Vrasesi i 100 personave!
Nga Ebu Seid Sa’d ibn Malik ibn Sinan el-Hudrij radiAllahu anhu përcillet se i Dërguari i All-llahut salAllahu alejhi we selam ka thënë:
“Moti para jush ka qenë një njeri që ka vrarë nëntëdhjete e nëntë veta, ka pyetur për njeriun më të dijshëm në botë. Atë e udhëzuan te një murg (prift). Shkon te murgu e i thotë se ka vrarë 99 veta, andaj a ka për të tevbe (mëshirë prej All-llahut dhe falje). Murgu i thotë se për të nuk ka tevbe.
Ky e vret edhe murgun dhe me të i plotëson njëqind të vrarët. Pastaj vazhdon të kërkojë njeriun më të ditur në botë, e udhëzuan te një dijetar. Ky pasi e gjen i tregon se ka vrarë 100 njerëz dhe e pyet edhe këtë se a ka për të tevbe? Dijetari i tha: “Po!
E cili është ai që mund të ndërhyjë ndërmjet tij dhe tevbes së tij? -Shko në atë vend dhe në atë vend, aty banojnë njerëz të cilët e adhurojnë All-llahun edhe ti adhuroje All-llahun me ta dhe mos u kthe kurrë në vendin tënd, sepse është vend i keq”.
Njeriu u nis për në vendin e adhurimit të All-llahut dhe kur arriti në gjysmë të rrugës i erdhi vdekja. Atëherë lindi grindja në mes engjëjve të mëshirës dhe engjëjve të dënimit. Engjëjt e mëshirës thanë: “Ai deri këtu ka ardhur i penduar për mëkatet me zemër të drejtuar kah All-llahu i Madhërishëm”. Kurse engjëjt e dënimit thanë: “Asnjëherë më parë nuk ka bërë mirë”.
Atëherë këtyre engjëjve u vjen një engjëll tjetër në formë të njeriut e këta e morën për gjykatës që të gjykojë se cilët kanë të drejtë. Ky u thotë: “Matni në mes dy vendeve (vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve), e më afër cilit vend të jetë, atij vendi edhe i takon”. Engjëjt e matën hapësirën në mes dy vendeve dhe konstatuan se i penduari ishte më afër vendit që synonte, andaj e morën engjëjt e mëshirës”.
(Muttefekun alejhi)