Vizato një buzëqeshje

0
246

Profesori i sociologjisë në universitetin e Malajzisë, u kërkoi studentëve të tij që përgjatë katër muajve të semestrit, të lumturonin një person. Në këmbim, ata do të merrnin pikët e plota në lëndën e tij. Tridhjetë studentët, duhet ta zgjidhnin personin që do të bënin të lumtur jashtë ambientit të tyre familjar, si dhe të ofronin një prezantim pamor për punën që kanë bërë, të cilin do e paraqisnin para kolegëve të tyre.

Profesori nuk u mjaftua me kaq, por ra dakord me një kompani malalziane që dhjetë studentët më të mirë, të nderoheshin me një çmim 1.000 dollarë amerikanë.

Në fund të semestrit, të tridhjetë studentët i morën pikët e plota në këtë lëndë. Ata i kishin paraqitur përvojat e tyre në sallën e teatrit të universitetit, ku kishin marrë pjesë prindërit, pedagogët dhe studentët e tjerë nga i gjithë Kualalumpuri. Me një votim të brendshëm, nga tridhjetë studentët u zgjodhën dhjetë me kontributin më të vyer.

Kjo përvojë kaq humane krijoi një atmosferë plot surpriza dhe lumturi në mbarë Malajzinë dy vite më parë. Secili nga studentët përpiqej të ofrojë një akt human të ndryshëm, me të cilin do i kthente buzëqeshjen dhe lumturinë dikujt tjetër.

Një student malajzian, Muhamed Sherif, njëri nga dhjetë fituesit e parë, i kishte bërë nga një dhuratë të vogël për çdo ditë, një kolegut të tij indian në banesën e universitetit. Atë e kishte dërguar i ati të studiojë mjekësinë në Malajzi. Muhamedi, i vendoste çdo ditë një dhuratë të vogël mu tek dera e dhomës së tij.

Muhamedi zgjodhi pikërisht këtë student, pasi kishte vënë re se ai nuk kishte miq e shokë, madje, nuk e kishte vënë re as të buzëqeshë ndonjëherë, përgjatë gjithë vitit të kaluar.

Studenti indian nuk fliste me askënd dhe askush nuk i fliste. Dukej i mërzitur, i dëshpëruar dhe i trishtuar. Kjo e kishte bindur studentin malajzian, se ishte pikërisht personi i duhur që duhej lumturuar.

Dhurata e parë ishte një mesazh i shkurtër, i shkruar në një letër të vogël dhe i futur poshtë derës së dhomës ku banonte. Ai e shkroi në kompjuterin e tij dhe printoi në një fletë të përshtatshme, por nuk shkruan asnjë emër të dërguesit. Në letër shkruhej:

“Kur kam qenë i vogël, kisha shumë dëshirë të studioja për mjekësi dhe të bëhem doktor, si ju. Por gjithmonë kam qenë i dobët në shkencat ekzakte. Zoti të ka pajisur me zgjuarsi, të cilën do e përdorësh për të lumturuar njerëzit.”

Ditën e dytë, Muhamedi bleu një kapele malajziane tradicionale, të cilën ia la tek dera e dhomës, të shoqëruar me një copë letër:”Uroj ta pranosh këtë kapele prej meje.”

Në darkë, Muhamedi e sheh kolegun e tij indian me kapelen tradicionale në kokë dhe me një buzëqeshje të këndshme, e cila nuk ishte vënë re më parë. Jo vetëm kaq, por në profilin e studentit indian në facebook, ai kishte hedhur dhe një imazh të letrës së tij të parë dhe një tjetër të kapeles që ia kishte lënë tek dera. Por gjëja akoma më e bukur, ishte komenti i babait të studentit indian në facebook, mbi dhuratat që kishte marrë:”Edhe kolegët e tu në universitet të shihkan si një doktor të aftë, prandaj mos i zhgënje dhe vazhdo me të njëjtin hap!”

Këto zhvillime e motivuan më shumë Muhamedin në ofrimin e dhuratave simbolike dhe mesazheve aq motivuese për kolegun e tij indian, i cili as që ia kishte idenë kush ishte ai person aq zemërgjerë.

Buzëqeshja e studentit indian rritej dhe zmadhohej çdo ditë e më tepër, ndërkohë që profili i tij në facebook dhe twitter gëlonte nga komentet e miqve dhe shokëve të tij, të cilët çdo ditë e pyesnin me kureshtje:”Hë? Çfarë dhurate ke marrë sot?”

Jeta e studentit indian filloi të ndryshojë krejtësisht, nga i vetëmbyllur dhe turivarur, ai shihej i buzëqeshur dhe miqësor, kjo falë kolegut të tij malajzian.

Dy muaj më vonë, studenti indian u bë objekt i bisedave në të gjithë universitetin. Vetë drejtoria e universitetit i kërkoi ta rrëfejë përvojën e tij në një takim social me studentët e tjerë.

Studenti indian pranoi dhe filloi të flasë për përvojën e tij. Ai i surprizoi të gjithë kur tha se mesazhi i parë që kishte marrë, e kishte bërë të heqë dorë nga lënia e fakultetit të mjekësisë. Falë këtij mesazhi, arriti ti kapërcej të gjitha barrierat, vështirësitë dhe sfidat akademike dhe kulturore që hasja – tha ai.

Studenti malajzian Muhamed Sherif, kishte luajtur një rol kyç në jetën e këtij studenti indian dhe kjo, me një akt aq simbolik dhe të thjeshtë.

Studenti indian do të bëhet një mjek i aftë një ditë dhe do u shpëtojë jetën kushedi sa njerëzve dhe kjo falë një motivimi të ngrohtë dhe modest.

Sigurisht që studenti malajzian, Muhamed Sherif e mori lëndën e sociologjisë, por përvoja e tij e parë, e bëri që bashkë me kolegët e tjerë, të motivojnë nga një person tjetër për çdo semestër. Para se të shtrihet për të fjetur, ai shkruan nga një mesazh të shkurtër motivues dhe e paketon bashkë me një dhuratë të vogël. Bashkë me një kompani kompjuterësh, ai ka lidhur një kontratë që këtë projekt ditor, ta shndërrojë në një projekt institucional, me qëllim që të thithin sa më shumë vullnetarë, që njerëzve nga të katër anët e Malajzisë, tu kthejnë buzëqeshjen dhe lumturinë.

Kjo iniciativë, e cila urojmë të gjejë vend dhe në universitetet dhe shkollat tona, lë një ndikim të thellë dhe të përhershëm në shpirtrat dhe zemrat e shtresave të përvuajtura. Ajo lë ndikim akoma më të thellë në zemrat dhe psikologjinë e atyre që e zbatojnë.

Përreth nesh, ka shumë njerëz të cilët kanë nevojë për një mesazh të përzemërt dhe një prekje të ngrohtë, në këtë botë të mbushur me halle dhe telashe.

Ne e kemi në dorë ta ndryshojmë aktualitetin e dhimbshëm, qoftë dhe me iniciativa kaq të vogla, të cilat kanë efekt madhështor dhe lënë gjurmë që nuk fshihen.

Le të fillojmë që sot projektin tonë, për ti kthyer buzëqeshjen dhe lumturinë një personi në javë. Për këtë, nuk lipset ndonjë punë dhe mund i pazakontë; një letër që ia dërgojmë dikujt të afërt apo të largët; një dhuratë simbolike që ia vendosim kolegut mbi tavolinë.

Mos harroni se zjarret që djegin zemrat e njerëzve përreth, u lipset një “zjarrfikës” që i shuan me anën e një buzëqeshjeje dhe një iniciative sado të vogël, aq e vogël sa s’të shkon në mendje.

Perzgjodhi dhe perktheu: Elmaz Fida

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here