Vrasja e njeriut është nga mëkatet e mëdha

Vrasja e njeriut është nga mëkatet e mëdha

Mëkati i dytë: Vrasja e njeriut

Allahu Madhëruar thotë: “Kushdo që vret një besimtar me paramendim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, ku do të qëndrojë përgjithmonë.[1] Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar[2] dhe i ka përgatitur dënim të madh.”[3]

I Madhëruari thotë: “dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson…”[4]

I Madhëruari thotë: “se kushdo që vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri apo që nuk ka bërë ndonjë shkatërrim në Tokë,[5] është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit.[6]”[7]

Po ashtu i Madhëruari thotë: “kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet për çfarë faji ishte vrarë.”[8]

  1. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Largojuni shtatë shkatërrueseve…”[9] prej tyre përmendi vrasja e atij që e ka ndaluar Allahu.
  1. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u pyet: Cili është mëkati më i madh? Tha: “T’i bësh Allahut shok, ndërsa Ai të ka krijuar ty.” Pastaj cili (mëkat)? Tha: “Të vrasës fëmijën tënd nga frika se do ushqehet bashkë me ty.” I thanë: Pastaj cili (mëkat)? Tha: “Të bësh kurvëri me bashkëshorten e fqinjit tënd.”[10]
  1. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dy muslimanë ndeshen me shpata me njëri-tjetrin, vrasësi dhe i vrari janë në zjarr.” I thanë: O i Dërguari i Allahut! Kjo përsa i përket vrasësit, por si është puna me të vrarin (që do futet në zjarr)? Tha: “Sepse edhe ai (i vrari) ka dashur të vriste shokun e tij.”[11]
  1. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njeriu do vazhdojë të jetë në hapësirën e fesë së tij derisa nuk derdh gjakun e ndaluar.”[12]
  1. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos u ktheni pas meje jobesimtarë duke goditur qafat e njëri-tjetrit (të vrisni njëri-tjetrin).”[13]
  1. Përcillet nga Beshir bin Muhaxhir nga Ibën Burajdeh; nga babai i tij se ka thënë: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vrasja e një besimtari është më e madhe te Allahu se shkatërrimi i dynjasë.”[14]

“El-Kebairu”

Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë!)

Recensoi, nxorri hadithet dhe gjykoi për to

Shejh Mesh’hur bin Hasen Al Selman (Allahu e ruajttë!)

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Këtë dënim meriton ai që vret një besimtar, nëse nuk ka diçka tjetër që e pengon atë, sepse dënimet zbatohen nëse plotësohen shkaqet e tyre dhe eliminohen pengesat e mundëshme për zbatimin e tyre. Kështu thonë dijetarët e ehli sunetit, në kundërshtim me havarixhët dhe mutezilitë, të cilët thonë se ky dënim i përmendur në këtë ajet zbatohet mbi të gjithë ata që e bëjnë këtë vepër, edhe nëse janë besimtarë që e njësojnë Allahun. Por e vërteta është ajo që thonë dijetarët e pasuesve të sunetit dhe ajo që ka për qëllim Allahu, sepse besimi në Allahun dhe adhurimi vetëm i Atij është pengues i të qëndruarit përgjithmonë në Zjarr, gjë të cilën e provojnë tekstet e Kuranit dhe të Sunetit, si dhe unanimi i dijetarëve të Islamit. Po kështu edhe pendimi, fatkeqësitë e mëdha, marrja e dënimit të caktuar nga Allahu në dynja, të gjitha këto e pengojnë dënimin e përhershëm në botën tjetër, dhe kështu mbetet dënimi i përkohshëm apo falja nga Mëshirëploti dhe Falësi i Madh. Kurse për mohuesin që vret një besimtar dhe vdes duke qenë mohues, padyshim se vendi i tij është zjarri ku do të qëndrojë përgjithmonë. [Es-Seadi dhe Ibnul Kajjim el-Xheuzije, në “Medarixhu es Salikin”].

[2] E ka larguar nga mëshira e Tij dhe e ka braktisur atë.

[3] En-Nisa, 93

[4] El-Furkan, 68-70

[5] Allahu ia ndaloi vrasjen bijve të Israilit (hebrenjve) dhe të gjithë njerëzimit, përveç dy rasteve ku vrasja është e drejtë, e ato dy raste janë: kur dikush vret dikë padrejtësisht, ai vritet për gjakun e derdhur, dhe rasti i dytë kur dikush bën shkatërrime dhe çrregullime në tokë, qoftë duke terrorizuar njerëzit, duke u zënë rrugën atyre për t’u grabitur pasuritë, duke bërë kryengritje të armatosur kundër shtetit, apo duke përhapur bidatet dhe devijimet nga feja në mesin e njerëzve. Vrasja e këtyre është e drejtë dhe e merituar, sepse dëmi i këtyre nuk mund të eliminohet veçse në këtë mënyrë. Në një hadith të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thuhet: “Nuk lejohet derdhja e gjakut të asnjë muslimani që dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, veçse në një nga këto tre raste: një burrë i martuar që bën kurvëri, ai që vret dikë tjetër (padrejtësisht) dhe ai që e braktis fenë dhe ndahet nga shoqëria muslimane.” [Buhariu, Muslimi, etj.] Kurse shkatërrimi në tokë që përmendet në ajet, është për qëllim vepra e atyre që u zënë pritë njerëzve për t’i plaçkitur e për t’i vrarë, vepra e banditëve dhe e kusarëve.

[6] Gjynahu i tij është shumë i madh, dhe ndëshkimi i tij gjithashtu i madh, njësoj sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit. Këtë vrasës që guxon të vrasë një njeri, nuk e pengon asgjë nga vrasja e një tjetri, e kështu me rradhë, prandaj ai duhet vrarë, sepse vetëm me këtë mënyrë shpëtohet jeta e njerëzve që mund t’i kanoset vdekja prej tij, dhe vetëm me këtë mënyrë zhduket e keqja dhe dëmi i tij nga shoqëria. Rritja e dënimit për atë që vret një njeri deri në atë masë sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit është bërë për herë të parë ndaj bijve të Israilit dhe ata qenë të parët që e merituan këtë rritje të dënimit për shkak të mosbindjes së tyre edhe pse e dinin të vërtetën dhe e shihnin qartë atë, prandaj edhe Allahu i kujton ata me birin e parë të Ademit që vrau vëllanë e tij dhe mori edhe gjynahet e tij bashkë me të vetat. E gjithë kjo erdhi kur ata tentuan disa herë për të vrarë jo një njeri të thjeshtë, por të Dërguarin e Allahut, vulën e profetëve, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ashtu siç kishin tentuar edhe më parë me të dërguarit e Allahut, madje disa prej tyre i vranë vërtet, edhe pse e kishin të ndaluar dhe dënimin për vrasjen e një njeriu e kishin shumëfish. Këta janë hebrenjtë.

[7] El-Maide, 32

[8] Et-Tekuir, 8-9

[9] E ka nxjerr Buhariu në kapitullin “El-Uesaja” tema: “Fjala e Allahut të Madhëruar “Vërtet, ata të cilët e hanë në mënyrë të padrejtë pasurinë e jetimëve, nuk fusin në barqet e tyre veçse zjarr dhe do të përvëlohen në zjarr flakërues” (5/393 me nr. 2766) dhe Muslimi në kapitullin “El-Ijman” tema: “El-Kebairu ue Ekbaruha” (1/92 me nr. 89) nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu; nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Largojuni shtatë shkatërrueseve.” Thanë: O i Dërguari i Allahut! Cilat janë ato? Tha: “Ti bësh shirk Allahut, magjia, vrasja e atij që e ka ndaluar Allahu veçse me të drejtë, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, dezertimi (nga lufta) ku gjindesh përballë armikut dhe shpifja ndaj besimtareve të pastërta e të pafajshme.

[10] Transmeton Buhariu në kapitullin e komentimit të Kuranit, tema: “Fjala e Allahut të Lartësuar: “Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun” (8/163 me nr. 4477) dhe Muslimi në kapitullin “El-Ijman” tema: “Bejanu keun esh-Shirk ekbah edh-dhunub” (1/90 me nr. 86) prej hadithit të Abdullah bin Mesud radijAllahu anhu.

[11] E transmeton Buhariu në kapitullin “El-Ijman” tema: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata” (1/84-85 me nr. 31) dhe Muslimi në kapitullin “El-Fiten ue Eshratu es-Seah” (4/2213-2214 me nr. 2888) prej hadithit të Ebi Bekrah radijAllahu anhu.

[12]E ka nxjerr Ahmedi në “El-Musned” (4/148 dhe 152), Ibën Maxhe (2/873 me nr. 2618) dhe Hakimi në “El-Mustedrak” (4/351) prej hadithit të Ukbeh bin Amir radijAllahu anhu.

[13] E transmeton Buhariu në kapitullin “El-Ilmu” tema “El-Insatu lil ulemai” (1/217 me nr. 121) dhe Muslimi në kapitullin “El-Ijman” tema: “Bejanu meana kaul en-Nebij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “La terxheu badi kuffaran…” (me nr. 65) prej hadithit të Xherir bin Abdullah radijAllahu anhu.

[14] E ka nxjerr En-Nesaiu në kapitullin “Tahrimu ed-Dem” tema: “Tadhimu ed-Dem” (7/83-84), Ibën Adij në “El-Kemal” (2/454) dhe prej rrugës së tij e ka nxjerr Bejhakiu në “Esh-Shu’abu” (4/345 me nr. 5342) dhe Ed-Dijau në “El-Mukhtarah” siç është te “El-Mekasidu el-Haseneh” (fq. 340) prej hadithit të Burajdes. I ka dëshmues dhe zinxhiri i tij është i mirë (hasen) siç gjendet në “Et-Tergib” (4/72) prej hadithit të El-Berau bin Azib, i cili gjendet te Ibën Maxhe (2619) dhe Bejhakiu në “Esh-Shu’abu” (me nr. 5343, 5344 dhe 5345). Tjetri nga hadithi i Abdullah bin Amër radijAllahu anhu, i cili gjendet te En-Nesai (7/76-77), Et-Tirmidhi (1395) dhe në “Ilelu el-Kebir” (392), Ibën Ebi Hatim në El-Ilelu” (2775), Ibën Ebi Asim, Ebi Nuajm në “El-Hiljeh” (7/270), Bejhakiu në “Es-Sunenu el-Kubra” (7/22-23) dhe Hatib el-Bagdadi në “Tarikhu Bagdad” (5/296-297) merfuan dhe meukufen. Tirmidhiu thotë se më e sakta është meukuf. El-Mundhiri ia ka atribuar (hadithin) Muslimit, por kjo është gabim. Atë e pasoi në këtë mendim El-Menaui e më pas Kardavi në librin “El-Halalu uel-Haram”. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka gjykuar për hadithin e Burajdes dhe Abdullah bin Amër si të saktë.