“7 lule, si shtatë qiej”

0
541

“7 lule, si shtatë qiej”
Agron Islami
Ç’është lumturia vallë?
Ajo është një qetësi dhe rehati e brendshme, një gjumë, haje dhe pije normale, identifikohet me mendime të bukura, me dashuri për jetën, me ndjesi të ëmbla, miqësohet me humor të mirë në pjesën më të madhe të kohës, dhuron frymëmarrje normale dhe të ngopshme, të bën të kesh gjoks të hapur e të çliruar, rrahje normale të zemrës, mbjellë në ty shpresë për të ardhmen, sytë e tu i bën të hapen, mvaret poashtu deri diku; nga një punë dhe mision që kryhet me plotë ashkë e dashuri, mbështetet prej ëndrrave dhe aspiratave për jetën. Ajo buron nga brenda dhe fle thellë në shpirt, kurse shfaqet te dritaret, që janë sytë.
Kushti i parë për lumturi është: Mos u zhyt në mendimin negativ! Zhytja në mendimet dhe fantazitë negative, ngjanë sikur të zhytesh drejt një grope të errët, të zezë, helmuese, ku sa më shumë që shkon drejt saj, dobësohesh, paaftësohesh emocionalisht, shpirtërorja jote zhveshet nga ndjesitë e mira dhe mbushet me të këqija.
Mos fut në shpirtin tënd ndjenja toksike! Ato që i ke futur më parë; nxirri, kurse ato që i ke ndrydhur çliroji! Ji kujdestar dhe vëzhgues i hollësishëm ndaj ndjenjave, preferencave dhe hollëzoji irritacionet e tyre, tamam ashtu, si një prind i tej-kujdesshëm ndaj fëmijës së tij!
Njihi ndjenjat e tua me një precizitet të detajizuar! Çka dhe cilat ndjesi do të të bënin të udhëtosh drejt një lumturie për të cilën lumturi të flet intuita jote, se këndej është!
Kontemplo dhe përsiat mbi Zotin dhe jetën me Logjikën e Natyrshmërisë! Ti e njeh Zotin dhe Jetën me anë të asaj llampe që Ai Vetë e ka instaluar në ty. Asnjë tekst qiellor/hyjnor nuk përplaset – o miku im – me këtë llampë, besomë! Ndiqi shijet e tua personale/unike, madje këtë respekt bëjau edhe imtësive më të thella të shpirtit! Ti je unik; ke shijet dhe preferencat e tua; mos prano atë që s’mundesh ta bësh, ta përjetosh, ta shijosh. Mos e lidh orientimin e jetës sate, nëpërmjet shijeve të të tjerëve, sepse nuk ke për të shkuar kah rruga jote e jetës, për të cilën u krijove. Shijet, pëlqimet dhe mospëlqimet e tua; kryesisht janë të pakuptueshme për trurin tënd, e lëre më për trutë e të tjerëve!
Ki konsideratë për shpirtin! Kur ai lehet anash; jetës i venitet lulja. Jepia atij ushqimin e vetë! Si: besimin, meditimin, jogën, artin, miqësinë pozitive, adhurimin, leximin!
Nuk është Fundi Tragjik saherë që ti e mendon! E di se jeta është gjysmë Parajse?! Kurse Parajsa e kompletuar është atje në atë botë. Por është egoja jonë, ajo për të cilën Kurani Famëmadh informoi se anon nga e keqja shumë më shumë se sa nga e mira, e si rrjedhojë; ajo edhe hapë porta frikësuese!
Kush je dhe për çka je? Sekreti i jetës sate!