Ky ishte Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të

0
582

Në një ditë shumë të nxehtë, Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte ulur nën një hije së bashku me një shërbëtor të tij jashtë qytetit të Muhammedit, alejhi selam.

Teksa po qëndronte aty, pa një njeri që po vinte nga larg, i cili ia kishte mbathur me dy deve, dhe tha: “Ç’është puna me këtë njeri në këtë të nxehtë të madh? Pse nuk pret derisa të freskohet pak koha?!”

Pasi njeriu filloi të afrohej edhe më shumë, Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, vërejti se ai ishte udhëheqësi i muslimanëve, Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të! Menjëherë doli ta pres, por ndjeu të nxehtin e madh dhe u kthye përsëri nën hije derisa Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, nuk iu afrua.

Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha: “Çka të nxori në këtë kohë o udhëheqës i muslimanëve?”

U përgjigj: “Dy deve prej deveve të pasurisë së muslimanëve janë vonuar dhe unë u frikësova se ato mund të humbin e pastaj Allahu do të më pyes në Ditën e Gjykimit për ato të dyja, kështu që i kërkova derisa i gjeta dhe desha t`i kthej në stallën e tyre.”

Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “O udhëheqës i muslimanëve! Eja nën hije dhe freskohu me ujë, ne do të dërgojmë dikë që të merret me çështjen e tyre.”

Por udhëheqësi i muslimanëve refuzoi një gjë të tillë dhe vazhdoi me devetë derisa i dërgoi në stallë.

E pas kësaj, Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha:

“Kush dëshiron të shoh të fortin e besnikun, le të shikojë në këtë (Omerin, Allahu qoftë i kënaqur me të!)”

Përktheu: Valdet Kamberi