Allahu i Lartësuar thotë:
الَّذِينَ يُنفِقُونَ أَمْوَالَهُم بِاللَّيْلِ وَالنَّهَارِ سِرًّا وَعَلانِيَةً فَلَهُمْ أَجْرُهُمْ عِندَ رَبِّهِمْ وَلاَ خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلاَ هُمْ يَحْزَنُونَ
“Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.”[1]
1. Sadakaja (lëmosha) është shkak për shtimin e pasurisë dhe zgjerimin e furnizimit. Allahu i Lartësuar thotë:
يَمْحَقُ اللَّهُ الرِّبَا وَيُرْبِي الصَّدَقَاتِ
“Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë.”[2]
Kurse, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Sadakaja nuk e pakëson pasurinë…” (Shënon Muslimi).
2. Sadakaja është shkak për shërimin e sëmundjeve. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Shërojini të sëmurit tuaj me sadaka.” (Albani e klasifikon hasen në Sahihul Xhami’).
3. Sadakaja është argument për saktësinë e imanit të atij që e jep. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Sadakaja është argument.” (Shënon Muslimi).
4. Sadakaja është shkak për të arritur përkushtimin e vërtetë dhe devotshmërinë. Allahu i Lartësuar ka thënë:
لَن تَنَالُواْ الْبِرَّ حَتَّى تُنفِقُواْ مِمَّا تُحِبُّونَ وَمَا تُنفِقُواْ مِن شَيْءٍ فَإِنَّ اللَّهَ بِهِ عَلِيمٌ
“Nuk keni për të arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë.”[3]
5. Sadakaja e pastron shpirtin dhe e dëlirë atë. Allahu i Lartësuar ka thënë:
خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِم بِهَا
“Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira.”[4]
6. Sadakaja e fut dhënësin e saj nën hije nga nxehtësia e diellit ditën e Kiametit. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Çdo njeri do të jetë nën hijen e sadakasë së tij, derisa të gjykohet mes njerëzve.” (Këtë hadith e shënon Ahmedi, kurse Albani e klasifikon si autentik). Ndërsa, në hadithin e të shtatëve thuhet: “dhe njeriu që jep sadaka fshehurazi, saqë dora e majtë nuk e di ç’jep e djathta.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
7. Sadakaja është nga morali i Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “I Dërguari i Allahut, në Ramazan, kur e takonte Xhibrilin tregonte një bujari që nuk e kishte në muajt e tjerë… Kështu, i Dërguari i Allahut në këtë muaj ka qenë më i dobishëm për njerëzit sesa era pas së cilës vjen shiu.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
8. Sadakaja është forcim i lidhjes farefisnore. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Sadakaja për skamnorin është sadaka, ndërsa për të afërmin është sadaka dhe forcim i lidhjeve familjare.” (Shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu).
9. Sadakaja mbron nga fatkeqësitë dhe shuan hidhërimin e Zotit. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Bamirësitë të mbrojnë nga fatkeqësitë, lëmosha e fshehtë e shuan hidhërimin e Zotit ndërsa respektimi i farefisit ta shton jetën.” (Sahih Et Tergib ue et terhib).
10. Sadakaja është shërim për ngurtësinë e zemrës. Një person i qe ankuar Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, për ngurtësinë e zemrës, ai i tha: “Fërkoje kokën e jetimit dhe jepi ushqim skamnorit.” (Shënon Ahmedi).
11. Sadakaja është shkak për shpëtimin tënd nga xhehenemi ditën e kiametit. Allahu i Lartësuar thotë:
وَيُطْعِمُونَ الطَّعَامَ عَلَى حُبِّهِ مِسْكِينًا وَيَتِيمًا وَأَسِيرًا
فَوَقَاهُمُ اللَّهُ شَرَّ ذَلِكَ الْيَوْمِ وَلَقَّاهُمْ نَضْرَةً وَسُرُورًا
“Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë…
Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim.”[5]
Ndërsa, në një hadith qëndron: “Ruajuni zjarrit qoftë edhe me një gjysmë hurme.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
12. Sadakaja i fal mëkatet dhe i fshin gjynahet. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Sadakaja i fshin mëkatet ashtu siç e fik uji zjarrin.” (Shënon Tirmidhiu, ndërsa Albani e klasifikon këtë hadith si autentik).
13. Sadakaja është shkak që Allahu të të dojë. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nga veprat që Allahu i do më së shumti janë futja e gëzimit në zemrën e muslimanit, largimi i mërzisë nga ai, largimi i urisë dhe larja e borxhit të tij.” (Sahih Et Tergib ue Et Terhib).
14. Për dhënësin e sadakasë çdo ditë luten melekët. I Dërguari i Allahut, sal-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Çdo ditë kur robërit e Zotit zgjohen nga gjumi, atyre u zbresin dy melekë. Njëri prej tyre thotë: “O Allah! Jepi dhe shtoja pasurinë atij që është bujar! Ndërsa tjetri thotë: “O Allah! Pakësoja pasurinë koprracit (atij që nuk jep)!” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
15. Shpërblimi i sadakasë nuk ndërpritet nga ai që e jep as pas vdekjes. I Dërguari I Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kur vdes njeriu veprat e tij ndërpriten përveçse në tri raste: sadakaja rrjedhëse, dituria e dobishme dhe fëmija i mirë i cili lutet për të.” (Shënon Muslimi).
16. Sadakaja është shkak për hyrjen në xhenet. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “O ju njerëz, përhapeni selamin, ushqeni të tjerët, mbani lidhjet familjare dhe faluni natën kur njerëzit flenë do të hyni në xhenet, të përshëndetur me selam.” (Shënon Tirmidhiu ndërsa Albani e klasifikon autentik).
Përktheu: Almedin Ejupi
[1] Kuran, 2:274.
[2] Kuran, 2:276.
[3] Kuran, 3:92.
[4] Kuran, 9:103.
[5] Kuran, 76:8,11.