Vlera e haxhit – një rrugë drejt Xhenetit

0
282

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Krijuesit të plotfuqishëm. Paqja dhe shpëtimi i Tij, si dhe përshëndetjet e salavatet tona qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë me sinqeritet rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Lexues të nderuar!

Lusim Allahun e Madhëruar të na kurorizojë me sukses në çdo punë të mirë, të na i pranojë veprat e mira, të na mbrojë nga të këqijat e fitnet, të na shpëtojë nga dënimi i Tij me zjarr! Edhe haxhinjve që kanë mësyrë Qaben ua mundësoftë ta kryejnë ibadetin e tyre si duhet dhe ua pranoftë duke i shpërblyer me të mirat e Tij të panumërta!

Vëllezër e motra muslimanë!

Porosia e madhe për të gjithë është frika dhe përkushtimi i madh ndaj Allahut xhel-le shanuhu në të gjitha situatat e në të gjitha punët, mbajtja e fesë së Tij, si dhe kujdesi e largimi nga gjërat që e nxitin hidhërimin e Tij. Obligimi kryesor dhe më i rëndësishmi është Tevhidi (Njëshmëria e Allahut) dhe sinqeriteti i plotë (Ihlasi) në të gjitha ibadetet duke pasur parasysh gjithmonë pasimin e rrugës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem (Sunetin e tij) në mendime, fjalë e vepra.

Andaj, edhe haxhi bën pjesë në Sheriatin e Allahut, të cilin e shpjegoi i Dërguari i Tij, Muhamedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe për ta kryer atë drejt e mirë duhet ndjekur udhëzimet e Mësuesit tonë, Muhamedit alejhi selam, i zgjedhuri i njerëzimit për t’i drejtuar ata në rrugët e mirësisë, gjegjësisht në rrugën e Xhenetit.

Gjëja më e urrejtur dhe mëkati më i rrezikshëm është politeizmi (shirku-bërja shok Allahut në ibadete, apo bërja e ibadetit për tjetërkënd), andaj edhe Allahu thotë:

“S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin)t’i përshkruhet Atij shok(idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati)i falë kujt do.” (Nisa, 48)

Po ashtu edhe Pejgamberit të Tij i është drejtuar me këto fjalë:

“Pasha Allahun! Të është shpallur ty, e edhe atyre para teje: Nëse i bën shok(Allahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve.” (Zumer, 65)

Besimtarë të nderuar!

Pejgamberi ynë i nderuar nuk ka bërë haxh pas shpërnguljes së Tij (hixhretit) vetëm se një herë dhe atë në fund të jetës së tij, i cili njihet me emrin “Haxhi Lamtumirës”. Gjatë ritualit të këtij haxhi ua mësoi njerëzve rregullat e tij me fjalë dhe me vepra, ku edhe thotë:

“Merrni nga unë rregullat e haxhit tuaj.”

Nga kjo del se është obligim për të gjithë muslimanët që të ndjekin shembullin e tij në të gjitha çështjet, respektivisht edhe në haxh, të cilin duhet kryer ashtu si iu është obliguar, ngase Pejgamberi alejhi selam është Mësuesi Udhëzues.

E dërgoi Allahu mëshirë për botërat, dëshmitar për apo kundër robërve, dhe urdhëroi që të pasohet duke sqaruar se pasimi i tij është rrugë që shpie në Xhenet, është mburojë që të mbron nga dënimi me zjarr, është simbol i çiltërsisë së dashurisë së robit ndaj Zotit si dhe dashurisë së Allahut ndaj robit. Për këtë edhe thotë Allahu xhel-le shanuhu:

“Çka t’ju jep Pejgamberi, merrnie atë, e çka t’ju ndalojë, largohuni prej saj!” (Hashr, 7)

Po ashtu porosit:

“Faleni rregullisht namazin, jepni zekatin dhe pasone të Dërguarin në mënyrë që të mëshiroheni.” (Nur, 56)

Si dhe thotë:

“Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut.” (Nisa, 80)

Andaj, besimtarëve të devotshëm që kanë frikë Allahun si dhe shpresën e vetme e kanë lidhur te Allahu, u drejtohet:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur Allahun shumë shpesh.” (Ahzab, 21)

Për këtë thekson dhe përmend pasojat e pasimit, apo mospasimit, të rrugës së Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, rrugë e cila shpie në Xhenet, dhe thotë:

“Kush i bindet Allahut (urdhrave të Tij)dhe të Dërguarit të Tij, atë e dërgon në Xhenete nën të cilët burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë.” (Nisa, 13-14)

Madje e urdhëron Pejgamberin e Tij që t’i drejtohet tërë njerëzimit duke thënë:

“Thuaj (o Muhamed): O ju njerëz! Unë jam i Dërguari i Allahut te të gjithë ju. Allahut, që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar tjetër me meritë pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje. Pra besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Pejgamberin e pashkolluar që beson Allahun dhe shpalljet e Tij, ndiqne rrugën e tij që të udhëzoheni.” (A’rafë, 158)

Si dhe të thotë, madje edhe më fuqishëm dhe më bindës:

“Thuaj (o Muhamed): Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje (rrugës sime) që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që falë shumë, mëshiron shumë.” (Ali Imran, 31)

Mu për këtë u drejtohemi të gjithëve me thirrje fisnike që të kenë frikë Allahun në çdo kohë dhe vend si dhe ta pasojnë rrugën e Pejgamberit në çdo gjë në mënyrë që të shpëtojnë dhe të kenë jetë të lumtur në të dy botërat!

Haxhi si ibadet është shumë i rëndësishëm dhe domethënës për besimtarët, sepse ka të bëjë me vendin e shenjtë, Qaben në Mekë, për të cilin Allahu në Kur’an thotë:

“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.”(Ali Imran, 96)

Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe një nga aktet më domethënëse të adhurimit në jetën e muslimanëve, si individ dhe si popull. Allahu në ajetin kur’anor urdhëron:

“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura prej rrugëve të largëta.”(Haxhxh, 27)

Haxhi i barazon të gjithë njerëzit, cilido qoftë statusi i tyre. Të gjithë veshin të njëjtën rrobë të thjeshtë dhe recitojnë: “Të përgjigjem o Allah të përgjigjem” gjë që të kujton qëndrimin para Allahut në Ditën e Gjykimit.

Vlera e këtij ibadeti është gjithpërfshirëse, ngase adhurimi i Zotit manifestohet në të gjitha aspektet dhe ritualet e haxhit. Ai manifestohet në aktin e kryerjes së ritualeve të caktuara, duke qenë i nënshtruar. Adhurimi mishëron thelbin e vërtetë të krijimit, siç tregohet në ajetin kur’anor, ku Allahu thotë:

“Unë i krijova xhinët dhe njerëzit që të më adhurojnë.”

Haxhi është një rast i vlefshëm për të gjithë muslimanët. Ata, pasi kryejnë haxhin, kthehen në shtëpi “të pastruar”, si të ishin të sapolindur; mëkatet e tyre janë falur, lutjet u janë pranuar dhe dyert e Xhenetit janë të hapura për ta. Pejgamberi alejhi selam thotë:

“Ai që e kryen haxhin, duke mos bërë veprime epshore apo mëkate, kthehet prej tij (i pastruar prej mëkateve) si atë ditë kur e ka lindur nëna.”

Muhamedi alejhi selam vetë i udhëzoi besimtarët për ritualet e haxhit duke e bërë në dy mënyra: Me anë të praktikimit nga ana e tij dhe duke miratuar praktikat e shokëve të tij. Kjo i bëri disi më komplekse ritualet, por rriti gjithashtu fleksibilitetin në kryerjen e tyre, shumë më në dobi të besimtarëve.

Haxhi në Mekë është një detyrim, një herë në jetë, për mashkullin dhe femrën e rritur, të cilëve ua lejon shëndeti dhe të ardhurat, ose, sipas fjalëve të Kur’anit, për “ata që mund të shkojnë atje”. Nuk është detyrim për fëmijët, ndonëse disa fëmijë i shoqërojnë prindërit e tyre në këtë udhëtim.

Përpara se të niset, haxhiu duhet të pendohet për të gjitha gabimet, të shlyejë të gjitha borxhet, të planifikojë që të marrë para të mjaftueshme me vete, për të mbajtur veten dhe familjen e tij, për sa kohë që do të jetë i larguar, si dhe të përgatitet për sjellje të mirë gjatë haxhit. Pastaj pasi të ketë arritur në Arabinë Saudite, në paraditen e ditës së tetë të muajit dhulhixhxhe vendos kryerjen e haxhit (nga vendi ku është në Mekë).

Nëse ka zgjedhur haxhin Temettu (pra, e ka bërë umren më parë), lahet plotësisht e më pas vesh ihramin duke thënë: “Lebbejke All-llahumme haxhen.” Nëse është duke kryer haxhin Kiran (bashkimi i haxhit dhe i umres në një nijet) apo Ifrad (e bën vetëm haxhin pa umre dhe pa kurban), qëndron me ihrame pa i hequr ato.

Ditën e tetë të dhulhixhxhes niset për në Mine dhe atje falë: Drekën dy rekate, ikindinë dy rekate, akshamin tre rekate, jacinë dy rekate dhe sabahun dy rekate, çdo falje në kohën e vet.

Kur të lindë dielli i ditës së nëntë, niset për në Arafat duke kënduar telbijen. Pasi të ketë hyrë koha e drekës, falë aty drekën me ikindinë të bashkuar me një ezan dhe dy ikamete me nga dy rekate secili namaz. Pastaj qëndron në Arafat deri në perëndim të diellit, duke shtuar lutjet dhe duatë, i drejtuar nga Qabja, gjithmonë duke qenë i siguruar se qëndron brenda kufijve të Arafatit dhe në asnjë mënyrë të mos dalë prej kufijve të tij para se të perëndojë dielli.

Pasi të ketë perënduar dielli plotësisht, niset me qetësi nga Arafati në Muzdelife dhe posa arrin atje, falë akshamin tre rekate dhe jacinë dy rekate, të bashkuara me një ezan dhe dy ikamete. Kur të hyjë koha e namazit të sabahut, falë sabahun dhe më pas qëndron duke bërë dua dhe dhikër derisa të afrohet lindja e diellit (lejohet largimi më shpejt për të pamundurit). Me t’u afruar kjo kohë, niset nga Muzdelifeja për në Mine dhe për gjatë rrugës këndon telbijen.

Sapo të arrijë në Mine kryen këto veprime:

1. Qëllon me shtatë guralecë shtyllën e Akabesë, e cila ndodhet më afër me Mekën, duke i hedhur të shtatë guralecët, njërin pas tjetrit dhe duke thënë për çdo gjuajtje: “Allahu Ekber” çdoherë duke pasur parasysh që guralecët të bien brenda rrethit që është në formë pusi.

2. Therë kurbanin (sigurisht ai që e bën haxhin me kurban), hanë prej tij dhe pjesën tjetër ua ndanë sadaka të varfërve. Kurbani është vaxhib vetëm për mutemettiun dhe karinin (jo për mufridin që bën haxh pa umre). Nëse e ka të pamundur prerjen e kurbanit , atëherë agjëron tre ditë në haxh dhe shtatë kur të kthehet (në vendin e tij).

3. Rruan kokën plotësisht ose shkurton flokët, pasi rruajtja është më me vlerë, ndërsa femra i shkurton sa një mollëz gishti. Është mirë që këto tre veprime të kryhen me këtë renditje: Gjuajtja e guralecëve, therja e kurbanit dhe rruajtja, e poqëse nuk ka mundësi të kryhen ato sipas kësaj radhe, kjo nuk përbën ndonjë problem. Pasi gjuan guralecët, rruan apo qeth flokët dhe heq ihramin, tashmë lejohen ato gjëra që ishin të ndaluara, me përjashtim të afrimit me bashkëshorten.

Më pas zbret në Mekë dhe bën tavafin e haxhit (ifadah) së bashku me shtatë xhirot nga Safaja deri në Merve (sa’jin e haxhit), nëse është mutemeti. Pas këtyre veprimeve, i lejohet gjithçka që ishte e ndaluar më parë (edhe marrëdhëniet me gruan).

Nëse haxhin e ka Ifrad apo Kiran, atëherë bën tavafin ifadah dhe sa’jin mes Safas dhe Mervas, nëse nuk e ka bërë sa’jin pas tavafit të mbërritjes.

Kur përfundon këto rite, niset për në Mine dhe flenë atje natën e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të dhulhixhxhes. Kur të ketë kaluar paraditja e këtyre dy ditëve, fillon gjuajtja në tre shtyllat duke filluar nga ajo që është më larg Mekës, më pas të mesit dhe në fund të tretën, me nga shtatë guralecë secilën, duke thënë para çdo goditjeje “Allahu Ekber”. Është e pëlqyeshme që pas goditjes së shtyllës së parë dhe të dytë, haxhiu të qëndrojë i drejtuar nga Kibla duke i bërë lutje, i përqendruar, Allahut. Duhet pasur parasysh që goditja (e shtyllave) në këto dy ditë nuk është e vlefshme para mesditës. Kjo fillon vetëm pas faljes së drekës.

Pasi përfundon gjuajtja në ditën e dymbëdhjetë, lejohet largimi nga Mineja, me kusht që largimi të bëhet para se të perëndojë dielli i kësaj dite, në të kundërt, duhet kaluar edhe këtë natë në Mine duke ditur që kjo e fundit është më e pëlqyer. Si më parë, në ditën vijuese gjuhen guralecët në tre shtyllat pas dreke (dhe bëhet nisja për në Mekë).

Nëse dëshiron të kthehet në vendlindjen e tij, e kryen tavafin e lamtumirës rreth Qabes dhe me këtë rit përfundojnë plotësisht veprimet e haxhit.

Femra me lehoni dhe mestruacione nuk e ka kusht tavafin e lamtumirës.

Me kthimin e haxhinjve të racave dhe ngjyrave të ndryshme në shtëpitë e tyre, ata mbartin me vete kujtesat e panumërta për Ibrahimin, Ismailin, Haxheren dhe Muhamedin alejhi selam. Ata do ta kujtojnë përgjithmonë këtë konkurs universal, ku të varfër e të pasur, të zinj e të bardhë, të rinj e të moshuar, takohen të barabartë.

Ata kthehen me një ndjesi frikë-respekti dhe qetësie: Frikë-respekti për përvojën e tyre në Arafat, ku u ndjenë më pranë Zotit se kurrë, teksa qëndronin në vendin ku Pejgamberi alejhi selam mbajti hytben gjatë haxhit të tij të fundit; qetësi për pastrimin e mëkateve në atë luginë, dhe duke u çliruar kështu nga kjo barrë e rëndë.

Ata kthehen gjithashtu me një kuptim më të mirë të kushteve të vëllezërve të tyre në Islam. Kështu lind një shpirt përkujdesjeje për të tjerët dhe një kuptim i trashëgimisë së pasur që kanë, dhe që do të zgjasë gjatë tërë jetës.

Haxhinjtë kthehen rrezatues, me shpresë dhe gëzim, pasi kanë përmbushur urdhëresën e kahershme të Zotit për njerëzimin, që të kryejnë haxhin.

Mbi të gjitha, ata kthehen me një lutje në gjuhët e tyre:

Na e prano o Allah haxhin dhe bëj që të jetë e vërtetë për haxhin tonë, ajo që ka thënë Pejgamberi alejhi selam:

“Për haxhin e suksesshëm, nuk ka shpërblim tjetër veç Xhenetit.”

Bahri Curri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here