vetes, e si atëherë të jenë zotër prej të cilëve populli kërkon ndihmë dhe shërbim. Pastaj u sqaronte se ai i cili beson idhujt dhe i merr ata si ndërmjetës mes tij dhe Allahut, është në humbje të sigurt.
Mekën e kaploi urrejtja, shqetësimi dhe frika. Kush flet kështu me zë të lartë kundër idhujve dhe popullit që i adhuron këta? A thua janë në rrugë të humbur dhe janë duke jetuar në lajthitje të madhe? Kush është duke ngritur zërin kështu kundër zotërve të kurejshëve dhe të fesë së tyre? Me mijëra shkrepëtima, rrufe dhe tërmete tronditën luginën e qetë, të heshtur dhe të përgjumur të Mekës. E shakullisën ajrin e saj dhe i ngritën peshë shkretëtirat e stuhishme. U ngritën kurejshët kundër këtij shpërthimi, që i përfshiu të gjithë ata papritur e pakujtuar, duke u frikësuar se do të depërtonte në zako-net dhe në trashëgiminë e tyre.
U ngritën mekasit, sepse e kuptuan domethënien e fjalës “iman”, e cila mohon çfarëdo hyjni tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Dome-thënë: Të besuarit në Shpallje dhe në Ditën e Gjykimit është bindje e plotë dhe dorëzim i plotë, kur njeriu nuk është më zotërues i vet-vetes e as i pasurisë së tij, sepse kjo i takon Allahut të Lartësuar, ndryshe nga ata që nuk e besojnë këtë.
Të pranosh këtë, do të thoshte të hiqje dorë nga zotërillëku, nga sundimi dhe nga autoriteti që gëzonin tek arabët e që ishte i ndërlidhur me idhujtarinë në Mekë.
Të ndalonin kryerjen e ritualeve politeiste dhe t’i linin ato pas dore për të kënaqur Allahun dhe Pejgamberin e Tij, as që u binte ndërmend. T’u ndaloje të bënin dhunime, robërime dhe shumë vepra të tjera mëkatare, në të cilat ishin kredhur thellë dhe, të cilat i bënin ditë e natë, kjo ishte e pamundur. Ata nuk pranonin kurrfarë ndryshimesh, lidhur me këtë Allahu të Lartësuar thotë: “Por, njeriu dëshiron të gabojë derisa të jetë gjallë.” (El-Kijame: 5).
Kurejshët i dinin mirë të gjitha këto, por çfarë mund të bënin para këtij njeriu të sinqertë dhe besnik, njeriut me vlera më të larta njerëzore e me sjellje shembullore? Nuk e dinin se kishte ekzistuar ndonjë i tillë qysh kur e njihnin historinë e popullit të vet. Çfarë të bënin? Si të vepronin? Ishin në mëdyshje të madhe. Ani, le të jenë, kishin edhe përse të jenë!
Pas përsiatjes së gjatë dhe të mundimshme nuk gjetën zgjidhje më të mirë se të shkonin te xhaxhai i Muhammedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, Ebu Talibi, dhe të kërkonin nga ai që ta pengonte nipin e vet në planet e tij. Që kërkesa e tyre të ishte më serioze, vendosën të vepronin ashpër. Andaj, i thanë: Thirrja që njerëzit të braktisin besimin në zotat tanë, interpretimi për pamundësinë dhe dobësinë e tyre, është sharje e shëmtuar dhe nënçmim i rëndë për ta, e krahas kësaj është sharje dhe poshtërim i etërve dhe i gjyshërve tanë, të cilët i kanë adhuruar ata, kanë ndjekur me besnikëri këtë rrugë dhe kanë garuar në këtë drejtim.”
______________________________________
[1] Sahihu-l-Buhari: II/702, 743 dhe te Muslimi: I/114.
[2] Sahihu-l-Muslim: I/114; Sahihu-l-Buhari: I/385, II/702; dhe Mushkatu-l-Mis’habi: II/640.